Bie shitja e automjeteve të reja në Maqedoni

Maqedonia

Bie shitja e automjeteve të reja në Maqedoni

Më: 15 mars 2021 Në ora: 18:22
Foto ilustrim

Kriza ekonomike ka ulur konsumin dhe njerëzit po heqin dorë nga harxhimi i tepërt. Njëherësh, përskaj qytetarëve – edhe biznesi është më dorështrënguar për shkak të uljes së aktivitetit.

Nuk ekziston degë dhe veprimtari ekonomike në vend që nuk është e goditur nga pasojat e pandemisë. Ajo ka prekur edhe biznesin e shitjes së veturave të reja. Nga Grupacioni i importuesve pranë Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, thonë se vitin e kaluar – për një tretën është ulur shitja në raport me vitin 2019. “Një ulje e tillë e shitblerjeve rrjedh nga pasojat e krizës ekonomike që kanë ulur konsumin dhe njerëzit po heqin dorë nga harxhimi i tepërt i mallrave që i nënshtrohen akcizës.

Njëherësh, përskaj qytetarëve edhe biznesi është më i dorështrënguar për shkak të uljes së aktivitetit ekonomik, dhe uljes së të ardhurave, andaj edhe po përmbahet nga investimet e reja”, thonë importuesit e veturave të reja. Nga atje shtojnë se me rikuperimin dhe daljen nga kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia, presin që në periudhën e ardhshme të ndërmerren masa për stimulimin e blerjes së veturave të reja, dhe sidomos atyre me ngasje elektrike.

Uljen e shitblerjes së veturave të reja e mbështesin edhe të dhënat e Drejtorisë së Doganës. Sipas tyre, në vitin 2020 janë importuar 5172 vetura të reja apo afër 1000 vetura më pak në raport me 6341 vetura të reja në vitin 2019. Në ndërkohë, të dhënat tregojnë se pandemia ka shkaktuar rënie të shitjes së veturave edhe në tërë Bashkimin Evropian për një të katërtën në vitin 2020 në raport me vitin paraprak.

Të dhënat e Shoqatës Evropiane të prodhuesve të veturave (ACEA) , tregojnë rënie të shitjes së veturave nga 13 milionë në vitin 2019 në më pak se dhjetë milion vetura të shitura në vitin 2020, si rrjedhojë e masave shtrënguese kundër pandemisë. Rënie më e madhe në vitin e kaluar me afër 43 për qind është shënuar në Kroaci, në Bulgari me afër 37 për qind, Spanjë me 32 për qind, Itali dhe Greqi me afër 30 për qind, Francë dhe Austri me afër 25 për qind, Belgjikë me 21.5 për qind dhe Gjermani dhe Holandë me nga afër 19 për qind.

Tregjet më të fuqishme në Evropë kanë shënuar rezultatet më të dobëta të shitjes në disa dekadat e fundit, ku regjistrimet e veturave kanë shënojnë rënien më të madhe në Gjermani, Britaninë e Madhe, Francë, Itali dhe Spanjë si pesë shtetet më të mëdha të shitjes së veturave tregojnë të dhënat e shoqatave industriale dhe ministrive përkatëse të transportit. Grupi tregtar i industrinë automobilistike në Britaninë e madhe dhe Shoqata e prodhuesve dhe tregtarëve( SMMT), kanë thënë se rënia e shitjes së veturave të reja në Britaninë e madhe është më e keqja nga viti 1943 apo nga periudha e luftës. Edhe sivjet pritet ulje, por më e butë e shitjes së veturave të reja. Edhe Blumberg , një nga kompanitë më serioze globale të analizës së tregut, parashikon se shitja e veturave të reja në vitin 2021 do të jetë më e ulët me 15 për qind në raport me periudhën e para pandemisë apo në raport me vitin 2019. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat