Zgjedhjet e djeshme, mazhoranca i gëzohet fitores

Maqedonia

Zgjedhjet e djeshme, mazhoranca i gëzohet fitores

Më: 6 maj 2019 Në ora: 15:22
Foto ilustrim

Për njërën palë demokratike dhe për palën tjetër të falsifikuara, ishin zgjedhjet e rrethit të dytë për kreun e shtetit. Presidenti i sapozgjedhur Stevo Pendarovski përsëriti zotimin se do t’u qëndrojë besnik premtimeve parazgjedhore për të qenë president i të gjithëve.

Falënderim më i madh deri te qytetarët dhe qytetaret maqedonas, shqiptar, turq, serb, vlleh, rom, boshnjak dhe gjithë të tjerët të cilët na sollën nderin, përgjegjësinë dhe detyrimin për të qenë president i të gjithave. Do të jem President i të gjithëve- tha Pendarovski.

Kreu i LSDM-së, si partia e parë që qëndroi pas Pendarovskit, zgjedhjet i quajti demokratike që i hapën rrugën vendit drejt integrimit në BE dhe anëtarësimit të plotë në NATO.

Kemi zgjedhje pafund të pastra në të dy rrethet zgjedhore. Maqedonia e Veriut tregoi kapacitete të larta demokratike. Treguam edhe njëherë se jemi të gatshëm për në Evropë. Nga sot, asgjë më nuk është njësoj. Asnjë më nuk do të mund të ndërpresë rrugën e progresit dhe perspektivës- deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-s.

Kandidatja Gordana Siljanovska Davkova bëri thirrje që opozita të konsiderohet si aktor dhe faktor i rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Për çështje të rëndësishme si ndryshimi i emrit ajo përsëriti se është i rëndësishëm konsensus.

Nuk mund të ecni përpara edhe nëse keni pas jush numër i cili u siguron fitore por një numër tjetër i madh nuk vjen pas jush, nuk pajtohet me ju, ka shumë pyetje pa përgjigje. Mendoj se fituesit duhet të mendojnë mirë për këtë- denoncoi Gordana Siljanovska.

Për opozitën maqedonase, zgjedhjet e të dielës ishin të falsifikuara. Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski kujtoi ekzekutivin se që tani do të përballen me opozitën.

Zoran Zaev dhe Stevo Pendarovski e dinë se çfarë i pret dhe çfarë do t’i ndjekë nga sot e tutje sepse po të mos i ndiqte nuk do t’i kishin ato buzëqeshje të hidhura në fytyrat e tyre. Atyre u fillon sot ferri i vërtetë politik që e ka emrin VMRO-DPMNE. Sot kishte parregullësi, shantazhe, kërcënime, presione dhe me siguri edhe gishta të shpejtë por edhe indicie për blerje-akuzoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Opozita maqedonase e konsideron veten fitues në shumë komuna dhe vlerëson se nëse do të mbaheshin zgjedhje parlamentare, ajo do të kishte numër më të lartë të mandative në Kuvend. Për dallim prej periudhës para 5 majit, VMRO-DPMNE-ja nuk e theksoi qartë kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat