Fjalimi i Grubit për Rekën: Elemente të gjuhës së urrejtjes dhe kundër vlerave evropiane - Bota Sot
Fjalimi i Grubit për Rekën: Elemente të gjuhës së urrejtjes dhe kundër vlerave evropiane

Maqedonia

Fjalimi i Grubit për Rekën: Elemente të gjuhës së urrejtjes dhe kundër vlerave evropiane

Më: 18 prill 2019 Në ora: 15:56
Grubi - Reka

Gjuha e deputetit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Artan Grubi në tubimin në Çair, sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut, paraqet gjuhë të urrejtjes dhe është larg parimeve të Bashkimit Evropian (BE). Përpos faktit që gjuha e urrejtjes është e dënueshme në Maqedoninë e Veriut, edhe pse vendi jonë është në fushatë zgjedhore dhe politikanët flasin gjëra të ndryshme, nuk duhet ulur niveli i komunikimit për shkaqe politike, rekomandojnë ata, shkruan Portalb.mk.

“O Blerim i biri i Hamzës, jo i Kastriotit, por i Rekës”, tha mes tjerash Artan Grubi.

Elementet kyçe të fjalimit të Grubit:

Mënyra si fjalitë janë cituar, janë pjesë e ritualit fetar të ashtuquajtur “talkin” në fenë islame, që u këndohet të vdekurve para se të futen në varr.

Hamza Kastrioti, në historinë shqiptare njihet si tradhtar i heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Hamza Reka është babai i Blerim Rekës – kandidat për president në RMV.

Për profesoreshën universitare, Drita Mehmedi, gjuha e Grubit i bën dëm Maqedonisë së Veriut dhe është kundër konceptit të Bashkimit Evropian, që sipas saj është krijuar për të bashkuar, dhe jo për të përçarë.

“Deputeti i integristëve Artan Grubi, në fjalimin e tij nuk kishte zgjedhur mjete, por kishte përcaktuar vetëm qëllimin, që është fitorja kundrejt kandidatit shqiptar, ndaj të cilit përdori gjuhën e urrejtjes duke prekur kështu edhe në familjen e tij. Mënyra e këtillë e të shprehurit nuk është në favor të shoqërisë, duke filluar prej te shqiptarët të cilët ndër shekuj kanë dëshmuar se e duan dhe e mbrojnë njëri-tjetrin, për të vazhduar kështu te partia e cila qeverisë me këtë shtet pra LSDM-ja që prej kohësh ka promovuar shtetin e të gjithëve, për të përfunduar te BDI-ja e cila gjatë gjithë fushatës ka bërë thirrje që qytetarët ti bashkohen filozofisë së tyre që çon drejt integrimit dhe BE kurse fushatën e përmbyll me tone fyese. BE-ja është një platformë që është krijuar për të bashkuar dhe jo për të përçarë, BE-ja nuk e njeh urrejtjen, BE-ja nuk e njeh fyerjen, BE-ja nuk e njeh gjuhën me të cilën flet Artan Grubi”, tha Mehmedi.

Madje për aktivisten qytetare, Diana Tahiri, gjuha e Grubit është “gjuhë e urrejtjes ekstreme”.

“Në fund të fjalimit, Grubi duke e përdorur emrin dhe mbiemrin e Blerim Rekës, duke përdorur gjuhë të urrejtjes ekstreme, duke e vendosur në kontest të ritualit të varrimit, si përshëndetje e fundit e të vdekurit”, shprehet në rubrikën e monitorimit të CIVIL – Qendrës për Liri, Tahiri.
Ajo më tej pyeti: Nëse udhëheqësia e Lidhjes Sociale Demokrate të Maqedonisë (LSDM), do të lejojë gjuhë të tillë të urrejtjes ekstreme edhe më tej?; A do të intervenojë te partneri i saj, BDI?; Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) a do të ndërmarrë masa kundër kësaj sjellje? Sektori civil dhe publiku më i gjerë a do të reagojë?

Profesori universitar dhe sociologu, Ali Pajaziti këtë mënyrë të shprehjes e sheh si rezultat të kulturës së ulur politike dhe akt i vetëshkatërrimit të vlerave tona, sepse sipas tij, është e pakuptimtë të përbuzet një figurë që ka arritur majat e piramidës sociale, profesor, ambasador, gazetar-publicist me renome.

Sa i takon formës së fjalisë së përdorur, Pajaziti shprehet se janë sulmet e ulëta të oponentëve, gjegjësisht të kandidatëve në formë të përcjelljes së një të ‎vdekuri, prekja në paraardhësit, për të cilët duhet të kemi pietet, “arnautizimi” e një pjese të mirë të ‎shqiptarëve, lidhja, analiza sipërfaqësore e mbiemrave, janë refleksione të një agresioni ndaj mendjes ‎tonë, ndaj qenies tonë si zgjedhës.

“Në veçanti rasti i këndimit me tonalitet kleriku ishte bizar, i ‎panatyrshëm, skandaloz  dhe denigrues. Fjalori i tillë është sulm ndaj habitatit të demokracisë. ‎Frikohem që mënyrat e tilla të shprehjes mos po bëhen trashëgimi e përçmueshme e politikbërjes tonë ‎si komunitet”, tha Pajaziti.

Portalb.mk ka dy ditë që ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme, por nga atje nuk përgjigjen, ndërkaq zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani tha se deri te ata nuk është denoncuar asnjë rast, dhe prandaj nuk mund të veprojë ndaj këtij rasti.

“KSHZ-ja reagon në bazë të paraqitjeve që bëhen deri te ne. Deri te KSHZ-ja nuk ka pasur ndonjë paraqitje, dhe kështu që KSHZ-ja nuk mund të veprojë. KSHZ-ja reagon, ose formulon qëndrim ndaj çdo sendi që ka të bëj me zgjedhjet, por edhe me fushatën zgjedhore. Mirëpo në KSHZ nuk ka paraqitje deri tash, nëse ka, atëherë në suazat të kompetencave të saja, do të veprojmë”, tha Shabani.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...