Flasin analistët, a do të ketë krizë të re politike në Maqedoni?

Maqedonia

Flasin analistët, a do të ketë krizë të re politike në Maqedoni?

Më: 31 tetor 2017 Në ora: 13:48
Ilustrim

VMRO-DPMNE nuk i njeh rezultatet, nga kjo parti këto zgjedhje i cilësojnë si kriminale, sepse, sipas tyre, vullneti i qytetarëve u vodh kryesisht nga kërcënimet, presionet, ryshfetet dhe abuzimet e institucioneve, por nuk do t’i kthejë mandatet e pesë kryetarëve të komunave që i fitoi, shkruan tetovapress.com

“Nuk ka arsye pse të kthehen mandatet e kryetarëve të VMRO-DPMNE-së që fituan në këto zgjedhje dhe në këto kushte, sepse në këtë mënyrë vetëm se mund t’i ndihmohet Zaevit dhe LSDM-së në realizimin e planit të tyre dhe të kenë pushtet absolut që pastaj ta kenë më lehtë tregtinë me interesat kombëtare “, thotë zëdhënësi, Ivo Kotevski. Nga ana tjetër publikimi i rezultateve të rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni, ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë te blloku politik shqiptar, shpallja e fitores së Ramiz Merkos në Strugë, parashtrimi i ankesave kundër tij nga Ziadin Sela për parregullsi zgjedhore dhe “mundësia e veprimit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor si institucion partiak pas shqyrtimit të ankesave të Selës”, do të sjellë mundësinë e shqyrtimit të ASH-së që të mbetet parti opozitare. Të gjitha këto siç duket janë parakushte për një krizë të re politike në vend, por politikologu Xhenis Sulimani, në një prononcim për TetovaPress, thotë se rezultati i zgjedhjeve lokale nuk mund të jetë shtysë për krizë të re politike, pasi interesat lokale të partive dallojnë nga ato qendrore, që nënkupton se jo domosdoshmërish koalicionet në pushtetin qendror të jenë të njëjtat automatikisht edhe në pushtetin lokal. “Mendoj që nuk mund rezultati i zgjedhjeve lokale të jetë shtytëse për krizë të re politike në Republikën e Maqedonisë.

Koalicionimet në lokale kanë dalluar nga ato qendrore, por kjo është krejt normale në kushte demokratike. Nga ana tjetër interesat lokale të partive ndërrojnë nga ato në nivele më të larta, që nënkupton se jo domosdoshmërish koalicionet në pushtetin qendror të jenë të njëjtat-automatikisht- edhe në pushtetin lokal. Te lokalet fiton individi, shpesh diferencën e bën integriteti i kandidatit dhe jo partia, prandaj nuk duhet të merren rezultatet dhe koalicionet me inate si tendencë për një krizë të re. Qeveria duhet të funksionojë njëjtë si ka funksionuar deri tash dhe të jetë e përpiktë në atë që është zotuar.”, thotë për TetovaPress, politikologu Xhenis Sulimani. Kështu nuk mendon analisti politik, Bujar Plloshtani, i cili thotë se imponimi i vetë kryeministrit Zoran Zaev dhe me disa presione nga aparati shtetëror ndikoi në vullnetin e shumicës shqiptare, me këtë gjest Zoran Zaev u bë edhe fenomen që solli me vetëdije ndasitë në shoqërinë tonë dhe kriza e re politike po troket me gjasë te dera. 

“Zgjedhjet lokale të tetorit kryesisht mund të cilësohen si një lloj “fronti” i kurdisur i pushtetit që ishte ndoshta edhe cak përjashtimi politik i dy liderëve shqiptar që arritën sadopak të bashkonin shqiptarët për të sjellur pak rotacion politik brenda këtij 15 vjeçari politik në kampin shqiptar. Vullneti i shumicës shqiptare u ndryshua me imponimin e vetë Zaevit dhe me disa presione nga aparati shtetëror në dëm të koalicionit shqiptar “Aleanca me Besë”. Sipas informacioneve mund të them se shumë vëzhgues të Organizatës CIVIL janë detyruar të tërhiqen nga detyra e ngarkuar, pasi presioni dhe kërcënimi ishte i evidentuar. Kjo tregon se pushteti përmes kyçjes direkt të Zaevit në fushatë i shpalli “front” krahut tjetër politik dhe kjo gjë trgoi se liderët Ziadin Sela dhe Bilall Kasami për oponentë në komuna nuk patën Ramiz Merkon dhe Teuta Arifin, por vetë kryeministrin Zoran Zaev dhe një pushtet të tërë. Mendoj se Zoran Zaev tashmë do të ndodhet brenda një fronti ndaj shqiptarëve dhe përballë dy liderëve shqiptarë Ziadin Selës dhe Bilall Kasamit. Zaev u bë fenomen që solli me vetëdije ndasitë në shoqërinë tonë dhe kriza e re politike po troket me gjasë te dera.

Fronti i hapur mes Zaevit dhe Selës do të jetë në një betejë e fortë që do t’i kushtojë vendit një krizë të re politike në prapavijë, dhe ndoshta kjo “qeveri reformatore” që mori në qershor bekimin për t’u zotuar, tashmë është absurd të themi se mund të jetë e tillë, kur para syve kemi një Zaev që punoi pas shpinës për të fituar diktati i ri i përjashtimit politik në vend.”, thotë për TetovaPress, analisti politik, Bujar Plloshtani. Ndërsa gazetari dhe analisti, Urim Saliu, thotë se kurrë s’mund të thuash se në Maqedoni nuk ka krizë politike.Ajo është serike.Këtë e vërtetojnë zgjedhjet e panumërta të parakohshme që është një tregues i qartë se si po zhvillohen gjërat në politikën kryeneqe, por sipas tij në këtë realitet politik të krijuar pas zgjedhjeve lokale më mirë do të ishte që të konsolidohen partitë politike, pasi shikuar në një spektër më të gjërë, zgjedhjet e parakohëshme parlamentare nuk shkojnë as në dobi të opozitës maqedonase, pra VMRO-DPMNE-së, e as në dobi të partive politike shqiptare. 

“Por në këtë realitet të ri pas zgjedhjeve lokale më mirë është që të konsolidohen partitë . LSDM është e dehur nga fitorja absolute dhe në këto rrethana asaj më shumë se cdokujt tjetër i përshtaten zgjedhjet Parlamentare të jashtëzakonshme.Ajo përballë ka një VMRO që ka humbur fuqinë dhe aq më tepër kur ajo do ketë përplasje ditëve të ardhshme me atë se kush do drejtojë këtë subjekt maqedonas sepse reformatorët që janë shfaqur brenda kësaj strukture do kërkojnë edhe dorëheqjen e Gruevskit.Ky i fundit në betejën t’a ruajë pozicionin e tij apo të përgatisë strukturat partiake për t’a kthyer forcën në parti, do t’a ketë të vështirë ose thuajse të pamundur. Zgjedhjet për momentin nuk i konvenojnë as VMRO-së dhe as partive shqiptare sepse LSDM tashmë do t’i fitonte aq bindshëm zgjedhjet sa mospërfillja e saj ndaj partive shqiptare do të rritej skajshëm.

Partitë maqedonase në momentin kur janë fitues absolut, atëherë bëhen të ashpra me subjektet shqiptare.Zaev është duke luajtur në këtë kartë.Në mënyrën më perfekte ne emër të reformave, qytetarisë dhe ndryshimeve, arriti të futet edhe në terrenin shqiptarë por edhe t’a diktojë atë.Te subjektet shqiptare poashtu duhet një bashkëveprim në kohë në zgjedhjet tjera kurdo që të mbahen dhe poashtu partitë duhet edhe të rifreskohen me struktura të reja ndërsa duhet të bëjnë gjithë analizat se cilët njerëz ia vlen të mbeten në struktura partiake dhe cilët duhet të shkojnë varësisht peshës së tyre .”, thotë për TetovaPress, gazetari dhe analisti, Urim Saliu. Përndryshe, pas shpalljes së rezultateve të rrethit të dytë zgjedhor, Arben Taravari, ka thënë se ende ASH nuk ka ndërtuar qëndrim për të mbetur apo jo në qeveri, kjo do të vendoset pasi të analizohen rezultatet e fundit zgjedhore. Ndërkohë kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka thënë se nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, që tani do të dihen rezultatet. Lidhur me shumicën në Kuvend, Zaev ka thënë se beson se shumica në Kuvend do të rritet, por edhe se kjo nuk do të thotë kalim nga një parti politike në një tjetër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat