Java e 17-të e shtatzënisë: Ju jeni plot forcë dhe energji dhe bebja juaj po bëhet më e fortë dhe më e shkathët

Life style

Java e 17-të e shtatzënisë: Ju jeni plot forcë dhe energji dhe bebja juaj po bëhet më e fortë dhe më e shkathët

Më: 16 tetor 2023 Në ora: 21:10
Foto ilustrim

Ka ardhur java e shtatëmbëdhjetë e shtatzënisë dhe ja çfarë mund të prisni kur bëhet fjalë për beben tuaj, por edhe për ju

Çfarë ndodh me beben?

Kjo është periudha kur bebja rritet me shpejtësi. Në javët e ardhshme, ajo do të dyfishojë peshën e saj dhe do të rritet goxha shumë. Tani ajo peshon rreth 150 gramë dhe është rreth 13 cm e gjatë – nga koka te të pasmet (afërsisht sa një mango).

Sytë e bebes janë ende të mbyllur, por vetullat dhe qerpikët bëhen më të trashë. Gjoksi i saj ngrihet dhe ulet – në këtë mënyrë ajo praktikon frymëmarrjen. Fillon procesi i formimit të kockave – kërcet e buta kthehen në kocka. Kordoni i kërthizës tani është më i trashë dhe më i fortë, por edhe gjëndrat e djersës kanë filluar të zhvillohen, transmeton Telegrafi.

Çfarë ndodh me nënën?

Mitra juaj është zgjeruar mjaft dhe ka zënë një pjesë të madhe të stomakut tuaj. Hormonet janë qetësuar, kështu që ju ndiheni gjithnjë e më mirë çdo ditë. Ju jeni plot forcë dhe energji!

Megjithatë, gjatë kësaj periudhe herë pas here mund të humbni ekuilibrin. Ndërsa barku juaj rritet, qendra e gravitetit zhvendoset, duke ju bërë më të paqëndrueshme se më parë.

Shmangni situatat ku ekziston rreziku i lartë për t’u rrëzuar, sepse lëndimet në zonën e barkut mund të jenë të rrezikshme për ju dhe beben.

Mbathni këpucë me taka të ulëta dhe gjatë drejtimit të veturës, vini gjithmonë rripin e sigurimit – vendosni pjesën e poshtme mbi ijët, nën bark dhe pjesën e sipërme midis gjoksit.

Lentet e kontaktit mund të mos jenë të rehatshme për ju tani. Mbani ato për periudha më të shkurtra kohore ose përdorni syze deri në lindje. Nëse sytë tuaj janë të thatë, të ashtuquajturit lot artificial mund të jenë të dobishëm.

Dëshira për intimitet, për kënaqësinë e madhe të partnerit, është rikthyer (nëse është zhdukur në tremujorin e parë, gjë që ndodh shpesh). Kjo është një periudhë e shkëlqyer për të bërë dashuri, sepse nuk jeni më të lodhur dhe të rraskapitur siç keni qenë në tremujorin e parë dhe barku juaj nuk është bërë ende aq i madh sa t’ju kufizojë lëvizjet. Bërja e butë e dashurisë është krejtësisht e padëmshme gjatë shtatzënisë.

Çfarë duhet të bëni?

Ndani lajmin e mirë. Nëse keni një fëmijë më të madh, kjo është periudha kur mund t’i tregoni vogëlushit tuaj lajmin e mirë. Anëtari i ri i familjes do të ndryshojë rrënjësisht jetën e fëmijës tuaj më të madh, ndaj filloni ta përgatisni atë në kohë për një vëlla ose motër. Shpjegojini atij se do ta doni akoma njësoj kur të vijë fëmija. Mos harroni ta siguroni atë për emocionet dhe vëmendjen tuaj çdo ditë. Nëse fëmija juaj tashmë është mjaft i rritur, përfshijeni në përgatitjet për mirëseardhjen e foshnjës: planet e përbashkëta, përzgjedhja e mobileve dhe gardërobës… Dhe kur të mbërrijë foshnja, transferojini atij disa nga përgjegjësitë dhe detyrimet.

Bëni një listë me emrat e foshnjave. Shkruani në letër dhjetë emrat që ju pëlqejnë më shumë. Lëreni partnerin tuaj të bëjë të njëjtën gjë. Ndërroni listat dhe kaloni një emër nga lista që nuk ju pëlqen. Vazhdoni të shkëmbeni lista derisa të gjeni disa emra që ju pëlqejnë të dyve. Flisni pse ju pëlqen apo nuk ju pëlqen një emër. Bini dakord për emrat që nuk diskutohen, si për shembull emrat e ish të dashurve ose të dashurave ose emrat që përdoren shpesh për kafshët shtëpiake.

Pini mjaft lëngje. Ju dhe foshnja juaj keni nevojë për të paktën tetë gota ujë në ditë! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat