Del emri, ky është i dyshuari që e sulmoi seksualisht një vajzë në ashensorin e banesës në Prishtinë

Lajme

Del emri, ky është i dyshuari që e sulmoi seksualisht një vajzë në ashensorin e banesës në Prishtinë

Më: 5 mars 2024 Në ora: 09:35
Derisa ndodheshin në ashensor, i dyshuari e kishte prekur me zor në pjesët intime, e madje edhe i ka shkaktuar lëndime trupore.

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale ndaj vajzave e grave në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Të dyshuarit në shumicën e rasteve janë persona të moshës madhore, të cilët shfrytëzojnë çfarëdo situate me qëllim keqpërdorimin dhe abuzimin e tyre. Për një rast të tillë që ndodhi javën e kaluar në një objekt banesor në rrugën “Tringë Smajli” në Prishtinë, Policia tashmë ka arrestuar të dyshuarin.

Personi që dyshohet se sulmoi seksualisht 24-vjeçaren në ashensorin e banesës ka rënë në prangat e Policisë dhe tashmë ndodhet në ndalim policor.

Media mëson se i dyshuari është Agron Murseli, 29-vjeçar, i cili u kap dje dhe u shoqërua në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.

Sipas informacioneve të para, më 27 shkurt, i dyshuari fillimisht e kishte përcjellë viktimën derisa po kthehej te banesa e saj dhe më pas ishte futur në ashensor bashkë me të, përkundër që ajo tentoi ta ndalojë, por s’ia arriti.

Derisa ndodheshin në ashensor, i dyshuari e kishte prekur me zor në pjesët intime, e madje edhe i ka shkaktuar lëndime trupore.

Pasi Policia ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, si dhe ka siguruar pamjet e kamerave të sigurisë, është identifikuar i dyshuari.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Sulm seksual’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat