​Burrit me Parkinson i vendoset implanti, tani ai mund të ecë 6 km pa probleme

Life style

​Burrit me Parkinson i vendoset implanti, tani ai mund të ecë 6 km pa probleme

Më: 6 nëntor 2023 Në ora: 22:32
Ilustrim

Pacienti i parë që mori një implant kurrizor për të trajtuar sëmundjen e avancuar të Parkinsonit ka ecur përsëri pas trajtimit.

Marc Gauthier (63) nga Bordo, Francë u diagnostikua me sëmundjen e Parkinsonit më shumë se 20 vjet më parë dhe pas disa kohësh pati probleme serioze me lëvizjen.

Pas marrjes së një implanti që rikthen sinjalizimin normal të shtyllës kurrizore në muskujt e këmbës, ai ishte në gjendje të ecte më normalisht dhe nuk varet më aq shumë nga ndihma e njerëzve të tjerë.

"Unë praktikisht nuk mund të ecja më pa u rrëzuar disa herë në ditë. Në disa situata, si për shembull kur hyja në ashensor, ngrija në vend, pa mundur të lëvizja fare", tha Gauthier, raporton “The Guardian”.

"Tani nuk kam frikë as nga shkallët. Çdo të diel shkoj në liqen dhe eci rreth 6 kilometra. Kjo është e mahnitshme", shtoi Gauthier.

Megjithëse ky është vetëm një studim fillestar dhe shkencëtarët duhet të kryejnë testime të gjera klinike të efektivitetit të implantit, ekipi nga Zvicra beson se teknologjia e tyre mund të ofrojë një qasje krejtësisht të re për trajtimin e problemeve të lëvizjes për ata që vuajnë nga sëmundja e Parkinsonit.

“Është mbresëlënëse të shohësh sesi me stimulimin elektrik të synuar të palcës kurrizore, në të njëjtën mënyrë siç kemi bërë me paraplegjikët, mund të korrigjojmë shqetësimet e ecjes që ndodhin gjatë sëmundjes së Parkinsonit”, tha neurokirurgu Jocelyne Bloch pranë Spitalit Universitar të Lozanës.

Sëmundja e Parkinsonit shkakton një humbje progresive të neuroneve që prodhojnë dopaminë. Rreth 90% e pacientëve me Parkinson të avancuar kanë vështirësi në ecje.

Trajtimet konvencionale, si ilaçi Levodopa, mund të përmirësojnë simptomat, por nuk mund të rivendosin plotësisht lëvizshmërinë normale.

Implanti synon drejtpërdrejt zonën e shtyllës kurrizore përgjegjëse për aktivizimin e muskujve të këmbës gjatë ecjes. Shkencëtarët fillimisht zhvilluan një hartë anatomike të personalizuar të palcës kurrizore të Marc që tregonte vendndodhjet e sakta ku bëhet sinjalizimi. Pastaj vendosën elektroda në ato vende.

Pacienti mban një sensor lëvizjeje në secilën këmbë dhe kur fillon të ecë, implanti ndizet automatikisht dhe dërgon impulse në neuronet kurrizore. Implanti ndihmoi gjithashtu në problemet e ekuilibrit dhe përfundimisht ecja e Marc i ngjante lëvizjes së njerëzve të shëndetshëm dhe jo atyre që vuanin nga Parkinson. Marc gjithashtu raportoi një përmirësim të ndjeshëm në cilësinë e jetës.

Hulumtimi u botua në revistën “Nature Medicine”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat