Reforma urgjente në Lidhjen e Sindikatave, kolltuku apo të drejtat e punëtorëve

Maqedonia

Reforma urgjente në Lidhjen e Sindikatave, kolltuku apo të drejtat e punëtorëve

Më: 28 tetor 2017 Në ora: 18:32
Lidhja e Sindikatave

Grindjet e fundit ndërmjet sindikalistëve dëshmojnë qartë se në ndërtesën e LSM-së, qëmoti nuk ka interesim për të drejtat e punëtorëve, komentojnë sindikalistët.

Tani ata grinden se kush do të vijë në vendin e ish kryetarit të LSM-së Zhivko Mitreskit, thotë për TV21 sindikalisti Marjan Risteski. Sipas tij, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë duhet rrënjësisht të reformohet me kudër të ri të sindikalistëve të cilët do të luftojnë për të drejtat e punëtorëve.

“Sipas meje, Lidhja e Sindikatave duhet të reformohet rrënjësisht. Ky është i vetmi sistem i pareformuar që ka mbetur nga sistemi komunist i ish Jugosllavisë. Pra, fajtor nuk ka qenë as Vanço Muratovski dhe as Zhivko Mitreski. Fajtorë nuk mund të jenë vetëm ata, ndërsa lojtarët e tjerë vetëm ta ndërrojnë dresin dhe përsëri të ngjiten si bletët pas mjaltit”, tha Marjan Risteski, konfederatat e organizatave të sindikale.

Mosmarrëveshjet e fundit në LSM vijnë në një kohë kur duhet të zgjedhet kryetari i ri i sindikatës. Aktualisht, ushtrues detyre i kryetarit të LSM-së është Darko Dimovski i cili është edhe kandidati i vetëm për të qenë në krye të saj, pasi Peco Grujevski nuk i përmbushi kushtet. Rregullat thonë se kandidati fillimisht duhet ta ketë mbështetjen e degës së sindikatës nga e cila vjen, e më pas të mbështetet edhe nga një e treta e shoqatave sindikaliste pranë LSM-së apo nga 6 sindikata shtesë. 

Sipas informacioneve, Grujevski ka marrë mbështetje edhe sindikata, kryetar i së cilës është Mitreski. Për këtë arsye, sindikalistët e tjerë konsiderojnë se Peco Grujevski ka bërë pazar me ish liderin e LSM-së Mitreskin. Por Gruejevski këto akuza i hedh poshtë dhe shprehet se pikërisht ai ka luftuar më së shumti për shkarkimin e Mitreskit nga funksioni.

Në vitet e fundit, nën drejtimin e Zhivko Mitreskit, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë solli disa ligje që sipas liderit të atëhershëm, ishin të një rëndësie historike për përmirësimin e të drejtave të punëtorëve, si p.sh. nënshkrimi i marrëveshjeve kolektive, ligji kundër mobingut në vendin e punës dhe ligji për pagën minimale. Por, ata që e shkarkuan Zhivko Mitreskin nga funksioni i kryetarit të Sindikatës, deklarojnë se këto ligje nuk zbatohen në praktikë, por se kanë mbetur vetëm në letër.

Kjo periudhë turbulente rreth karriges sindikaliste po zgjat tanimë një kohë të gjatë. Fillimisht, ish lideri Mitreski i përjashtoi katër sindikatat nga ndërtesa e LSM-së që nuk pajtoheshin me punën e tij. Më pas, nga të dy palët filluan të dorëzoheshin padi kundër njëra-tjetrës, që në fund, Gjykata Supreme dhe Gjykata Administrative të marrin vendim se Mitreski më nuk është në krye të LSM-së. Të gjitha paqartësitë duhet të zgjidhen më 11 nëntor, kur në kongresin e LSM-së, që do të mbahet në Ohër, do të zgjedhet kryetari i ri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat