Zaev në paraqitjen e fundit përmend edhe shqiptarët, ja çka premton - Bota Sot
Zaev në paraqitjen e fundit përmend edhe shqiptarët, ja çka premton

Maqedonia

Zaev në paraqitjen e fundit përmend edhe shqiptarët, ja çka premton

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 22:26
Zoran Zaev

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev nga përmendorja “Makedonium”, për të fundit herë ka bërë thirrje që të votohet “për” në referendum pasi që sipas tij, ajo mundëson ardhmëri të mirë për të rinjtë, stabilitet ekonomik dhe siguri më të madhe në Maqedoni.

“Ju, qytetarët e keni çelësin që ta bëni shtetit tonë anëtare të shtëpisë evropiane”, tha Zaev.

Kryeministri Zaev ka vlerësuar se ai do të votojë në referendum, që maqedonasit, shqiptarët, turqit, serbët, romët, boshnjakët, vllahët, dhe komunitetet tjera të kenë jetë të mirë dhe prosperuese, dhe se me votën “për” trasohet ardhmëria euroatlantike e Maqedonisë.

“Unë do të votoj, për të mirën e fëmijëve tanë. Për shtet të qetë dhe të sigurt, që maqedonasit, shqiptarët, turqit, serbët, romët, boshnjakët, vllahët, dhe të gjitha komunitete tona, të jetojnë jetë të mirë dhe prosperuese. Të dielën votoni edhe ju. Vota juaj e cakton drejtimin e Maqedonisë. Vendosin ata që do të votojnë. Nëse shumica e votave janë “për”, ne e trasojmë përgjithmonë rrugën drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Të dielën, vota juaj do ta përcaktojë ardhmërinë tonë dhe ardhmërinë e shtetit tonë. Tash është koha për vendim. Hajde të bëhemi bashkë siç ishim para 27 vjetësh. Hajde ta shtyjmë shtetin tonë drejt ardhmërisë së ndritshme. Bashkë, “për” Maqedoni evropiane”, tha Zaev.

Kryeministri Zaev u tha qytetarëve që ta mbajnë mend, se vota më 30 shtator, nuk është zgjedhje mes dy partive politike, por zgjedhje e ardhmërisë së Maqedonisë.

“Të dielën do të përballeni me vendim historik. Duhet të bëni zgjedhje. Mbajeni mend, ajo nuk është zgjedhje mes dy partive politike. Ajo është zgjedhje e ardhmërisë suaj, e ardhmërisë së fëmijëve tanë. Ajo është zgjedhje e ardhmërisë së të dashurës sonë Maqedoni”, tha më tej Zaev duke kujtuar datat e rëndësishme historike të Maqedonisë, për të cilat tha se “siç ishin atëherë qytetarët e bashkuar, ashtu duhet të jenë edhe më 30 shtator”.

“Kjo përmendore, Makedoniumi na përkujton se kombi maqedonas gjithmonë e ka bërë zgjidhjen e duhur. Në vitin 1903, në kohën e Kryengritjes së Ilindenit. Në vitin 1941 luftën nacionalçlirimtare, kur doli ballë për ballë me Evropën, kundër fashizmit. Më 8 shtator të vitit 1991, zëshëm sollëm vendim në referendum, për Republikë të Maqedonisë së lirë, të pavarur dhe sovrane. Prej atëherë dhe këtej, nuk janë realizuar të gjitha aspiratat tona. Ëndrra jonë për Maqedoni evropiane dhe anëtare të NATO-s. Sot, realizimi i asaj ëndrre, i asaj aspirate, është afër. Më 30 shtator, secili prej nesh duhet të vendos tullë në ndërtimin e ardhmërisë së Maqedonisë më të mirë. Të ndihmojmë të bëhemi anëtare e aleancës më të sigurt, NATO-s, dhe pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev edhe njëherë ka deklaruar se identiteti, gjuha dhe shkrimi maqedonas janë të mbrojtura me marrëveshjen e nënshkruar në Prespë.
Përndryshe, më 10 shtator zyrtarisht filloi fushata për referendumin, bartës i të cilës është Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Në fushatën e Kuvendit ishin të kyçur 71 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të partisë opozitare të VMRO-DPMNE-së.

Referendumi do të mbahet më 30 shtator, të dielën dhe në të qytetarët e Maqedonisë do të përgjigjen në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera