Brukseli dhe Kosova tronditin pozitat e Vuçiqit, ky është ultimatumi nga ndërkombëtarët për Serbinë

Lajme

Brukseli dhe Kosova tronditin pozitat e Vuçiqit, ky është ultimatumi nga ndërkombëtarët për Serbinë

Më: 19 janar 2024 Në ora: 10:39
Aleksandër Vuçiq

Situata për Aleksandër Vuçiqin po bëhet shumë e vështirë. Presidentit serb nuk i mjaftojnë vetëm problemet në Beograd, të cilat sa vijnë dhe i shtohen, por situata po i del nga duart edhe në Kosovë. Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar një rregullore për operacionet për paratë e gatshme, e cila thotë se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro.

Kjo rregullore do të hyjë në fuqi më 1 shkurt. Sistemi i pagesave të Serbisë vazhdon të funksionojë në Kosovë edhe pas luftës së vitit 1999 në zonat me shumicë serbe, dhe dinarët janë në qarkullim përmes Thesarit Serb në tregti, institucionet serbe, hotelieri dhe industri të tjera të shërbimeve private.

Presidenti serb vlerësoi se njoftimi i Prishtinës për anulimin e transaksioneve të pagesave me Serbinë paraqet një përpjekje për të anuluar dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe një përpjekje për të dëbuar popullin serb nga Kosova. Ai shprehu besimin e tij se bashkësia ndërkombëtare nuk do ta lejojë këtë.

Ultimatumi nga ndërkombëtarët

Por nuk është vetëm ky problem për Vuçiqin.  Plot 24 deputetë të Parlamentit Evropian përmes një letre drejtuar autoriteteve të BE-së kërkojnë hetim për manipulim të zgjedhjeve në Serbi. Lajmi është njoftuar nga kryetari i Komisionit të Jashtëm të Bundestagut, Michael Roth, me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku  ndër të tjera thotë se “Vuçiq është totalisht i izoluar”.

“I dashur President Aleksandër Vuçiq kjo s’është as komplot dhe as fushatë socialiste. Ju jeni totalisht i izoluar! 24 deputetë nga e gjithë Europa i bëjnë thirrje BE-së që të hetojë në mënyrë të pavarur akuzat për mashtrim dhe të bëjë rekomandime për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Serbi”, ka shkruar ai. Në letër këta deputetë europianë thonë se e duan Serbinë brenda një dekadë në BE, por se për këtë duhet një demokraci funksionale në Serbi. “Në hijen e pretendimeve për manipulime masive zgjedhore gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe lokale serbe që u zhvilluan më 17 dhjetor 2023, i bëjmë thirrje BE-së të kryejë një hetim të pavarur për të gjitha parregullsitë zgjedhore të raportuara dhe pretendimeve për mashtrim. Qëllimi ynë i përbashkët është ta shohim Serbinë si anëtare të Bashkimit Europian brenda kësaj dekade. Një kërkesë e domosdoshme për këtë është një demokraci funksionale dhe shteti ligjor. Manipulimet masive zgjedhore të vëzhguara nga misioni ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe vëzhguesit e pavarur të shoqërisë civile janë shkelje të qarta të parimeve të zgjedhjeve të lira, të barabarta dhe të fshehta dhe të cilat s’janë në pajtim me këtë kërkesë. Kjo ngre shqetësime të mëdha për legjitimitetin e rezultateve zgjedhore në nivel kombëtar dhe veçanërisht në lidhje me zgjedhjet për Kuvendin Komunal të Beogradit”, thuhet ne letër.

Deputetët europianë thonë se këto ngjarje dhe reagimi represiv i shtetit pas tyre, tregojnë një përshkallëzim të mëtejshëm të zhvillimit autokratik të vendit. Nënshkruese e letrës është edhe deputetja e zëshme britanike për çështjet në Ballkanin Perëndimor, Alicia Kearns, si dhe kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleksandr Merezhko. Po ashtu, deputetë nënshkrues janë edhe nga shtete tjera përfshirë Francën, Italinë, Republikën Çeke, Kroacinë, Irlandën etj.

Ndizet opinioni serb

Millosh Pavkoviq, studiues në Qendrën për Politika Evropiane, teksa komentoi për Danas, për letrën për zgjedhjet në Serbi, ka thënë se ajo është nënshkruar nga kryetarët e komiteteve të politikës së jashtme të disa shteteve anëtare të BE-së, ndër të cilët Gjermania, Franca, Italia dhe Polonia, por edhe Britania e Madhe.

Sipas tij, në të ardhmen, varësisht nga serioziteti i situatës dhe presionet që prodhon kjo letër, mund të ketë pasoja në procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE dhe në bashkëpunimin e përgjithshëm të BE-së dhe vendeve anëtare me qeverinë në Beograd dhe besueshmëria e Serbisë në shtetet demokratike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat