Gjashtë gjëra që duhet të dini për ciklin e shkurtër të larjes

Life style

Gjashtë gjëra që duhet të dini për ciklin e shkurtër të larjes

Më: 5 prill 2023 Në ora: 08:04
Foto ilustrim

Procesi i shpejtë në rrobalarëse të kursen shumë kohë vërtet, por a fitojnë rrobat pastërtinë që duhet?

1. Një cikël i shpejtë larjeje është i mjaftueshëm për një larje rutinë të rrobave që thjesht janë veshur një herë dhe nuk kanë ndonjë njollë. Por, nëse bëhet fjalë për rroba të njollosura, duhet patjetër një cikël i plotë larjeje, pasi procesi i shkurtër realizohet në temperaturë shumë të ulët.

2. Për t’u ndjerë të sigurt se të gjithë mikroorganizmat e dëmshme janë vrarë, rrobat duhen larë të paktën në temperaturën 60° C. Megjithatë, duhet të lexoni gjithmonë etiketën e kujdesit ndaj rrobave, pasi në disa lloje copash specifikohet temperatura max 40°C. Kujdes!

Peshqirët dhe çarçafët duhen larë gjithmonë në temperatura të larta (duke filluar nga 60°C), mundësisht duke përdorur detergjent pluhur, i cili përmban edhe zbardhues/dezinfektues për të vrarë gjithë bakteret e dëmshme. Kjo është shumë e rëndësishme, sidomos nëse keni në familje individë me imunitet të ulët (siç janë fëmijët, apo të moshuarit).

3. Është e rëndësishme që të zgjedhim një detergjent që përmban enzima, të cilat janë shumë efektive për eliminimin e njollave. Detergjentet që përdorin thjesht zbardhuesin për të pastruar dhe dezinfektuar, nuk janë shumë efektivë ne luftimin e njollave.

4. Kujdes! Nëse përdorni procesin e shkurtër të larjes, mbani parasysh që edhe shpëlarja bëhet më shpejt. Ndaj evitoni përdorimin e tepruar të detergjentit, nëse nuk doni që rrobat të dalin me shkumë dhe të pashpëlara mirë. Ju rekomandojmë të përgjysmoni dozën e detergjentit.

5. Nëse lani rregullisht në temperaturë të ulët dhe me ujë të ftohtë, ndoshta do të vini re se rrobalarësja juaj fillon të mbajë një erë lagështie dhe myku, që vjen si pasojë e baktereve që krijohen.

Për ta eliminuar këtë aromë të pakëndshme, të paktën një herë në muaj duhet të vendosni rrobalarësen bosh, në një proces të shkurtër larjeje, në temperaturë max 90° C, duke shtuar vetëm zbardhues. Gjithashtu, fërkoni mirë me furçë kazanin rrotullues dhe vasketën ku vendoset detergjent.

6. Një plus i madh i procesit të shkurtër të larjes dhe temperaturave të ulëta të ujit, është fakti se kursejmë shumë kohë dhe kursejmë energji elektrike. Me pak fjalë, kursejmë para.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat