Zhaklina Dhimojani: Shumë nga politikanët e sotëm janë shoqja e shkollës, shoku i lagjes, miku i fëmijërisë

Mediale Vip

Zhaklina Dhimojani: Shumë nga politikanët e sotëm janë shoqja e shkollës, shoku i lagjes, miku i fëmijërisë

Më: 12 gusht 2019 Në ora: 18:55
Zhaklina Dhimojani

U largua nga Shqipëria si aktore dhe kthehet si politikane. Për Zhaklina Dhimojanin, pozicionimi i saj me Shqipërinë ka dy anë medaljeje: atë të kohës si artiste kinemaje me rolin ikonik “Mimoza llastica” dhe atë aktual si investitorja e Himarës, që në zgjedhjet e 30 qershorit u votua anëtare e re e Këshillit Bashkiak në listën e Partisë Socialiste.

Një artiste që bashkë me kapërcimin e kufirit në vitin 1990, ndryshoi edhe statusin e profesionin për t’u kthyer në vendlindje me ide të qarta. Për jetën që ndan mes Zvicrës ku jeton me bashkëshortin, Stefanin, e vajzën, Alexi-n, dhe Shqipërisë ku jetojnë ende prindërit, synimit në shndërrimin e Himarës në një model turizmi dhe ambiciet në politikën shqiptare, Zhaklina flet për herë të parë në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Një status i yti në “Facebook”, ku flisje për largimin e një lundrueseje të braktisur në molin e Himarës, tërhoqi vëmendje. Çfarë është kjo nismë personale?

Ju falënderoj për vëmendjen. Kjo nismë personale është shprehja e raportit që unë kam me të bukurën dhe me të kundërtën e saj. Nga ana karakteriale, qasjes sime aktive kundrejt çdo fenomeni i shtohet natyrshëm vullneti për t’u përfshirë në zgjidhjen e tij. Kjo është njëra shtysë. Arsyeja tjetër që bëri që kjo lundruese e abondonuar prej shumë muajsh të më vërë në pozitat e punës, është sensibiliteti im ndaj çdo problematike që i përket ekosistemit. Rasti i lundrueses ishte një gërshetim problematikash të reflektueshme ndjeshëm te turizmi si sektori i vetëm e që siguron të ardhura për gjithë zonën e bregdetit.

Ndërkohë, ke fituar postin e këshilltares bashkiake në Bashkinë e Himarës, pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Si lindi ideja për t’u bërë pjesë e pushtetit lokal në Shqipëri, ndërkohë që prej vitesh jeton jashtë?

Sinqerisht, unë nuk jam një njohëse e mirë e politikës shqiptare, por kam kuptuar mirë se përfshirja në politikë, mundëson që ti të bëhesh e dobishme për ata që besojnë te ty. Dua të shpjegohem: prej vitesh, kontribuoj në Himarë në pajisjen me materiale motorike kryesisht në sektorin e zjarrfikëses, sektor që sheh të punësuar 13 persona, për të cilët është siguruar gjithashtu edhe aftësim profesional, me kurse të organizuara nga ana ime dhe e bashkëshortit tim. Por dëshira ime është që ky impenjim të vazhdojë në kohë. Përfshirja ime në qeverisjen vendore, besoj unë, do të më japë një titull, me të cilin kërkesat, përçapjet e mia përpara një donatori potencial, do të kenë më shumë mundësi të realizohen.

Fakti që je pjesë e Këshillit Bashkiak, do të thotë se rezidenca jote tashmë do të jetë në Himara, pra si do të ndryshojë jeta jote?

Vitet e fundit vij shumë shpesh në Shqipëri, sepse këtu jetojnë prindërit e mi. Por tani e tutje do kem një takim fiks.

E dimë që jeta jote publike ka nisur si aktore kinemaje dhe tani pas kaq vitesh mund të themi se je pjesë e politikës. Cila është filozofia jote në këtë terren të egër dhe çfarë ambiciesh të tjera ke?

Ata që më njohin, njohin mirë edhe humanizmin, altruizmin që më karakterizon. Dikush thotë që jam idealiste. Unë them se jam një person që karakterizohem nga ndenja e së drejtës nga të qenit e drejtë mbi të gjitha. Këto janë karakteristika që çdokush që bën politikë, politikë në dobi të një grupi, duhet absolutisht t’i posedojë. Natyrisht, politika, sidomos në Shqipëri nuk është gjithmonë habitati ideal për njerëz të drejtë, por besoj se edhe aty, ndershmëria në raund të fundit është “the winner”.

Synimi yt kryesor është mbrojtja e mjedisit dhe ruajtja e ekosistemit. Në ç’aspekte të tjera do të ndihet ndihmesa apo vizioni yt në Himarë dhe si cili vend turistik në botë do të doje të bëhej pas zhvillimit?

Pa dyshim, impenjimi im në mbrojtjen e ambientit dhe ekosistemit do jetë parësor dhe konstant. Por kjo s’do të thotë aspak, që do jem më pak aktive në problematikat kulturore, artistike dhe ato të rolit të gruas. Do të doja që turizmi në Shqipëri t’i ngjante të paktën Sllovenisë (vend që e kam vizituar shpesh) e që deri pak dekada më parë ishte vetëm Ballkan, por sot është model turizmi.

Po familja jote si e priti vendimin për t’u kthyer në Shqipëri si pjesë e politikës?

Familja ime, duke njohur dëshirën e madhe për të kontribuar, nuk mund të ishte veçse dakord.

Meqë largimin e lundrueses e bëre me shpenzimet e tua, mund të të konsiderojmë një investitore?

Pse jo?

Sa afër je politikanëve dhe me cilët prej tyre ke komunikim direkt?

Shumë nga politikanët e sotëm në Shqipëri për mua janë shoqja e shkollës, shoku i lagjes, miku i fëmijërisë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat