Amnistia për dhunën e 27 prillit 2017 nuk kaloi në Kuvendin e Maqedonisë

Maqedonia

Amnistia për dhunën e 27 prillit 2017 nuk kaloi në Kuvendin e Maqedonisë

Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 16:18
Foto ilustrim

Propozim ligji për amnistinë e personave të dyshuar, të akuzuar dhe të dënuar për ngjarjet  e 27 prillit të vitit 2017 në Kuvendin e Maqedonisë, të parashtruar nga VMRO-DPMNE-ja, nuk fitoi shumicën e duhur që të vendoset në rendin e ditës më seancën e 66-të plenare të Kuvendit.

Paraprakisht Nevenka Stamenkovska nga VMRO-DPMNE-ja tha se me këtë propozim ligj përfshihen të gjithë personat për të cilët tashmë është  marrë vendim gjyqësor i shkallës së parë, por ende nuk  është marrë vendimi nga gjykata, si dhe personat që  përndiqen për rrezikim terrorist të rendit kushtetues të RM-së dhe personat që janë përfshirë me akuzë për pjesëmarrje në turmë etj.

“Ligji parashikon pajtim kombëtar për të gjithë që morën pjesë në ngjarjet e 27 prillit, e jo pajtim selektiv siç dëshiron të bëjë kryeministri Zaev dhe shumica parlamentare përmes të ashtuquajturit Komision për Pajtim”, tha Stamenkovska duke i ftuar të gjithë deputetët  e shumicës parlamentare të japin përkrahjen  për ligjin për amnisti dhe përfundimisht të  përfundojnë ndarjet në shoqërinë e Maqedonisë duke e kthyer vendin në rrugën normale dhe duke u përqendruar në problemet e vërteta të cilat i shqetësojnë qytetarët.

Nuk ishte pranuar as propozimi i Nikolla Micevskit, koordinatorit të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së për tërheqjen e Ligjit për tatimin e të ardhurave personale dhe Ligjit për kontribute nga sigurimi i përbashkët social, me procedurë të shkurtuar.

Mes pikave të tjera të kësaj seance janë edhe Propozim ligji për plotësim dhe ndryshimin e Ligjit për preparate veterinare-mjekësore në lexim të dytë, Propozim ligji për furnizime publike, si dhe ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për ilaçe dhe mjete mjekësore, Ligji për mbrojtje shëndetësore, Ligji për standardin e nxënësve dhe Ligjin për automjete, të gjitha në lexim të parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat