Partitë politike kanë përgjegjësi të veçantë në zgjedhjen e kandidatëve për Zgjedhjet lokale

Maqedonia

Partitë politike kanë përgjegjësi të veçantë në zgjedhjen e kandidatëve për Zgjedhjet lokale

Më: 10 shtator 2017 Në ora: 11:11
Foto ilustruese

Sipas profesorit universitar Osman Kadriu partitë politike kanë përgjegjësi dhe relevancë të veçantë  në sigurimin e kandidatëve të aftë dhe me kapacitete të mjaftueshme për të udhëhequr me pushtetin lokal, duke veçuar dy kritere të rëndësishme të cilat sipas tij janë garancë se posti do të ushtrohet me përgjegjësi.

“Kriteri i parë është, se duhet të respektohet kapaciteti ose përgatitja konkrete për profesione konkrete që të jenë të dalluar në punën që e kryejnë dhe kriteri i dytë që është mjaft i rëndësishëm ndërsa më së paku respektohet në shoqërinë tonë dhe në Maqedon, në veçanti të jenë të ndershëm, pra me ndershmëri dhe moralitet ta ushtrojë këtë post. Në qoftë se këto dy kritere respektohen atëherë do të mund të presim të kemi kandidatë me kapacitet të duhur”, shprehet profesori universitar Osman Kadriu.

Me që bëhet fjalë për zgjedhje vendore, partitë politike, gjegjësisht kandidatët e tyre duhet të ofrojnë program konkret të përshtatur për nevojat e qytetarëve dhe jo të përqëndrohen në politika që nuk janë në kompetencat e tyre.

“Partitë politike në fushatë parazgjedhore duhet të dalin me program të veçantë, jo atë program dhe detyra që duhet të kryhen në nivel të shtetit nga ana e deputetëve por duhet të përqëndrohen në veçanti në interesat e qytetarëve të cilat ato duhet t’i realizojnë në nivel lokal prandaj edhe programet parazgjedhore duhet të ofrojnë premtime që janë të realizueshme në nivel lokal”, shprehet profesori universitar Osman Kadriu.

Kadriu vazhdon duke thënë se kandidatët janë vetëm propozime të partive politke ndërsa vendimin meritorë e sjell vota e popullit.

Por sipas tij me rëndësi është që zgjedhësit të jenë mirë të njoftuar me programet që do t’i ofrojnë kandidatët e emëruar, pëndryshe sërish partitë mund të ballafaqohen me dështimin e politikave kadrovike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat