Të menduarit pozitiv dhe festat

Life style

Të menduarit pozitiv dhe festat

Nga: Rudina Koromani Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 17:09
Ilustrim

Po më fyen inteligjencën? Si mund t’i qesh unë atij? Krishtlindjet dhe Viti i Ri konsiderohen nga të gjithë si periudha më e rëndësishme e vitit. Ajo lidhet me familjen, miqtë, gëzimin, qetësinë, bujarinë, dashamirësinë, arritjet, zbukurimet, etj. Me pak fjalë, festat e fundvitit nxjerrin më të mirën nga ne. Por, kemi dhe anën tjetër të medaljes.

Festat shoqërohen edhe me stres. Shpenzime financiare të sforcuara, mbingarkesë e lodhje fizike për blerjet e shumta që dominojnë. Mbi të gjitha, këto festa na bëjnë më të brishtë emocionalisht, për ata që ndjehen vetëm, por tensionojnë psikologjikisht edhe familjet “më perfekte”. Bashkimet familjare gjatë festimeve mund të nxisin emocione negative si, grindje, xhelozi, ofendime. Pavarësisht se çdonjëri nga ne ka përvojat e veta pozitive e negative, çuditërisht pritshmëritë tona për këto festave janë shumë pozitive. Planifikojmë të kursejmë sa më shumë që të blejmë dhuratat që duam, të argëtohemi, të pushojmë, të kalojmë sa më shumë kohë me familjen.

Edhe pse e dimë se blejmë më shumë ushqime e pije nga ç’na nevojitet, sërish bëjmë blerje të tepruara. Edhe pse i njohim familjarët me të cilët konfliktohemi, sërish ulemi me ta në tryezë me mendimin për të mos u konfliktuar, me pritshmëritë për t’u gëzuar. Pse ndodh kjo prirje kaq “naive” jona?

Megjithëse e ndërgjegjshmja jonë fokusohet në atë që perceptohet si negative, në pavetëdijen tonë priremi të pranojmë lëvdata dhe të hedhim poshtë kritikat, të kujtojmë gjithmonë gjërat pozitive, fokusohemi më shumë te pozitiviteti se sa negativiteti. Kjo tendencë lidhet me parimin Poliana, i cili u përshkrua për herë të parë nga Martin dhe Stang 1978 – qëndrimi pozitiv – një tendencë psikologjike e individëve për t’i kushtuar më shumë rëndësi anëve pozitive.

Parimi Poliana është një prirje e qëndrueshme gjykimi në të gjitha kulturat dhe njerëzit, na ndihmon të jemi më të gëzuar, më të shëndetshëm dhe më të lidhur me të tjerët. Ka shumë forma se si manifestohet kjo prirje: te mbivlerësimi i vlerës së diçkaje, shmangia e të parit të gjërave të pakëndëshme, komunikimi i lajmeve të mira e të gëzueshme, se sa i atyre të pakëndëshme, e kështu me radhë. Dr. Clay Jones (2014) e shpjegon bukur këtë prirje të gjykimeve tona: “Ne  mund të mos mendojmë se jemi shumë pozitivë, por është e shkruar në ADN-në tonë të shohim anën pozitive të gjërave”. Poliana, libër për fëmijë nga Eleanor H.Porter, është një nga personazhet më të lumtura e më optimiste të krijuara ndonjëherë.

Kjo vajzë e vogël sheh gjithmonë të mirën te çdo njeri që takon, ka tendencën të gjejë diçka të gëzueshme apo diçka për t’u vlerësuar edhe në situatat më katastrofike. Një tendencë e tillë luan një rol shumë të madh në kujtesën e ngjarjeve të përjetuara. Shumë prej nesh, të cilët nuk duan të duken “naivë” si Poliana, që kalon me të qeshur gjithçka, mund të shprehen: ‘po më fyen inteligjencën’, ‘si mund t’i qesh unë atij?’, ‘si ta harroj çfarë më shau?’, ‘si mund të qëndroj në një tavolinë me dikë që e mendon kështu?’,etj. Një arsyetim i tillë i individëve “inteligjentë” i bën ata rezistentë ndaj ndryshimeve, ndaj përmirësimit, ndaj tejkalimit të situatave të vështira familjare apo shoqërore, i bën të vështirë në përshtatjen e qëndrimit vazhdimisht të gëzuar.

Të gjithë kemi momentet tona të vështira dhe askush nga ne nuk mund të jetë Poliana gjatë gjithë kohës. Por nevoja për një ekuilibër mes lumturisë dhe të qenit realist, theksohet kur marrim parasysh se si ndjenjat tona për njerëzit ndikojnë në sjelljen tonë, sidomos kur bëhet fjalë për bashkimin familjar gjatë festave. Megjithëse jetojmë në shoqëri përherë e më tepër individualiste, perceptimi pozitiv për njerëzit ka mundësuar evoluimin e atyre që jemi sot, në familje, shoqëri, që jeton, punon e gëzon së bashku, që na ndihmon të jemi të lidhur me njëri-tjetrin.

“Nuk na fyhet inteligjenca” nëse një herë në vit, të paktën, të jemi si “naivja” Poliana, duke hedhur pas krahëve kujtimet negative e duke përjetuar ato grimca lumturie që gjejmë pranë të dashurve, familjarëve dhe miqve tanë.

Gëzuar të gjithëve!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat