Protesta, “Lëvizja për Universitetin”- rrënjët e saj arsimore, ekonomike, politike dhe si refuzim për demagogjisë

Opinione

Protesta, “Lëvizja për Universitetin”- rrënjët e saj arsimore, ekonomike, politike dhe si refuzim për demagogjisë

Nga: Skender S. Kapiti Më: 27 dhjetor 2018 Në ora: 08:12
Skender S. Kapiti

Edhe njëherë për “Lëvizjen për Universitetin”.

Duhet një sqarim dhe një mirëkuptim edhe për ata të cilët mendojnë, pyesin  dhe thonë se përse studentët refuzojnë dialogun me kryeministrin e Shqipërisë.

Ata refuzojnë dialogon me Kryeministrin dhe ky refuzim i tyre është i justifikuar dhe i motivuar moralisht si: Refuzim kundër hipokrizisë, mashtrimit dhe demagogjisë së politikës antiuniversitare dhe antipublike të tranzicionit, ashtu siç duhet refuzuar e mohuar e gjithë elita politike dështake, establishmenti politik i kriminalizuar  dhe  i korruptuar e këtij tranzicioni. Kjo Lëvizje është e vetmja shpresë pasi vetëm ajo duke qenë e pastër nuk ka nevojë për VETTING, dhe si e tillë ajo është e padëshirueshme nga të gjitha elitat politike të partive  politike shqiptare por sidomos nga PS, PD e LSI, pasi qënia e tyre në pushtet i ka diskredituar ato rëndë sepse ato  kanë konsumuar edhe krimin politik, elektoral, hajdutëritë, vjedhjet,abuzimet, korrupsionin dhe të gjitha mashtrimet.Prandaj duhet një politikë e re antipolitike kundër dhe për ta sfiduar  establishmentin  politik aktual.

Ajo që vihet re është jo vetëm fakti se politika përpiqet që ta shfrytëzojë e manipulojë këtë protestë, por deri më tani në një linjë me politikën qoftë me pozitën apo me opozitën jane edhe shumica e mediave politike dhe  mercenare  në Shqipëri me qëndrimet e tyre indiferente, spekulative, në përpjekjet e tyre për ta paraqitur këtë Lëvizje si spontane e rastësore,në përpjekje për ta demoralizuar hovin e protestës , për ta dobësuar e përçarë atë me qëllim për ta penguar shtrirjen gjithkombëtare të saj.  Kjo pasi mediat në Shqipëri, në shumicën  e tyre janë apendisite, leva dhe mjete  të kësaj elite politike të tranzicionit të cilat lëvizin nga njëri krah politik te tjetri sipas interesit të ngushtë përsonal dhe korruptiv të tyre.

Që rrënjët e protestës janë socio-ekonomike, kjo të bind për faktin se shumica e studentëve që protestojnë  vijnë nga familje të cilat mezi sigurojnë mbijetesën, vijnë nga shumë nga ato familja prindërit e të cilëve edhe po qe janë të punësuar, ata janë të punësuar të varfër si shumica e të punësuarve dhe e të vetëpunësuarve në Shqipëri me paga dhe me të ardhura të ulta, madje ata studentë janë nga ata të cilët edhe nuk besojnë  te universitetet private për seriozitetin dhe për  cilësinë e marrjes së dijeve, si dhe tjetra se  për këta studentë janë të papërballueshme tarifat e larta universitare. Studentët që studiojnë në Universitetet shtetërore kanë bindjen se aty ka një përkushtim dhe interesim të duhur edhe shteti i cili duhet të ketë prioritet kombëtar mirëarsimimin dhe mirëedukimin e të rinjve pasi e ardhmja u përket atyre.

“Lëvizja për Universitetin”  është në antitezë politike me të gjithë klasën politike pa përjashtuar asnjë parti politike, është në antitezë me  elitën apo me këtë kastë e klikë politike shqiptare e cila në realitet nuk është e interesuar për arsimin e bijve dhe bijave të popullit shqiptar, pasi politika dhe politikanët shqiptarë  nuk e kanë aspak problem financiar shkollimin e fëmijve të tyre në Universitetet  jashtë Shqipërisë dhe sigurinë e punësimit të fëmijve të tyre në administratë, pushtet dhe në politikën shqiptare. Prandaj kjo elitë e keqe politike është edhe antistudentore dhe antiuniversirtare pasi kjo elite mbi gjithçka ka interesin e ngushte politik personal, familjar e korruptiv.

Kjo Lëvizje ka marrë karakter kombëtar sepse edukimi dhe arsimimi është gjithpërfshirës dhe pëfshin çdo familje shqiptare fëmijët e së cilave kërkojnë arsimimin dhe studimin universitar në Universitetet e Shtetit. Konkretisht sot kjo Lëvizje e studentëve është në kundërshti me Qeverisjen e Edi Ramës, e cila është qeveri partnere me të pasurit, me oligarkët  dhe e koncensionarëve të cilëve pothuajse gjithçka dhe gati edhe shtetin  ua ka dhëne atyre  me koncesion. 

Kjo protestë i ka rrënjët arsimore sepse është ngritur edhe kundër korrupsionit universitar, kundër manipulimeve dhe spekulimeve dhe kundër stafit akademik të paaftë ,duke kërkuar edhe VETTING për ta. Është protestë politike sepse në kohët e sotme të modernitetit e të globalizmit ashtu sikurse ligji dhe demokracia e lufta kundër korrupsionit , problematikat kryesore me të cilat merret politika dhe pushteti janë ashtu si ekonomia dhe shëndetsia, prioritare është edhe edukimi dhe arsimimi, dhe përderisa  studentët ngrihen për arsimin, ata ngrihen dhe zgjidhjen e plotësimin e kërkesave të tyre tarifore, strehimore, të ushqimit  dhe për mirëarsimimin atëhere ato pashmangshmërisht  janë kërkesa politike.

Dhe vazhdojmë të pyesim pra se përse  rinia studentore, nuk pranon dialog  me Kryeministrin Rama?

Mospranimi i protestuesve apo refuzimi që ata  bëjnë prej më shumë se dy javësh proteste që të mos dialogojnë me Kryeministrin Rama ka shumë arsye.

Ata nuk dialogojnë me të  sepse kërkojnë   plotësimin e 8 kërkesave të tyre të cilat janë minimumi që ata kërkojnë. 

Por realisht shkaku kryesor apo rrënjët e kësaj proteste  janë social-ekonomike, dhe patjetër edhe arsimore dhe detyrimisht e pashmangshmërisht edhe politike. Kjo gjëndje ka precipituar e tillë edhe sot si rezultat i akumulimeve dhe të dështimit politik, demokratik dhe ekonomik e arsimor i të gjitha politikave të gabuara antipublike të elitës politike të tranzicionit në Shqipëri.

Studentët nuk pranojnë dialog sepse ligji  për Universitetin  dhe kushtet e studentëve janë në gjëndje mizerabël. Por më kryesorja se përse studentët nuk e pranojnë Kryeministrin në bisedime është fakti se ata nuk kanë asnjë fije besimi më te ky kryeminister, pasi tashmë është publikisht tepër i konsumuar dhe diskredituar si arrogant, i pabesë, keqbërës, i papërgjegjshëm dhe si mashtrues publik.

Veprimin e dëshpëruar që bën aktualisht kryeministri Edi Rama duke u futur i paftuar nëpër salla të universiteteve në përpjekje për të biseduar me studentët që protestojnë sot të sjellin ndëmend edhe Sali Berishën e viteve 1996-97 i cili mundohej të bindëte qytetarët shqiptarë gjithandej Shqipërisë për të justifikuar piramidat financiare në Shqipëri ,por që pati efekt të kundërt: pati rritjen e  protestave popullore dhe si rezultar i mashtrimeve dhe të kokëfortësisë së Berishës , President i asaj kohe, Shqipëria rrëshqiti në anarkinë me pasoja katastrofike të viteve 1997.

 A mos duhet të ndodhë edhe tani kjo me protestat e studentëve , nëse nuk ka marrë mësim Kryeministri Rama se populli ,shoqëria dhe rinia studentore nuk mund të tolerojnë pushtetin antipublik dhe mashtrimet e tij.

Pra, gjëndja politike ngjason me vitet 1996-1997 ku edhe atëhere u manipuluan dhe u vodhën zgjedhjet dhe arriti kulmin edhe pakënaqësia gjithpopullore, por edhe aktualisht problemi kryesor demokratik janë zgjedhjet me vota të blera dhe ku pakënaqësia jo vetëm e studenteve por e gjithë vegjelisë, e shtreses se mesme dhe pjesëvë të tjera të saj ka arritur kulmin. Atëhere, në vitin 1997  protestat fillimisht dukeshin si jo politike dhe thirrja ishte “duam paratë tona”, por që protestat shpejt kaluan  thellesisht në politike e që prej tyre erdhën edhe zgjedhjet e parakohshme.

Edhe sot protestuesit kërkojnë plotësimin e 8 kushteve të tyre dhe duken si kërkesa jopolitike por që ato 8 kërkesa janë të vështira për t’u realizuar nga një pushtet i kapur nga pjelljet e shumë “vështirësive”, hajnive dhe të korrupsioneve  të tij,  pasi ato 8 kërkesa janë të ndërlidhura me plagët e rënda që janë shkaktuar shoqërisë shqiptare edhe sot prej  papunësinë, varfërinë, krimit , korrupsionit, drogës  dhe me koncensionet korruptive që e kanë rrënuar buxhetin dhe falimentuar  shtetit. Pra rrënjët e kësaj Lëvizje studentore janë edhe shoqërore, edhe ekonomike ,edhe pashmnangshmërisht politike.

Mjaft më, nuk ecet më me justifikimin se për të gjitha të këqijat të akuzohen  paraardhësit, komunizmi e enverizmi vetëm sa  për të mashtruar.

Ja, ka afro 30 vite që komunizmi ka rënë, por nuk shpëtoi Shqipëria edhe pse komunizmi iku, pasi  erdhi dhe u vendos korrupsioni dhe anarkia.

Ishte atëhere një tirani, por pas shembjes se tij dolën dhe vegjëtuan shumë tiranë dhe shumë intrigantë, tradhëtarë , mashtrues, hajdutë e zullumqarë; erdhën dhe e kapën shtetin shumë aventurierë egoistë ,injorantë, halabakë  dhe lakmitarë të pashpirt dhe të pangopur për pasuri, për para dhe për pushtet të  cilët nuk njohin as kod moral, as kod fetar, as kod kombëtar dhe as  nuk kanë asnjë fije ndjesi dhe as skrupull.

Fatkeqësisht shumica prej  të këtillëve edhe në Kosovë i volën dhe i korrën frytet e sakrificave të shqiptarëve për liri, pavarësi dhe për shtet kombëtar edhe atje.

Prandaj rinia e sotme studentore e pjekur moralisht, intelektualisht, demokratikisht dhe patriotikisht nuk pranon të dialogojë as me pushtetin dhe as me opozitën, por proteston në emër të drejtësisë, proteston me tolerancë, paqësisht dhe në mënyrë të denjë e të kulturuar dhe me guxim duke sfiduar korrupsionin universitar, papërgjegjshmërinë dhe padrejtësinë politike të pushtetit qeverisës.  Është më se e motivuar moralisht , politikisht, demokratikisht e kombëtarisht që kjo “Lëvizja për Universitetin” të marrë përsipër edhe misionin politik: atë të konkurimit politik për të marrë pushtetin me votë të lirë duke sfiduar elitën politike dështake të derimësotme e cila ka marrë peng shtetin, shoqërine ,arsimin, zhvillimin dhe integrimin e vëndit. 

Një Lëvizje e tillë politike me po një mision dhe vizion të tillë duhet të lindë edhe në Kosovë si sfidë edhe atje kundër establishmentit politik dështak të derimësotëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat