Regjistrimi, politikë apo statistikë?

Maqedonia

Regjistrimi, politikë apo statistikë?

Më: 15 janar 2021 Në ora: 09:56
Kuvendi i Maqedonisë

Vallë regjistrimi do të jetë operacion statistikor apo politik, ishte çështja kryesore e diskutuar nga deputetët këtë pasdite. Shumica në pushtet është e qëndrimit se projektligji që duhet të miratohet në procedurë të shkurtuar është transparent dhe objektiv, kurse opozita, duke e cilësuar atë si zgjidhje paushale dhe mjet për inxhinieri demografike dhe etnike, përsëri kërkoi tërheqjen e tij dhe hapjen e një debati të gjerë publik në mënyrë që të arrihet konsensus shoqëror.

Sipas VMRO-DPMNE-së, regjistrimi është marrëveshje politike midis LSDM-së dhe BDI-së për mbijetesën e koalicionit dhe për përmbushjen e kërkesave brenda partisë, me rezultat të paracaktuar, dhe rezultatet e marra prej tij nuk do të jenë relevante, e as nuk do të pasqyrojnë situatën reale në shtet.

Konstatimet e tilla LSDM-ja i quajti kopi-pejst replika dhe përsëri thekson se regjistrimi do të kryhet në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare. Opozita duhet ta kuptojë se ky është një operacion statistikor, jo komplot politik, tha LSDM-ja.

“Kapërceni marrëveshjet ndërpartiake në interes të qytetarëve dhe shtetit dhe tërhiqeni ligjin, mundësoni debat të gjerë publik për gjetjen e një konsensusi shoqëror mungesa e të cilit do të shkaktojë dëm afatgjatë. Regjistrimi është operacion shumë i rëndësishëm që duhet të jetë statistikor, por në vendin tonë, për fat të keq, siç është propozuar, ai tejkalon atë formë dhe kthehet në politik që do të ketë ndikim të madh në zhvillimin e ardhshëm të vendit. Kjo është arsyeja pse është i nevojshëm konsensus i gjerë shoqëror, partiak, etnik, profesional. Unë pretendoj se ajo që ju po propozoni nuk është regjistrim, por një marrëveshje politike midis LSDM-së dhe BDI-së për mbijetesën e koalicionit, për të përmbushur kërkesat brenda-partiake, me një rezultat të para-dakorduar”, tha Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.

Replikoi Dime Velkovski nga LSMD-ja me pyetje ndaj kolegut të opozitës – nëse vendi duhet të pres regjistrim edhe 20 vjet.VMRO-DPMNE edhe një herë tha se nuk është kundër regjistrimit, por kundër mënyrës së parashikuar për mbajtjen e tij.

Për fjalë u paraqit edhe Borislav Kërmov nga e Majta. Tha se ligji po shtyhet me çdo çmim.

Në këtë replikoi zëvendësministri i Drejtësisë, Agim Nuhiu.

“Në versionin e parë, vërejtjet që u argumentuan u përfshinë në tekstin e ri të ligjit. Në organet punuese të Kuvendit ne nuk i pranuam amendamentet që konsideruam se nuk kishin vend në ligj sepse ai ka parimet themelore, frymën dhe konceptin, dhe funksionalizimi do të përcaktohet nga metodologjia dhe aktet nënligjore. Ne nuk e pranuam amendamentin për hulumtimin pas regjistrimit sepse regjistrimi nuk do të përdorë metodën klasike, por atë të kombinuar. Institucionet do të na ofrojnë cilësi, të dhëna të azhurnuara”, shpjegoi Nuhiu.

Debati i cili mbahet në kuadër të seancës së 29-të kuvendore do të vazhdojë nesër në orën 12

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat