Kançeska-Milevska: Nuk kam votuar për shkak të kërcënimeve, vendimet i marr në bazë të analizave

Maqedonia

Kançeska-Milevska: Nuk kam votuar për shkak të kërcënimeve, vendimet i marr në bazë të analizave

Më: 15 janar 2019 Në ora: 17:12
Elizabeta Kançeska-Milevska

Ish-ministrja e Kulturës dhe deputetja në Kuvendin e Maqedonisë Elizabeta Kançeska-Milevska, pas përfundimit të seancës së sotme për rastin “Tenderët” në të cilën është e akuzuar, ka folur për procesin e votimit për ndryshimet kushtetuese.

Ajo tha se as nuk është kërcënuar e as nuk do të lejojë të kërcënohet. Kançeska-Milevska shtoi se qëndron pas vendimit për të votuar “pro” ndryshimeve kushtetuese dhe hodhi poshtë zërat se votat për ndryshimet kushtetuese janë dhënë për të bërë ndryshime në Kodin Penal, përmes së cilave ajo do të shpëtonte nga akuzat.

“Nuk do të pranoja asgjë, nuk do të lejoja që dikush të më kërcënojë, e as unë të kërcënojë dikë, në lidhje me atë që e konsideroj si interes të lartë shtetëror. Çdo kush që më njeh mirë, e di se vendimet i marrë mbi bazë të analizave serioze. Edhe një herë do të theksoj se nuk kam qenë e kërcënuar, e as nuk do të lejojë që të kërcënohem”, tha Elizabeta Kançeska-Milevska.

Ajo shtoi se pafajësinë e saj për rastet në të cilat akuzohet nga Prokuroria Speciale, do ta kërkojë përmes gjyqësorit.

Ndryshe, në seancën e sotme për rastin “Tenderët” në të cilën e akuzuara e parë është Elizabeta Kançeska-Milevska, dëshmuan dy dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria, të cilët në vitin 2011 kanë qenë të punësuar në Ndërmarrjen publike afariste për veprim me hapësirat afariste dhe publike.

Seanca e radhës për këtë lëndë është caktuar për më 25 janar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat