Ndryshimi i stinëve mund të ndikojë jashtëzakonisht në shëndetin tonë mendor

Life style

Ndryshimi i stinëve mund të ndikojë jashtëzakonisht në shëndetin tonë mendor

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 20:15
Foto Ilustrim

Ndryshimi i stinëve mund të ndikojë jashtëzakonisht në shëndetin tonë mendor, duke na lënë të ngërthyer me disponim të ultë dhe pasivitet. Temperaturat e ulëta, ditët e shkurta, mungesa e dritës së diellit, mund të kenë një ndikim shumë më të madh në disponimin dhe energjinë tonë. Shumë prej nesh e gjejmë vetën duke ngrënë më shumë ose duke fjetur më gjatë në dimër. Me këtë rast, edhe me disa kilogramë më tepër. Në anën tjetër, ne jemi më të gëzuar dhe energjik kur dielli ndriçon dhe ditët janë më të gjata.

Për disa njerëz ndryshimi në gjatësinë e ditës dhe mungesa e diellit mund të ketë një ndikim shumë më të madh në disponimin dhe energjinë e tyre dhe të çojë në një formë të depresionit të quajtur Çrregullim Emocional Sezonal (Seasonal Affective Disorder). Kjo formë e depresionit zakonisht shfaqet në fund te vjeshtës ose në fillim të dimrit, ndërsa simptomate tilla si humbja e energjisë, gjumë i tepruar, të ngrënit e tepruar, humbje e interesimit nga aktivitetet e mëparshme, fillojnë të zhduken më ardhjen e pranverës.

Periudha ndërmjet Dhjetorit dhe Shkurtit, gjithashtu mund të jetë më e vështirë për t’u përballur, për personat që edhe në periudhën tjetër të vitit kanë vështirësi emocionale ose sëmundje mendore, të tilla si ankthi, depresioni ose çrregullimi bipolar.

Më poshtë janë disa mënyra të cilat mund të ju ndihmojnë për të pakësuar efektin që mund të ketë dimri në shëndetin tuaj mendor:

Ekspozohuni më shumë ne dritë ose diell

Rekomandohet qe ju të ecni ose qëndroni në ambientet jashtë shtëpisë suaj, në natyrë, së paku për një orë në ditë, sidomos në mesditë. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë uluni pranë dritareve të shtëpisë, me më shumë ndriçim. Kjo është shumë e rëndësishme pasi që drita e diellit e rregullon orën tonë biologjike (ritmin cikardian), sistem ky i cili e rregullon gjumin tonë dhe gjendjen e zgjimit në periudhën 24- orëshe. Po ashtu ekspozimi në dritën natyrale, rregullon nivelin e substancës kimike në trupin tonë të quajtur serotonin, e cila është përgjegjës në ngritjen e disponimt dhe energjisë.

Shpeshtoni kontaktet shoqërore

Është shumë e lehtë të izoloheni më shumë gjatë dimrit. Mirëpo të qenit i rrethuar me njerëzit tuaj të dashur, mund t’ju bëjë të ndiheni më mirë. Bisedoni me ata për mënyrën se si ndjeheni. Edhe pse mund ta keni më vështirë të largoheni nga shtëpia, dhe do të preferonit komunikimin në mënyrë elektronike ose përmes rrjeteve sociale, jepni prioritet kontakteve fizike më të afërmit tuaj. Forma elektronike e komunikimit nuk mund t’ua jep, ngrohtësinë dhe kualitetin e komunikimit të drejtpërdrejtë.

Përpiquni të bëni sa më shumë aktivitete fizike që mundeni

Edhe pse kjo mund të jetë gjëja e fundit që do të dëshironit të bëni, aktiviteti fizik mund të ndihmojë në ngritjen e disponimit dhe energjisë. Hulumtimet sugjerojnë se stërvitja në natyrë, si çiklizmi apo vrapimi, mund të jetë po aq efektiv sa antidepresantët në trajtimin e depresionit. Aktivitetet fizike po ashtu ndikojnë në prodhimin e endorfinave, të cilat janë substanca kimike në tru që veprojnë si qetësues natyral, përmirësojnë aftësinë për të fjetur, gjë që redukton stresin dhe jep ndjenjën e rehatisë dhe mirëqenies.

Hani ushqime të shëndetshme dhe shmanguni karbohidrateve

Ngrënia e karbohidrateve siç janë ëmbëlsirat, makaronat rrisin nivelin e sheqerit në gjak dhe ju duket që jeni ngopur, por do të uriteni shumë shpejt. Është në përgjithësi një ide e mirë për të shmangur ushqimet që shkaktojnë ngritjen dhe uljen e shpejtë të nivelit të sheqerit në gjak, pasi kjo mund të ndryshojë gjendjen emocionale dhe të rrisë ndjenjën e irritueshmërisë. Reduktoni ushqimet e përpunuara, si orizi i bardhë dhe makaronat, ushqimet që përmbajnë sheqerna të rafinuara, alkoolin dhe kafeinën. Hani më shumë proteina, siç janë fasulet, bizelet, brokoli, mishi I kuq dhe yndyrna të shëndetshme si peshku dhe vaji i tij. Po ashtu më shumë fruta dhe perime të ndryshme në dietën tuja do të balancojë nivelin e sheqerit në gjak, gjë që do të ndikojë edhe në përmirësimin e gjendjes suaj emocionale.

Nëse vëreni se simptomat tuaja janë keqësuar, dhe asgjë nga ajo që bëni vetë nuk po ju ndihmon, flisni me psikologun për ndihmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat