Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj Pançevskit për keqpërdorim të sistemit AKMIS

Maqedonia

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj Pançevskit për keqpërdorim të sistemit AKMIS

Më: 8 korrik 2019 Në ora: 14:25
Vlladimir Pançevski

Prokuroria Themelore Publike pas mbledhjes së gjitha materialeve dhe dëshmive verbale, sot ka dorëzuar aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Penale në Shkup, Vlladimir Pançevski.

Pançevski dyshohet se ka keqpërdorur sistemin AKMIS në gjykatë (për shpërndarjen e lëndëve tek gjykatësit), me çka ka ndikuar në mënyrën e shpërndarjes elektronike të lëndëve tek gjykatësit.

“I akuzuari me vendosjen e inicialeve të tij dhe urdhër me gojë, ka kërkuar nga nëpunësi në gjykatë, i cili ka pasur qasje në AKMIS, të shpërndajë lëndë konkrete tek gjykatës të caktuar. Me këtë veprim, i akuzuari palëve ua ka dëmtuar të drejtën për qasje të barabartë para gjykatës në mbrojtje të të drejtave dhe interesave të tyre”, thonë nga Prokuroria.

Ata shtojnë se në kuadër të procedurës parahetimore, kanë marrë në pyetje 19 dëshmitarë, edhe atë të punësuar në Gjykatën Penale, Gjykatën e Apelit, Gjykatën e Lartë dhe Ministrinë e Drejtësisë.

Pançevski ka qenë kryetar i Gjykatës Penale në periudhën kur sipas raportit të komisionit të pavarur në Ministrinë e Drejtësisë, janë vërtetuar keqpërdorime në sistemin AKMIS, gjegjësisht lëndët tek gjykatësit janë shpërndarë në dorë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat