Ziberi: Referendumi nuk është i detyruar në Marrëveshjen e Prespës

Maqedonia

Ziberi: Referendumi nuk është i detyruar në Marrëveshjen e Prespës

Më: 5 shtator 2018 Në ora: 20:37
Naser Ziberi

Rezultati i referendumit konsultativ nuk do të jetë i detyrueshëm për vendimin që do ta marrë organi kompetent, në këtë rast Kuvendi i RM-së, vlerëson analisti Naser Ziberi një ditë pas deklaratës së kreut të Kuvendit Talat Xhaferi për kompetencat e mëtejshme të institucionit që ai drejton, në rast se referendumi nuk ka sukses. Ziberi rithekson se referendumi nuk ka qenë obligativ në marrëveshjen e arritur me Greqinë por është bërë vullnetarisht nga pala jonë.

 Referendumi nuk është i obligueshëm dhe nuk është element konstitutiv i vetë marrëveshjes. Në nenin 1 pika 4 thuhet se marrëveshja do të hyjë në fuqi pasi të ratifikohet nga të dy Parlamentet dhe pasi Republika e Maqedonisë të ketë kryer ndryshimet Kushtetuese. Që do të thotë elementet konstitutive për hyrjen në fuqi të marrëveshjes me Greqinë, janë ratifikimi i ligjit për marrëveshjen dhe ndryshimet Kushtetuese. Pala jonë vullnetarisht ka deklaruar se dëshiron që të organizojë referendum, referendum i cili në bazë të vendimit të Kuvendit do të jetë konsultativ. Që d.m.th nuk do të jetë i detyrueshëm për vendimin që do ta marrë organi kompetent në këtë rast Kuvendi i RM-së, qoftë për hyrjen në fuqi të ligjit apo për ratifikimin e marrëveshjes apo ndryshimet Kushtetuese që burojnë nga marrëveshja me Greqinë- deklaroi juristi Naser Ziberi.

Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi një ditë më parë bëri me dije se pavarësisht kostos së fushatës për referendumin dhe rezultatin e tij, përsëri janë institucionet janë ata që do të vendosin për Marrëveshjen me Greqinë, në emër të qytetarëve.

Abstenimi nënkupton dhënie të drejtë institucionit që e ka zgjedhur që në emër të tyre të vendosë dhe të vazhdojë me vendimmarrje- tha Talat Xhaferi – Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë.

Krye parlamentari Xhaferi gjithashtu bëri me dije se Ligji për gjuhët është çështje e kryer dhe se kanë përfunduar të gjitha procedurat e duhura për hyrjen e tij në fuqi.

Çështja e kërkesës për Ligjin për gjuhët në afatin e duhur dhe në kohën e duhur u miratua nga institucioni përkatës si shumicë parlamentare dhe si Parlament. U rivotua edhe njëherë pas mos dekretimit të kryetarit të shtetit dhe me atë gjë çështja e miratimit të ligjit është përmbyllë- theksoi Talat Xhaferi – Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë.

Nga ana tjetër juristi Ziberi vlerëson se Ligji për Gjuhët nuk mund të hyjë në fuqi pa nënshkrimin e presidentit Ivanov, ose të paktën pa gjetur ndonjë instrument juridik i cili e mundëson një gjë të tillë, e sipas të cilit, ende nuk është gjetur një hapësirë e tillë ligjore.

Akti i nënshkrimit të dekretit të Ligjit nuk është çështje që varet nga Parlamenti dhe kryetari i Parlamentit, por nga Presidenti i shtetit. Deri sa nuk gjendet një instrument i cili do të jep bazë juridike për tejkalimin e kësaj situate, nuk mund të themi se sot ose nesër Ligji do të shpallet në gazetën zyrtare, si kusht për hyrjen në fuqi të të njëjtit- shtoi Naser Ziberi.

Për të shmangur keqpërdorimet e mundshme të mjeteve të ndara për fushatën, Parlamenti si institucion iniciues i referendumit, ka krijuar trup koordinues i cili do të merret me mbarëvajtjen e procesit të referendumit të kryesuar nga vetë kryetari Talat Xhaferi i ndjekur nga kryetarët e komisioneve parlamentare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat