Maqedonia e Veriut do të blejë vaksina kineze "Sinofarm"

Maqedonia

Maqedonia e Veriut do të blejë vaksina kineze "Sinofarm"

Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 19:51
Ilustrim

Maqedonia e Veriut vendosi të blejë vaksina kineze të prodhuesit Sinofarm për ta filluar procesin e vaksinimit kundër koronavirusit.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe e nënshkroi të hënën marrëveshjen për furnizimin me 200 mijë doza nga Sinofarm. Vaksinat, sipas ministrisë, do të arrijnë gjatë këtij muaji, por pa caktuar datën e saktë.

Ministria thotë se ka përgatitur një plan për pranimin e vaksinave, ndërsa të dhëna më të hollësishme nuk janë bërë të ditura për shkak të përcaktimeve për ruajtjen e fshehtësisë në marrëveshje, që është një politikë globale e të gjithë prodhuesve të vaksinave.

Vaksinat e Sinofarm ruhen në temperaturë prej 2 deri në 8 gradë Celsius dhe siç thonë autoritetet shëndetësore në Shkup, ato janë të sigurta dhe efikase. Ndërkaq, sipas burimeve kineze efektshmëria e tyre është rreth 80 përqind. Planet janë që 2000 deri 2500 qytetarë të vaksinohen në ditë, duke filluar si gjithkund me punonjësit shëndetësorë, mandej të moshuarit.

Parlamenti e miratoi para pak ditësh ligjin për furnizime me barëra, përfshirë vaksinat anticovid të miratuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Qeveria pati porositur 833 mijë vaksina nga prodhuesi Pfizer për çka, sipas autoriteteve ishte bërë paradhënie, por asnjë vaksinë deri tani nuk arriti në Shkup.

Ndërkohë që numrat e të prekurve nga viursi kanë rënë në pak javët e fundit, por për çdo ditë ka nga tetë deri në dhjetë viktima dhe kur nga ana tjetër jo pak njerëz i shpërfillin urdhërat për mbajtjen e maskave e distancës, furnizimi me vaksina anticovid nga cilido prodhues qofshin duket se mirëpritet nga qytetarët e shqetësuar nga ndonjë valë e re e virusit apo varianteve të reja të tij.

Deri tani jetën e kanë humbur 2946 njerëz dhe nga 94,871 të prekurit që nga fillimi i pandemisë, 6486 janë raste aktive. Maqedonia e Veriut duket të jetë më e prekura nga virusi jo vetëm në rajon. Të hënën u bë e ditur se janë regjistuar 45 raste me variantin britanik të koronavirusit./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat