A është i përfshirë në rastin e Kumanovës, shefi i ri i Agjencisë së Zbulimit, ja përgjigja e tij?

Maqedonia

A është i përfshirë në rastin e Kumanovës, shefi i ri i Agjencisë së Zbulimit, ja përgjigja e tij?

Më: 23 maj 2019 Në ora: 20:18
Erolld Musliut

Emërimi i Erolld Musliut si Drejtor i Agjencisë për Zbulim nga ana e Presidentit Pendarovski e ka shqetësuar Bashkimin Demokratik për Integrim, thotë zëdhënësi integristëve Bujar Osmani.

“Informacionet tona janë se ky vendim është marrë në bazë të mungesës së informacioneve të duhura dhe jo me ndonjë qëllim të keq Presidenti”, u shpreh Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Osmani kërkoi nga Presidenti të mbledhë më tepër informacione, të reflektojë dhe ta korrigjojë vendimin e marrë. Por nga Kabineti i Pendarovskit nuk thonë se u kanë munguar informacionet për Musliun. Madje shtojnë se e kanë zgjedhur pas analizave krahasuese për kapaciteteve profesionale të të gjithë kandidatëve.

“Bëhet fjalë për profesionist të lartë i cili karrierën e tij e ka ndërtuar në vend dhe ka pasur bashkëpunim të përkryer me të gjitha shërbimet nga të gjitha vendet anëtare. Për emërimin e Erolld Musliut për Drejtor të Agjencisë për Zbulim janë informuar edhe shërbimet partnere të vendeve anëtare të NATO-s. Emërimi i Musliut është vlerësuar si pozitiv nga shërbimet e vendeve aleate”, thonë nga Kabineti i Presidentit Stevo Pendarovski.

Megjithatë Bujar Osmani e lidh emrin e Musliut me ngjarjet e Kumanovës.

“BDI vlerëson se pa u ndriçuar deri në fund ngjarjet e Kumanovës, asnjë njeri që ka qenë pjesë e shërbimit të Ivanovit nuk duhet të jetë në krye të institucioneve sensitive”, tha zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

I kontaktuar nga TV21 Erolld Musliu tha se nuk dëshiron të komentojë qëndrime të partive politike sepse është emëruar nga vetë Presidenti, ndërsa hodhi poshtë lidhjet e tij me ngjarjet e Kumanovës.

“Erolld Musliu nuk ka asgjë të përbashkët me lajmet e rrejshme të vitit 2011, as edhe me ngjarjet e Kumanovës. Politikanët duhet të informohen më mirë në Prokurorinë dhe të mos mbështeten në gënjeshtrat e briferave destruktivë që punojnë për interesa personale. Për mua si profesionist, siguria e shtetit, bashkëjetesa dhe profesionalizmi janë primare”, theksoi Erolld Musliu Drejtor i Agjencisë për Zbulim.

Për shqetësimet e BDI-së ka folur edhe Kryeministri Zoran Zaev i cili tha se emërimet janë kompetencë dhe e drejtë e Presidentit, për të cilat përgjigjet vetë presidenti. I cili sipas Zaev, mund të mos konsultohet për çështje të caktuara.

Por dje deputeti i BDI-së Artan Grubi i pyetur për emërimin e drejtorit të parë shqiptar i Agjencisë për Zbulim tha se kreu i partisë së tij Ali Ahmeti këtë çështje e ka diskutuar me Presidentin.

“Z.ahmeti ka pasur takim me z.Pendarovski dy ditë më parë dhe i kanë diskutuar të gjitha çështjet, përfshirë edhe çështjet kadrovike dhe besoj se ka qenë jashtzakonisht takim i frytshëm dhe në atë takim është diskutuar edhe kjo çështje”, potencoi Artan Grubi deputet i BDI-së.

Erolld Musliu që nga viti 1993 është pjesë e Ministrisë së Brendshme, ku kryesisht ka punuar në sektorët e inteligjencës. Në 2012-tën u caktua në pozitën e këshilltarit të drejtorit të Agjencisë së Zbulimit, me detyrë për bashkëpunim operativ ndërkombëtar të Agjencisë. E nga 2015-ta e këtej punon si ndihmës drejtor i Agjencisë së Zbulimit me detyrë për koordinim të punëve operative të Agjencisë.
 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat