Fazliu: Kemi në dispozicion 4.930.000 euro për projekt strategjik

Maqedonia

Fazliu: Kemi në dispozicion 4.930.000 euro për projekt strategjik

Më: 10 qershor 2019 Në ora: 16:49
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu, sot mori pjesë në takimin informativ për promovimin e procesit konsultativ për identifikimin e ideve për projekte strategjike në kuadër të Programit ndërkufitar midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë në kuadër të Instrumentit para-aderues-IPA 2014 -2020.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe udhëheqësi i sektorit për bashkëpunim i Delegacionit Evropian në Shkup, Nikolla Bertolini.

Ministri Fazliu përshëndeti të pranishmit në këtë event duke theksuar se ky është takimi i parë nga katër të planifikuar të cilët duhet të jenë ndihmesë e madhe për strukturat operative të të dy vendeve si dhe subjekteve të interesuara të cilët do të konkurrojnë me projekt apo projekte cilësore në suaza të këtij Programi. Aktivitetet tashmë janë në fazë të avancuar kështu që tani gjendemi para vendimeve për gjetjen e ideve të vërteta për projekte që do të jenë në të mirë të të gjithëve, theksoi ministri Fazliu.

“Në Programin për bashkëpunim ndërkufitar të Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, në dispozicion janë 4,930,000 euro. A do të absorbohen të gjitha fondet për realizimin e një ose dy projekteve strategjike do të varet nga idetë projektuese që mund të dorëzohen deri më 1 gusht të këtij viti. Duhet të kemi para sysh se kjo thirrje publike është ndryshe nga dy të mëparshmet, sepse fjala është për projekt strategjik, që do të thotë se me realizimin e tij duhet të përfitojnë më shumë njerëz. Kjo nënkupton se projekti duhet të jetë me rëndësi nacionale apo regjionale,. Fushat tematike janë të gjera, që le hapësirë për numër të madh të ideve të ndryshme projektuese. Me rëndësi është që ato të dalin nga nevojat reale të qytetarëve dhe të identifikohen përmes një procesi të gjerë konsultativ”, theksoi Fazliu.

Përndryshe, duke pasur para sysh se me këtë Program janë përshi regjioni i Pellagonisë, Pollogut dhe ai Juglindorë nga ana e Maqedonisë së Veriut ndërsa nga ana e Shqipërisë rajoni i Korçës, Elbasanit dhe Dibrës, projekti strategjik, sipas territorit, do të duhet të zbatohet në ato suaza dhe duhet të zgjidhë problemet e qytetarëve të atyre regjioneve planore. Sipas kritereve, idetë projektuese duhet të kontribuojnë për: nxitjen e turizmit dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, forcimin e konkurrencës, biznesit, tregtisë dhe investimeve, si dhe mbrojtjen e mjedisit jetësorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat