Zaev: Kërkohet zgjidhje me Lëvizjen Besa, identiteti nuk është i rrezikuar

Maqedonia

Zaev: Kërkohet zgjidhje me Lëvizjen Besa, identiteti nuk është i rrezikuar

Më: 10 janar 2019 Në ora: 13:14
Zoran Zaev dhe Bilall Kasami

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev sot deklaroi se ende është në bisedime me Lëvizjen Besa të Bilall Kasamit për gjetjen e formulimit teknik lidhur me shtetësinë me qëllim të sigurimit të 80 deputetëve të nevojshëm për miratimin e amendamenteve kushtetuese.

“BESA është parimisht e vendosur për këtë çështje, siç janë edhe të tetë deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit, dhe janë “të parët të cilët janë për mbrojtje të identitetit të Maqedonisë”. Thelbi i Lëvizjes BESA është që përmes formulimit të maqedonas /qytetar i RMV të mos lihet përshtypje se shqiptarët, turqit, serbët, vllehët, romët dhe të gjithë të tjerët në shtet do të jenë maqedonas. Ky është thelbi. Po kërkohen aspektet teknike për zgjidhje. Gjithsesi shtetësia është e Maqedonisë dhe ashtu do të mbetet. Për këtë nuk ka dilemë. BESA nuk kërkon të ndryshohet identiteti apo ngjashëm. Syri i zgjuar i tetë deputetëve mu këtë po e bën si edhe ne dhe deputetët e tjerë. Po punojmë që të gjendet zgjidhje për formulimet teknike si shtetësia për të gjithë të jetë maqedonas/qytetarë të Republikës së Maqedonisë Veriore, ndërkaq megjithatë, shqiptarët dhe bashkësitë e tjera etnike të mos jenë maqedonas”, tha Zaev në konferencën për shtyp pas promovimit të operatorit të autorizuar ekonomik.

Ai shtoi se maqedonasit në shtet nuk duhet të frikësohen se ndonjë parti shqiptare apo deputet shqiptar kërkon të rrezikohet identiteti.

“Të gjithë angazhohemi që ai identitet, që ishte kontestuar, përfundimisht të jetë i garantuar. Shqiptarët e bënë atë edhe në referendum edhe me mbështetjen për Marrëveshjen e Prespës, njëkohësisht edhe ne maqedonasit nuk kemi për qëllim që ndonjë ndjenjë apo përkatësi etnike  ta ndryshojmë. Ato janë vlera dhe të drejta njerëzore”, tha kryeministri.

Zaev përsëriti se numri i përgjithshëm i deputetëve të cilët do t’i mbështesin amendamentet kushtetuese do të dihet në momentin e votimit. Pret që kjo të shihet që sot apo gjatë votimit për amendamentin e parë në Kuvend.

“Përgjegjësia në fund është e deputetëve dhe besoj se do të gjejnë forca të mblidhen dy të tretat përkatësisht 80 deputetë në mënyrë që të votohen amandamentet sepse më pas pason edhe votimi në Parlamentin grek”, thotë Zaev dhe shfaqi bindje se “nëse jemi kreativë, do të gjejmë zgjidhje”.

Ai tha se nuk mundet për momentin të thotë se janë siguruar 80 deputetë, por edhe se është i gatshëm ta ndërmarrë pjesën e vet të përgjegjësisë.

“Secili duhet ta ndërmarrë përgjegjësinë për procesin. Nëse nuk ka shumicë pason Këshilli qendror i LSDM-së dhe bartja e përgjegjësisë. Vendosëm gjithçka në këtë letër. Në politikë, siç merren meritat, ashtu bartet edhe përgjegjësia. Nuk kam paragjykime, erdhi momenti i përgjegjësisë. Ose do të jemi 80 ose do të pasojë përgjegjësia”, thotë kryeministri Zaev, dhe me atë rast nënvizon se megjithatë beson dhe pret që të sigurohet shumica e nevojshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat