Selektim të pacientëve për shkak të moshës? Inspektorati i Shëndetësisë në Shkup nis verifikimin

Maqedonia

Selektim të pacientëve për shkak të moshës? Inspektorati i Shëndetësisë në Shkup nis verifikimin

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 21:10
Ilustrim

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka kërkuar nga Inspektorati Shtetëror i Shëndetësisë që të kryejë një mbikëqyrje të jashtëzakonshme për verifikimin e moshës së pacientëve të shtruar në spitalin “8 Shtatori”, prej se në rrjetet sociale janë përhapur informacione ku pretendohet se janë kthyer pacientë për shkak të moshës. Informacioni se bëhet seleksionimi i të shtruarve nëpër spitale sipas moshës është përgënjeshtruar nga Drejtoria e Spitalit, kurse Inspektorati ka njoftuar Ministrin Filipçe se nga 107 pacientët, 38 janë të moshës nga 68 deri 88 vjeç.

Numri i përgjithshëm i pacientëve të shtruar nëpër Covid-qendrat e Maqedonisë së Veriut është 1291. Autoritetet e shëndetësisë njoftojnë për rreth 170 vende të lira në këto spitale.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe tre spitalet më të mëdha private në Maqedoninë e Veriut “Sistina”, “Zhan Mitrev” dhe “Re-Medika” janë dakordësuar të bashkëpunojnë në luftën kundër Covid-19. Deri në fund të javës, kapacitete të spitaleve private do të ridestinohen si klinika infektive, ku mund të trajtohen 100 pacientë. Mjekimin do ta mbulojë shteti, kurse për pacientët do të kujdeset personeli i spitaleve private.

Këtyre ditëve, për Covid-pacientët në Maqedoninë e Veriut, pritet të bëhet i kapshëm edhe ilaçi “Favipiravir” që vlerësohet si një ndër ilaçet më efikase për mjekimin e sëmundjes. Nga Agjencia për Ilaçe kanë konfirmuar se është miratuar importi i ilaçit, i cili deri më tani, kryesisht merrej në mënyrë të jashtëligjshme nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina me çmim që arrinte deri në disa qindra euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat