Ky është njëri prej të dyshuarve që shtiu me armë drejt Policisë në Zubin Potok

Lajme

Ky është njëri prej të dyshuarve që shtiu me armë drejt Policisë në Zubin Potok

Më: 30 dhjetor 2023 Në ora: 17:33
Foto ilustrim

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në fshatin Bube të Zubin Potokut, Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare është përballur me rezistencë të armatosur nga disa persona të dyshuar. Zyrtarët policorë i janë kundërpërgjigjur sulmit dhe kanë arritur që të arrestojnë njërin prej personave të dyshuar.

Media mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Dragoslav Igrutinoviç, 42-vjeçar.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, zyrtarët policorë dhe Igrutinoviç nuk kanë pësuar lëndime.

Sipas Policisë, gjatë kontrollit të kamionit, janë gjetur të ngarkuara 40 copë dele, pa dokumentacion përcjellës e që dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia për në Republikën e Kosovës.

Po ashtu aty janë hasur edhe dy automjete të braktisura, dyshohet se kanë qenë në përcjellje të kamionit.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, përfshirë IPK-në dhe për rastin është njoftuar prokurori. Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti kundrejt dy veprave penale: ‘sulmi ndaj personit zyrtar’ dhe ‘kontrabanda e mallrave’”, njoftoi Policia përmes një komunikate për media.

Kamioni me dele është dërguar në terminalin doganor, dy veturat e hasura në vendngjarje janë sekuestruar, kurse Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit.

Ndërkohë po vazhdojnë hetimet për lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarve tjerë që dyshohet të jenë përfshirë në rast.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat