Aleanca për Shqiptarët bënë thirrje: Nxënësve u kërkohen para për dëftesa

Maqedonia

Aleanca për Shqiptarët bënë thirrje: Nxënësve u kërkohen para për dëftesa

Më: 13 qershor 2021 Në ora: 14:18
Foto ilustrim

Aleanca për Shqiptarët njoftuan se shumë nxënës dhe prindër gjatë këtyre ditëve kanë denoncuar se nga ata janë kërkuar para për dëftesat.

“Duke ditur se ligji në fuqi dhe njoftimi i fundit i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) thonë se dokumentacioni i fundvitit sigurohet nga Byroja për Arsim, atëherë ne si Aleancë publikisht pyesim: Kush po i plaçkit nxënësit tetovarë dhe prindërit e tyre? Prej cilës qendër vijnë urdhrat që atyre përsëri t’u merren para? Ne e kemi të qartë se viktima të këtyre skemave janë edhe mësuesit, arsimtarët dhe profesorët tetovarë të cilët dikush i vë në situata të vështira dhe pikë së pari kërkojmë mirëkuptim për ta, që edhe ashtu janë të shkelur nga mospagesa e punës shtesë gjatë pandemisë”, thuhet në njoftimin e MASH.

Ata shtojnë se viktima janë edhe nxënësit dhe prindërit e Tetovës, të cilët pas shpenzimeve të shumta për të siguruar pajisje kompjuterike, telefona dhe internet, tani detyrohen të paguajnë edhe për dëftesa.

“Ju bëjmë thirrje atyre drejtorëve të korruptuar, nga partia e korruptuar në pushtet BDI dhe të emëruar nga kryetarja më e dobët në historinë e Tetovës, Teuta Arifi, që urgjentisht të ndalojnë këtë formë të ulët të korrupsionit e keqpërdorimit. Këta funksionarë po i paralajmërojmë që tani se nëse prej sot e tutje dëgjojmë edhe një rast të vetëm të këtij fenomeni, nuk do të hezitojmë t’i publikojmë me emra, mbiemra dhe fotografi të gjithë ata që po plaçkisin familjet tona dhe ushtrojnë presion mbi mësimdhënësit”, thonë nga ASH.

Ata i bëjnë thirrjet Inspektoratit për Arsim që të kryejë të paktën një herë të vetme detyrën dhe të ndëshkojë keqbërësit.

“Dëftesat me ligj janë të siguruara falas, andaj të dashur nxënës, prindër dhe mësimdhënës të respektuar : Mos heshtni, denonconi çdo tentim për vjedhje, plaçkitje e korrupsion të Tetovës, që t’i luftojmë bashkë këto dukuri, të cilave së shpejti, në tetor të këtij viti edhe zyrtarisht do t’ju vijë fundi! Në këtë betejë Aleancën do ta keni përgjithmonë në anën tuaj, kundër krimit, korrupsionit, vjedhjes dhe plaçkitjes në të gjitha format”, thuhet në fund të njoftimit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat