Xhaferi pret kryeministrin grek Tsipras

Maqedonia

Xhaferi pret kryeministrin grek Tsipras

Më: 2 prill 2019 Në ora: 17:42
Xhaferi dhe Tsipras

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot priti në takim kryeministrin grek Aleksis Tsipras, në kuadër të vizitës së këtij të fundit që po e zhvillon në vendin fqinj.

Xhaferi, duke e vlerësuar takimin si historik, i uroi të dy kryeministrat, atë të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, për guximin dhe për hapat e ndërmarra me të cilat u tejkalua kontesti me dekada ndërmjet të dyja vendeve dhe në këtë mënyrë u hap rruga për integrimin euroatlantik e Maqedonisë së Veriut, përcaktimi strategjik i shtetit dhe i shumicës së qytetarëve të saj.

“Si parlament, i mbështesim të gjitha angazhimet për shndërrimin e bashkëpunimit kontraktues në projekte konkrete, që presim të marrin në intensitet në të ardhmen”, theksoi Kryetari Xhaferi.

Ai shtoi se pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Prespës, vendoset korniza juridike e cila do të mundësojë bashkëpunim parlamentar në të gjitha bazat dhe në këtë drejtim i informoi të pranishmit për ftesën e dërguar tek kolegu i tij Nikollaos Vucis që të realizojë vizitë bilaterale në Maqedoninë e Veriut, si dhe për kërkesën e dërguar te pala greke për formimin e grupit për miqësi në Parlamentin e Greqisë me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Tsipras, duke falënderuar për mbështetjen e dhënë, theksoi se në periudhën e kaluar u miratuan vendime të mëdha dhe u ndërmorën hapa të mëdha, dhe në këtë kontekst, i uroi kryekuvendarit Xhaferi për qetësimin në mbajtjen e procedurës institucionale në lidhje me Marrëveshjen e Prespës, që e vlerësoi si proces të vështirë edhe për Kuvendin e Maqedonisë së Veriut edhe për Parlamentin e Greqisë.

“Qeveria greke ndërmori hapa për mbështetjen e proceseve eurointegruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor sepse beson se kjo është rruga që do ta sigurojë paqen dhe stabilitetin që është me rëndësi edhe për popujt e këtyre vendeve”, deklaroi Tsipras.

Kryeministri grek dërgoi urime për qeverinë e koalicionit, veçanërisht për Xhaferin si përfaqësues i elementit shqiptar në vend për përfaqësimin adekuatë të interesave të tij, si dhe në lidhje me mundësinë për shfrytëzimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat