Aparatura, pajisje dhe materiale të tjera mjekësore sot janë dhuruar nga një mërgimtar dibran për nevojat e Spitalit të Dibrës. Vlera e donacionit është mbi 35 mijë dollarë, që është dhënë nga humanisti dibran Salaudin Erbeli që jeton dhe punon në SHBA.
Drejtori i Spitalit, Baki Halili tha se donacioni përbëhet në aparate mjekësore, çarçafë, batanije dhe karroca invalidore.
“Bëhet fjalë për nga një aparat për eko dhe ekg, pesë aparate për matjen e tensionit të gjakut, 10 karroca invalidore, 15 krevate elektrike, 100 batanije, më pas çarçafë, jastëk etj. Kjo ndihmë do të kontribuojë në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në institucionin tonë shëndetësor”, ka thënë Halili, duke faleminderuar bashkëatdhetarin e tij.
Dibrani Erbeli edhe më parë ka donuar për qytetin dhe bashkëqytetarët, për çka kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, kohë më parë i dhuroi mirënjohje komunale për humanizmin e tij.