Letër e hapur Vladimir Putinit dhe Aleksandar Vuçiqit - Bota Sot
Letër e hapur Vladimir Putinit dhe Aleksandar Vuçiqit

Opinione

Letër e hapur Vladimir Putinit dhe Aleksandar Vuçiqit

Rexhep Torte Nga Rexhep Torte Më 21 janar 2019 Në ora: 11:08
Aleksandar Vuçiq dhe Vladimir Putin

Mediat serbe dhe ndërkombëtare më datë 17 janar 2019  i dhanë jehonë të madhe vizitës së Vlladimir Putinit, presidentit të Rusisë në Serbi. Edhe nikoqiri Aleksandër Vuçiq edhe mysafiri Vlladimir Putin këtë vizitë e quajtën  si shumë të suksesshme  që i shërben thellimit të marrëdhënieve vëllazërore mes dy popujve të tyre. Putini para mediave deklaroi se do ti  qëndrojë  përkrah Serbisë ekonomikisht, ushtarakisht e ndekombëtarisht, si  edhe lidhur me çështjen e Kosovës. Ndërkaq Vuçiq falenderoi vllaun e tij rus duke u shprehur se Serbia është e hapur ndaj Kosovës për të gjetur një kompromis të përbashkët dhe se çështja me Kosovën nuk do të zgjidhet pa përfshirjen  e Rusisë.

Këtë vizitë po ta vëmë në dioptri të një analize do të arrijmë në përfundim se as Putini dhe as Vuçiqi nuk ia duan të mirën Ballkanit dhe thjesht janë nën ndikimin e egos së tyre të sëmurë për konflikte dhe hegjemoni. Mos shkojmë shumë larg  por  të përqëndrohemi në Kosovë dhe në luftën e fundit që u zhvillua këtu të provokuar e  nxitur nga Serbia. Atë që Putin e arrijti duke e pushtuar Krimenë   me siguri shpreson që këtë mund ta arrijë edhe Vuçiqi në Kosovë-

Zotërinj Putin dhe Vuçiq, duket se  po mendoni mirë për veten tuaj por harroni fare se kjo që po mendoni  është në dëm të shqiptarëve dhe të paqes së përgjithshme në Ballkan. Ballkanit i kanë ardhur në majë të hundës Carët rusë e Kralët serbë, si edhe  Leninat, Stalinat, Hrushovët e Jelcinët  rusë, dhe se nga ndikimet  e tyre në Ballkan më së shumti kanë pësuar shqiptarët. Ju të dy e dini fort mirë çfarë tmerresh bëri Serbia ndaj shqiptarëve në Kosovë e çfarë tragjedishë të  përgjakshme i shkaktoi Serbia Kosovës në vitet  1998\99, duke e shkrumuar  e shkatërruar Kosovën, duke  vrarë  15 mijë shqiptarë kosovarë , duke dhunuar 18 mijë femra shqiptare dhe duke detyruar një egzod  të afër 1 milion shqiptarëve për të shpëtuar jetën nga sulmet serbe.

Pal Lekaj, ish deputet  nga Gjakova para disa vitesh në një debat në parlamentin e Kosovës  ku flitej për krimet serbe në Kosovë para të pranishëmve u shpreh se, “ Një nënë gjakovare e përvëluar thellë në shpirt më rrëfeu se si ushtarët serbë kishin hy në oborrin e shtëpisë së saj dhe ia kishin rrëmbyer vajzën e vetme 15 vjeçare. Vajza duke qarë i ishte drejtuar nënës ta ndihmojë. Nëna ishte  vërsulur   mbi ushtarët serbë për ta shpëtuar vajzën, e kishte mbërthyer vajzën për koke për ta shpëtuar, por ushtarët serbë nënën e  kishin hudhur për toke dhe ishin larguar  me vajzën e saj të rrëmbyer. Nënës  i kishin mbetur në dorë vetëm disa qime  të flokëve të vajzës të cilat i ruan edhe sot e kësaj dite. Kjo nënë vajzën e vet  nuk e pa më kurrë”. Çfarë mund ti themi kësaj nëne ose  mijëra nënëve tjera që patën raste të ngjashme.

Mendja e shëndoshë nuk mund  ta kuptojë se çfarë kompromisi Serbia dëshiron të arrijë me Kosovën për të mbetur e kënaqur,  pas të gjitha këtyre  masakrave, dhunimeve, krimeve shtazarake e mizorive  të kryera  në Kosovë. Shqiptarët dhe Ballkani duan paqe, prosperitet zhvillimi në të gjitha sferat e  jetës dhe marrëdhënie të mira me të gjithë  popujt e tjerë, por këtë garanci dhe siguri e ofron vetëm Perëndimi dhe NATO, dhe jo Rusia e Serbia.

Zotërinj Putin dhe Vuçiq, është e ditur se serbët  në Ballkan kanë ardhur në shekullin e  6-të  nga Karpatet, edhe atë  pikërisht në trojet ku kanë jetuar Ilirët, pasardhësit e të cilëve janë  vetëm shqiptarët dhe askush tjetër. Ekzistojnë shumë dokumente historike se serbët  kufijtë e tyre i kanë zgjeruar me sulme të përgjakshme, me vrasje, plaçkitje  e djegie sidomos ndaj shqiptarëve. Në këtë mënyrë serbët e kanë pushtuar edhe Kosovën edhe një pjesë të madhe të territoreve tjera shqiptare me qëllim që të dalin  gjer në Detin  Adriatik. Ka  qenë doktrinë ruse e serbe, doktrinë e Carëve rusë dhe e Kralëve serbë, e ndjekur edhe nga Garashanini dhe  Qubrilloviqi, që në vendet e okupuara të trojeve shqiptare  toponimet vendase menjëherë  të  zëvendësohen me toponime serbe, që në këto vende të okupuara shqiptare të vendosen shkolla  serbe, të ndërtohen  kisha dhe manastire  megalomane  me pasuritë e plaçkitura , siç ka ndodhur në Kosovë, ku sot e kësaj dite në Kosovë  jetojnë  vetëm 5 përqind e populllataës së entitetit serb e që i gëzon të drejtat më shumë se çdo pakicë tjetër në botë. Shqiptarët nuk vajtën në Beograd dhe kryen atje krime ndaj populllatës serbe, por ishin serbët ata që e okupunan Kosovën dhe kryen krime e masakra ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Image

Të dhënat historike flasin se mbreti Bardhyl ishte  themeluesi i mbretërisë Ilire në shekullin e IV para Krishtit dhe kjo mbretëri shtrihej nga Trieshta e gjer në Gjirin e Artës në jug. Të dhënat historike tregojnë se para 2500 viteve  mbreti Bardhyl sundonte territorin ku sot ndodhet Beogradi, dhe se në këtë territor  para 2500 viteve  është folur gjuha  ilirishte pasardhëse e së cilës është gjuha shqipe.

Zotërinj Putin dhe Vuçiq, kam shkruajtur e botuar shumë tekste dhe po e përsëris edhe njëherë në këtë letër të hapur që po ua drejtoj  juve të dyve, se në Hartën e Enciklopedisë Ruse të vitit 1817, shihet sa ka qenë Serbia e vogël, sa Sanxhaku i Beogradit, të cilin e kanë okupuar serbët  në shekullin e 6-të me ardhjen e tyre nga Karpatet. Ky faksimil i hartës së Enciklopedisë Ruse të vitit 1817, tregon qartë kufijtë realë të Serbisë në periudhën e viteve   1804, 1810, 1812, 1815, 1820, 1867 që janë shënuar në brendinë e kësaj harte. Kjo hartë e Enciklopedisë Ruse hedh poshtë  atë që thonë serbët  se  Kosova me shekuj paska qenë e Serbisë.

Zotërinj Putin dhe Vuçiq, po e përsëris edhe  njëherë për tua përkujtuar  argumentin  më bindës  edhe lidhur me  Dibrën,  të cilën për qëllime okupuese serbët e kanë djegur tri herë duke plaçitur miliona franga ari, stoli, orendi dhe bagëti, sepse Dibra asokohe ka qenë krahinë shumë e pasur me bujqësi, ekonomi dhe tregëti shumë të zhvilluar, dhe e gjithë kjo plaçkë  është  dërguar në  Beograd, duke e detyruar popullatën dibrane  të largohet për në zonat e thella  shqiptare për tu shpëtuar plumbave dhe bajonatave serbe. Për këtë lulzim ekonomik e kulturor të Dibrës asokohe  thuhej, “ po qe se digjej Stambolli mund ta rindërtojë Dibra, ndërsa po të digjej Dibra nuk mund ta rindërtonte dot Stambolli”.

Zotërinj Putin dhe Vuçiq,  kufiri i tanishëm i  Dibrës u vendos qysh  në  Kongresin e Berlinit në vitin 1878, në Konferencën e Ambasadorëve  në Londër në vitin 1913 dhe në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1920  kundër vullnetit të banorëve të këtushën që u detyruan të shkëputen nga shteti amë Shqipëria. Lidhur me këto ngjarje tragjike për dibranët gjatë vendosjes së kufirit në Krahinën e Dibrës, nuk u zbatua as konfiguracioni natyror dhe as as vullneti njerëzor e politik i dibranëve.

 Shkrimtarja amerikane Rous Uajder Lein në vitet e 20-ta  të shekullit 20-të, në librin e saj “Majat e Shalës”,shkruan se “Qyteti i Dibrës iu muar Shqipërisë  me vijën kufitare të vitit 1913, siç nxirret sythi i një patateje”.

 Ndërkaq Dimitrije Tucoviq në librin “ Serbia dhe Shqipëria”, duke përshkruar gjendjen e krijuar në viset e aneksuara nga Serbia, shkruan  se, ”aneksimi ndau bujkun prej arës, bagëtinë prej kullotës, tufën prej lugjeve,fshatin prej mullirit,blerësin dhe shitësin nga tregu,rrethin prej qytetit dhe tërë viset malore prej qendrës së tyre ekonomike e hambarët e ushqimit, burimet e jetës u prenë”.

Kështu ndodhi edhe me viset e tjera shqiptare  që pa dëshirën e tyre u ndanë nga shteti amë  vetëm për shkak të pretendimeve okupuese dhe hegjemoniste Serbisë dhe sot i takojnë Maqedonisë dhe Malit të Zi, ndërkaq  Shqipëria si pasojë e kësaj padrejtësie sot duket si  një molle e kafshuar nga të gjitha anët.

Zotërinj Putin dhe Vuçiq, Këto plagë që Serbia ua shkaktoi shqiptarëve lëngojnë edhe sot e kësaj dite ku shqiptarët nuk janë të barabartë me popujt e tjerë shumicë në shtetet ku jetojnë dhe nuk i gëzojnë as të drejtat dhe liritë elementare njerëzore edhe pse  jetojnë në trojet  denbabaden shqiptare.

 Nuk ekziston asnjë dokument apo gjurmë historike që shqiptarët të kenë okupuar as edhe një pëllëmbë toke të huaj, por përkundrazi janë serbët ata që kanë  shkaktuar luftëra të përgjakshme, siç ishin   luftërat  në shekullin e 20-të  në Kroaci, Bosnjë e  Hercegovinë dhe në Kosovë, ku serbët ishin ata që shkaktuan  vrasje, djegie, dhunime maramendëse dhe gjenocide ndaj popullatës së pafajshme, gjithnjë për ti zgjeruar kufijtë e Serbisë, gjithnjë duke  e ringjallur doktrinën serbe edhe nëpërmjet Sllobodan Millosheviqit, Dobrica Qosiqit dhe Akademisë së Shkencave të Serbisë, se kufijtë e Serbisë do të shtrihen deri atje ku jeton edhe një serb i vetëm. Serbia me ndihmën e Rusisë e themeloi edhe Republika Serpksa në Bosnjë e Hercegovinë, që nuk është  gjë tjetër veçse plagë kanceroze për këtë rajon dhe kandil i ndezur për konflikte tjera në të ardhmen. Ngjashëm po synoni të veproni edhe me komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës. Kjo është pasqyrë e politikës agresive që ndjekin Rusia dhe Serbia edhe sot e kësaj dite.

Zotërinj Putin dhe Vuçiq, të dhënat flasin se Serbia është shtet që vetëkënaqet. Serbia e gënjen veten se është e fuqishme, gjë që nuk është e vërtetë. E gënjen veten se ka 10 milionë serbë, gjë që nuk është e vërtetë, sepse nuk i ka as 5 milionë si pasojë e natalitetit të vogël dhe se gjithnjë ia bashkangjit vetes edhe humngarezët e Vojvodinës, boshnjakët e Sanxhakut, romët etj. E gënjen veten dhe opinionin se dëshiron  të aderojë në BE, ndërsa mendjen dhe zemrën e ka te Rusia. Serbia e gënjen veten dhe opinionin duke  e dëshiruar BE-në vetëm për benefitet e jo për obligimet, duke menduar të qëndrojë   në dy karige, me njërën  në BE dhe  me tjetrën  në Rusi, gjë që nuk mund të realizohet. Në popull nga përvoja ka mbetur shprehja se “asnjë njeri nuk mund ti mbajë dy shalqinj nën një sqetull”.

Zotërinj Putin dhe Vuçiq, shumë e qëlluar  ishte protesta më datë 6 janar 2019 por edhe e viteve më parë e gjakovarëve shqiptarë  kur nuk e lejuan pelegrinazhin serb në kishën orthodokse në Gjakovë. Me këtë gjakovarët shprehën revoltën e tyre për krimet serbe në Gjakovë dhe se këto krime nuk do të harrohen kurrë. Kishat orthodokse serbe në Kosovë  po përdoren për ti provokuar shqiptarët, për tua pezmatuar edhe më shumë  plagët për të afërmit e vrarë e të zhdukur,  e jo për qëllime thjeshtë fetare. Pelegrinazhi i mirfilltë fetar duhet të kryhet nga njerëz me bindje të  plotë e të sinqertë fetare, me zemër e shpirt  të pastër, e jo nga personat  me duar të gjakosura  me gjakun e shqiptarëve. Në të gjitha masakrat e krimet serbe në Kosovë nuk dëgjuam as edhe një fjalë të vetme kritike qoftë nga Patriarku Irinej – kreu i Kishës orthodokse të Serbisë, qoftë nga ndonjë klerik tjetër orthodoks serb, apo edhe nga ndonjë qytetar i rëndomtë serb. Kriminelët serbë që  i kanë duart e përlyera me gjakun shqiptar në Kosovë shëtisin lirshëm në Beograd e gjetiu, ndërkaq Gjykata Speciale në kosovë ngfen aktpadi ndaj ushtarakëve shqiptarë të UÇK-së, të cilët luftuan për të mbrojtur  familjet e tyre  në pragun e shtëpisë nga vrasësit serbë. Këta ushtarakë shqiptarë bënë një luftë të ndershme e çlirimtare dhe  mbi bazën e kodeksit  të luftës. Nuk mund të vëndoset një një rafsh  Serbia agresore me Kosovën viktimë.

Zotërinj Putin edhe Vuçiq, Serbia në vazhdimësi përpiqet ta frikësojë Kosovën edhe pse  Kosova tashmë është shtet i pavarur, ka ushtrinë e saj, ka shumë miq të fuqishëm, është e sinqertë në rrugën e saj drejt BE-së e NATO-s, e ka shtetin amë  Shqipërinë anëtare të NATO-s, si edhe faktin   që në Ballkan jetojnë më shumë se 6 milionë shqiptarë që në rast nevoje bashkohen si një grusht i vetëm kundër cilitdo armik. Çdo tentim që mund ta provojë Serbia për ta rrezikuar Kosovën do ta pësojë rëndë në të gjitha aspektet. Serbia duhet tia vë gishtin kokës dhe të merr mësime nga e kaluara e afërt. Kosova është shtet i pavarur e sovran, dashamirëse e dëshmuar e paqes. Serbisë nuk i mbetet gjë tjetër veçse ta forcojë   fqinjësinë e  mirë dhe të  sinqertë me Kosovën.

Zotërinj Putin dhe Vuçiq, për të mirën tuaj dhe të paqes në Ballkan, larg duart nga Kosova e cila është e larë me gjakun shqiptar, se ndryshe do ti digjni duart edhe ashtu të  përlyera me gjak.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...