A ka marrëveshje për amnistimin e 27 Prillit?! Sela hodhi dyshime, Pendarovski flet për rigjykim

Maqedonia

A ka marrëveshje për amnistimin e 27 Prillit?! Sela hodhi dyshime, Pendarovski flet për rigjykim

Më: 3 maj 2021 Në ora: 10:47
Foto ilustrim

Pa kaluar muaji nga takimi mes kryeministrit Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski, kreu i OBRM-PDUKM-së u duk në protestat që kërkojnë lirimin e të ashtuquajturve “mbrojtës të kushtetutës”, pra të të përfshirëve në ngjarjet e 27 prillit. Kur u pyet kryeministri për pjesëmarrjen e rivalit të tij në këtë protestë, Zaev tha se kjo o është lajthitje, ose bashkëpunim. Po kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në përvjetorin e ngjarjeve hodhi dyshime se mes pushtetit dhe opozitës maqedonase ka tashmë një marrëveshje për ndonjë lloj amnistimi.

“Bashkë këta kanë amnistuar fajtorët kryesorë për 27 prillin, OBRM-PDUKM-ja, LSDM-ja dhe BDI-ja. Bashkë e shtynë regjistrimin, OBRM-PDUKM-ja, LSDM-ja dhe BDI-ja. Mos ndoshta bashkë po përgatisin skenar që gradualisht të krijojë dhe të amnistojnë terroristët, huliganët, banditët dhe vagabondët të cilët sot janë brenda këtu”, deklaroi Sela.

Kryeministri Zaev thotë se asnjëherë nuk ka biseduar për amnisti të të dënuarve për rastin e 27 prillit me liderin e OBRM-PDUKM-së, Hristian Mickovski, megjithatë gjithnjë e më shumë po përflitet i ashtuquajturi rigjykim. Për këtë dy ditë më parë foli Presidenti i vendit Stevo Pendarovski i ftuar në televizion nacional. Shprehet se mund të ketë rigjykim të rastit, në rast se ka prova të reja, ndërsa shton se aspak nuk mendon se janë terroristë ata që vetëm hynë brenda Kuvendit në natën e përgjakshme.

“Në këtë moment unë mbështes rihapjen e procesit, nëse ka prova të reja, dëshmitarë të ri të cilët do të hedhin dritë mbi ngjarjen nga një kënd tjetër që do të tregojë se nuk është ashtu siç ishte provuar në gjykimin e parë, ne mund të flasim për këtë”, u shpreh Pendarovski.

Se kualifikimi “akt terrorist” është shumë i rëndë, në 2018-tën e pohonte edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti, duke u shprehur se nuk do të ishte dakorduar me kualifikimin terrorizëm për ngjarjet e 27 prillit.

“Po të kualifikosh vepër terroriste, terrorizmi është kategoria më e rëndë… unë e kuptoj se 27 prilli ka qenë ngjarje e rëndë… por jo terrorizëm”, ka vlerësuar më parë, Ahmeti.

Gjykata Penale më 15 mars 2019 shpalli aktgjykimin për 16 të përfshirën në ngjarjet e 27 prillit. Në shkurt të këtij viti Apeli miratoi vendim ndaj ankesave dhe pjesërisht i ka konfirmuar aktgjykimit për veprën penale “Rrezikim Terrorist të Rendit Kushtetues dhe Sigurisë”, duke ua ulur për disa vite dënimet të akuzuarve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat