Policia e Maqedonisë do të përforcojë kontrollet për mbajtjen e maskave

Maqedonia

Policia e Maqedonisë do të përforcojë kontrollet për mbajtjen e maskave

Më: 28 maj 2020 Në ora: 08:35
Foto ilustrim

Prej dje është hequr ora policore. Por, edhe krahas lehtësimit të masave restriktive, në fuqi mbeten rekomandimet e Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë për mbrojtje nga koronavirusi.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe thotë se sistemi shëndetësor funksionon mirë, i menaxhon mirë të gjitha rastet e reja të diagnostifikuara dhe ngadalë jeta mund të kthehet në normalitet, por megjithatë, nevojitet vëmendje dhe respektim i masave. “I lehtësojmë masat restriktive, por nuk duam t’i mbushim spitalet. Në këtë rast të gjithë kemi përgjegjësi – t’i respektojmë masat. Nga të gjithë ne varet edhe shëndeti ynë individual, shëndeti i më të afërmve tanë, por edhe shëndeti kolektiv”, thekson Filipçe.

Ai paralajmëron se është e mundur valë e dytë e virusit në vjeshtë, dhe në atë rast sërish do të zbatohen masat restriktive, por, siç thotë, shteti është i gatshëm dhe disponon me kapacitet dhe pajisje shtesë në klinika.

Nga MPB paralajmëruan se edhe përkundër heqjes së masave restriktive për lëvizje, policia edhe më tej do të kryejë dhe do ta përforcojë kontrollin ndaj zbatimit të vendimeve qeveritare për mbrojtje të shëndetit dhe jetës së qytetarëve, posaçërisht për mbajtjen e pajisjes mbrojtëse dhe lëvizjes në distancë të nevojshme.

“Bëj thirrje ta ruajmë nivelin e nevojshëm të përgjegjësisë dhe disiplinës dhe t’i respektojmë masat dhe vendimet e Qeverisë për shfrytëzim të detyrueshëm të pajisjes personale, për grupim dhe mbajtje të distancës fizike. MPB mbetet e përkushtuar në kontrollin e këtyre vendimeve të Qeverisë dhe mbrojtje të shëndetit dhe jetës së qytetarëve”, porositi ministri Naqe Çulev.

Sipas evidencës së policisë, deri më tani 1973 qytetarë janë sanksionuar për mosrespektim të obligimit për mbajtje të domosdoshme të pajisjes personale mbrojtëse. Vetëm dje janë regjistruar 284 shkelje të tilla.

Ministria e Shëndetësisë kumtoi se gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 25 raste të reja me Kovid-19, tre persona ndërruan jetë ndërsa 17 janë shëruar.

Nga rastet e reja, 14 janë në Shkup, katër në Shtip, nga dy në Kumanovë dhe Tetovë, dhe nga një në Prilep, Strugë dhe Veles.

Numri i përgjithshëm i të diagnostifikuarve me Kovid-19 në vend, prej fillimit të epidemisë është 2039, numri i pacientëve të shëruar është 147-, i të vdekurve 119, ndërsa për momentin raste aktive janë 450.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat