Dënohen tre punonjës të policisë për dhënie të paligjshme pasaportash

Maqedonia

Dënohen tre punonjës të policisë për dhënie të paligjshme pasaportash

Më: 11 qershor 2021 Në ora: 17:43
Gjykata Penale në Shkup

Gjykata Penale në Shkup dënoi të premten tre punonjës të Ministrisë së Brendshme të akuzuar për dhënien e paligjshme të pasaportave mbi dyqind shtetasve të huaj.

Faruk Buki u dënua me tre vjet heqje lirie, ndërsa Vesna Kolevska dhe Branisllava Shpishiç morën dënime me kusht – një vit burg nëse do ta përsërisin veprën penale brenda një periudhe kohore prej tre vjetësh.

Tre punonjësit, pjesë e operacionit të koduar “Sozia”, u dënuan për dhënien e pasaportave me identitet të rremë 214 shtetasve të huaj, në mesin e të cilëve persona me dosje kriminale në disa prej vendeve të Ballkanit, por edhe më gjerë, për të cilët ishin lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare.

Katër punonjës të tjerë policie, Denis Barufi, Alen Liçina, Raif Miftari dhe Gjorgje Vellkov, janë dënuar më parë për të njejtin rast me nga dy deri në dy vjet e shtatë muaj burgim.

Sipas autoriteteve shtetasit e huaj ishin pajisur me pasaporta dhe identitete të shtetasve të Maqedonisë së Veriut nga muaji qershor 2017 deri në fund të vitit 2020. Sipas vlerësimeve, të akuzuarit kishin përfituar një shumë prej më tepër se 1 milion eurosh nga shpërdorimi i detyrës.

Gjykatësja Olja Ristova u ndaloi të dënuarve të ushtrojnë funksione publike për një periudhë prej dhjetë vjetësh.

Askush nga zyrtarët e lartë të Ministrisë së Rendit nuk ka marrë përgjegjësi për këtë skandal. Opozita maqedonase, e drejtuar nga VMRO-DPMNE, si dhe ajo shqiptare, Aleanca dhe Alternativa (ASH-AA) kanë kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Zoti Spasovski është shprehur se nuk ka ushtruar asnjë ndikim dhe se përkundrazi rasti ishte ndjekur për muaj të tërë dhe se opozita maqedonase kishte vënë në rrezik hetimet. Një mocion votëbesimi në parlament i ngritur nga ASH-AA para pak javësh kundër ministrit Spasovski nuk arriti ta shkarkojë atë nga detyra./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat