KOMF i shkruan Qeverisë, e njofton se shërbimet sociale rrezikojnë të mbyllen në janar

Lajme

KOMF i shkruan Qeverisë, e njofton se shërbimet sociale rrezikojnë të mbyllen në janar

Më: 28 dhjetor 2023 Në ora: 10:06
Foto ilustrim

Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, i cili përfaqëson 35 organizata jo qeveritare, ka adresuar një letër të hapur te krerët e Qeverisë duke kërkuar ndërmarrjen e masave të menjëhershme për parandalimin e mbylljes së shërbimeve sociale për fëmijët e cenueshëm.

Konkretisht, KOMF ka kërkuar sigurim të financimit për ofrimin e shërbimeve sociale, të cilat janë jetike për fëmijët e cenueshëm, shërbime të cilat siç thuhet, si pasojë e mos mbështetjes financiare nga ekzekutivi rrezikojnë të mbyllen nga 1 Janar 2024.

Shërbimet rezidenciale dhe shërbimet ditore për fëmijët pa përkujdesje prindërore, fëmijët viktima të abuzimit dhe keqtrajtimit, fëmijët viktima të dhunës në familje dhe viktimat e trafikimit (niveli i ulët dhe i mesëm i rrezikut), fëmijët me aftësi të kufizuara, etj., financohen pjesërisht nga Ministria Drejtësisë përmes thirrjeve publike çdo vit.

“Nga viti 2016, ka zbrazëtira kohore mes thirrjeve/kontratave për mbështetje të këtyre shërbimeve duke lënë pa përkrahje financiare këto shërbime çdo fillim vit. Institucionet jo-publike të licencuar për ofrimin e shërbimeve sociale janë mbështetur financiarisht nga Ministria e Drejtësisë për ofrimin e shërbimeve. Mbështetja financiare nga Ministria e Drejtësisë ka qenë për periudhën Prill 2023 – Janar 2024 dhe si rrjedhojë shërbimet posedojnë financimin vetëm deri në Janar 2024. Në mungesë të fondeve për mbështetje të mëtutjeshme shërbimet rrezikojnë të mbyllen”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, thuhet se ndërprerja e ofrimit të këtyre shërbimeve, qoftë edhe përkohësisht do të lërë pa strehë fëmijët viktima të akomoduar aktualisht në strehimore dhe po ashtu do të mbyllë derën për rastet e reja që mund të jenë në nevojë për shërbime rezidenciale, duke shkelur kështu të drejtën themelore të fëmijëve për mbrojtje.

“Me situatë të njëjtë, do të përballen edhe ofruesit e shërbimeve që ofrojnë shërbime në baza ditore për fëmijët e cenueshëm përmes qendrave ditore. Në mungesë të shërbimeve sociale, fëmijët e cenueshëm, e sidomos fëmijët më aftësi të kufizuara do të mbesin të mbyllur në shtëpi dhe do të pësojnë regres në zhvillimin e tyre fizik, psikologjik dhe emocional. Kjo situatë, do të rëndojë edhe gjendjen ekonomike dhe emocionale të familjeve të fëmijëve të cenueshëm, të cilët do të detyrohen që të marrin shërbime me pagesë, në bazë të mundësive të tyre financiare.”

“Krahas mbylljes së shërbimeve, do të pasojë edhe mbyllja e qendrave të specializuara për shërbime ditore, të cilat janë të pajisura me mjete pune, infrastrukturë, staf profesional dhe të licencuar. Po ashtu, ky vakum kohor, rrezikon humbjen e stafit profesional në të cilin është investuar ndër vite”, bëhet e ditur më tej.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat