Kuvendi ende nuk ka shpallur konkurs për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit

Maqedonia

Kuvendi ende nuk ka shpallur konkurs për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit

Më: 26 tetor 2020 Në ora: 15:33
Foto Ilustrim

Alsat mëson se edhe në takimin e sotëm koordinues mes krye parlamentarit Talat Xhaferi dhe kryetarëve të grupeve parlamentare në Kuvend nuk është diskutuar për shpalljen e konkursit publik për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit. Në koordinimin e sotëm është biseduar për çështje të tjera, si për masat anti-covid që duhet të miratohen në Kuvend, apo për rebalancin e buxhetit. Afati ligjor për shpalljen e këtij konkursi është tejkaluar. I njëjti duhet të ishte bërë më së voni në fillim të këtij muaji, pasi bazuar në Ligjin për Avokatin e Popullit konkursi duhet hapur 3 muaj para përfundimit të mandatit të atij aktual. Mandati i Avokatit të Popullit, Ixhet Memeti, skadon më 24 dhjetor. Nga rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi edhe njëherë përsërisin apelin e tyre që konkursi të hapet sa më parë dhe zgjedhja të bëhet në bazë të meritokracisë.

Konkluzioni është se kemi Kuvend, i cili vet nuk respekton plotësisht ligjet… Avokati ynë i Popullit për shkak të mungesës së pavarësisë nuk ka vullnet dhe guxim që t’u kundërvihet institucioneve në lëndë apo çështje të caktuara, kur ata shkelin ligjet. Duke u nisur nga kjo në apelojmë deri tek partitë politike që këtë herë të përzgjedhin Avokat të Popullit në bazë të meritës, përkatësisht dikë me eksperiencë në fushën për mbrojten e të drejtave të njeriut – u shpreh Dragana Drndarevska, rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi.

Ky rrjet do të kërkojë nga Ministria e Drejtësisë që të vendosë rregulla më specifike dhe më të rrepta për përzgjedhjen e Avokatit të Popullit. Sipas tyre, ligji që rregullon këtë çështje duhet të garantojë më shumë transparencë dhe inkluzivitet, pasi që ai aktual këtë çështje e lë plotësisht në duart e partive politike. Pak kohë më parë nga Aleanca për Shqiptarët dolën me qëndrim se ky pozicion duhet t’i takojë opozitës, në mënyrë që pushteti të mos e uzurpojë institucionin që sipas tyre, duhet të jetë zëri i qytetarëve. Një nga emrat e përfolur për këtë post ishte ai i kandidatit të BDI-së për kryeministër, Naser Zyberi, mirëpo nga kjo parti nuk i konfirmuan këto zëra.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat