KSHZ edhe zyrtarisht e konfirmoi fitoren e Pendarovskit

Maqedonia

KSHZ edhe zyrtarisht e konfirmoi fitoren e Pendarovskit

Më: 11 maj 2019 Në ora: 12:51
KSHZ

Në seancën e sotme, Komisioni Shtetëror Zgjedhor miratoi rezultatet përfundimtare të rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, sipas të cilave Stevo Pendarovski u zgjodh President i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas të dhënave të KSHZ-së, nga numri i përgjithshëm prej 1.808.131 votuesve të regjistruar, 843.508 qytetarë ose 46.65% kanë marrë pjesë në votim. Prej tyre 435.656 qytetarë votuan për Pendarovskin dhe 377.446 votuan për Gordana Siljanovska-Davkova.

“Sipas kësaj, Stevo Pendarovski është zgjedhur President i Republikës, i cili fitoi shumicën e votave nga qytetarët që votuan”, tha kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski.

Ai e përgëzoi Pendarovskin për fitoren dhe i uroi atij suksese në punën e tij. Në seancën e sotme, KSHZ, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të rrethit të dytë, miratoi një përfundim sipas të cilës janë përfunduar zgjedhjet presidenciale.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor sot do t’i dorëzojë Pendarovskit certifikatën për presidentin e zgjedhur të shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat