Tetova ngulfatet nga ajri i ndotur, ambientalistët kritikojnë pushtetin lokal

Maqedonia

Tetova ngulfatet nga ajri i ndotur, ambientalistët kritikojnë pushtetin lokal

Më: 23 janar 2020 Në ora: 16:31
Qyeteti i Tetovës

Për të dytën ditë me radhë, tetovarët thithin ajër katër deri në tetë herë më të ndotur nga masa e lejuar. Ajri i ndotur ka arritur kulmin mbrëmjen e djeshme, kur grimcat PM 10 arritën deri në 460 mikrogram për metër kub.

Organizatat jo qeveritare ankohen se komuna nuk ndërmerr masa kundër ndotjes, siç janë larja e rrugëve, apo ndjekja e firmave të mesme dhe të vogla që ndotin ambientin.

Përveç që nuk investohet, edhe gjana konkrete nuk janë duke u marr që nuk kërkojnë investim, inspektorati nuk punon si duhet. Dhe sigurisht se ne sërish do iu kthehemi metodave të vjetra, me aktivizim të qytetarëve dhe me protesta – tha Elmedina Abdullahi, Organizata “Nëna dhe Fëmija”.

Drejtuesi i Eko Guerillës Arianit Xhaferi kërkon që shteti ligjor të veprojë mbi funksionarët që nuk marrin masa kundër ndotjes së ajrit.

Cili është dënuar në Maqedoni për çështje të mjedisit? Ja pamë në Bullgari që Ministri i ekologjisë përfundoi në burg por kush këtu ka marr një padi penale nga gjykata apo prokuroria për problemet mjedisore. Problemi është këtu se qytetarët më kanë humbur shpresën dhe për këtë gjë çdo ditë mijëra të rinj ikin nga vendi – u shpreh Arianit Xhaferi, EcoGuerilla.

Nga komuna e Tetovës premtojnë që këtë vit do të përforcojnë masat kundër ndotjes së ajrit.

Këtë vit kemi paraparë disa masa, siç është dita pa makina, që këtë vit do zgjasë katër ditë, leje të posaçme për autobusët dhe automjetet e rënda që kalojnë nëpër qytet, pra regjim i ri i komunikacionit për këto tipe automjetesh, dhe do angazhojmë ndërmarrjen tonë komunale që më shpesh t`i lajë rrugët – deklaroi Bekim Memeti, Kryetar i Këshillit Komunal.

Komuna e Tetovës për të dytin vit me radhë, për luftën kundër ndotjes nuk ka paraparë mjete në buxhetin komunal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat