Njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit

Opinione

Njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit

Nga: Sherif Ramabaja Më: 22 janar 2019 Në ora: 07:40
Sherif Ramabaja

Ditët e fundit politikanët e Kosovës i janë nënshtruar presionit ndërkombëtar për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe. Javët e para ishin entuziaste dhe filluan të krenoheshin se cili e kishte propozuar i pari vendosjen e taksës. Tash kur presioni erdh duke u rritur filluan edhe përçarjet dhe rirreshtimet e ndryshme për një vendimmarrje, pro dhe kontra.

 Mendimet e tyre, politikanët kryesorë filluan t`i shfaqin përmes mediave. Kjo don të thotë se filluan ta shfajësonin veten nga vendimi i tillë dhe të diferencohen nga politika e qeverisë. Thënë thjesht, deklaratat e tilla tregojnë hendekun dhe përçarjen që mbretëron në kreun e shtetit. Kjo ngjall frikë në opinionin e gjërë, se çfarë po ndodh me shtetin tonë dhe çka do të bëhet ?

 Përçarjet, polarizimet dhe kundërshtimet deri në mos durim, na kanë sjellur në një fazë kritike. Shtrohet pyetja kush është kompetent dhe kush e ka fuqinë e veprimit në këto momente delikate dhe vendimtare për Kosovën? Presidenti si duket i bie gozhdës dhe deklaron ashtu si i teket, pa u kordinuar me qeverinë. Planet e veta kohën e fundit po i shpalos vetëm përmes konferencave të shtypit. Fitohet përshtypja se ai e ka ndërprerë tërësiht bashkëpunimin me qeverinë e shtetit. Kërkesat e tij, pastaj komentohen nga kreu i qeverisë, apo edhe demantohen në mënyrë indirekte. Me këtë po i shpallin luftë njëri tjetrit në rrafshin shtetëror dhe ndërkombëtar, duke bërë përpjekje, sidomos presidenti, për të fituar përkrahjen e qendrave të vendosjes.

 Opinionit vendas si duket nuk i kushtohet rëndësi, sepse ai është i pafuqishëm për të vepruar.

 Opozita është tërësisht e degraduar dhe e pafuqishme për të bërë ndryshime. Ndoshta është edhe frika e madhe për të marr përgjegjësitë për fazën finale të dialogut, mungon lidershipi, apo dallimet esenciale me presidentin e vendit, apo shpërfillja ndaj tyre. Sidoqoftë ikja nga përgjegjësia dhe shikimi anash, se ç po ndodh me të ardhmen e vendit, nuk mund të arsyetohet dhe nuk do të falet.

 Kur krerët politik në Kosovë kishin probleme dhe dallime esenciale, zakonisht ndërhynte shteti amë dhe përpiqej t`i afroj palët. Kjo formë te shqiptarët fatkeqësisht nuk është treguar efikase, sepse ne kemi sukses më tepër në relacionin me të huajt, kurse vetëveten dhe pjesëtarët e popullit tonë nuk i çmojmë, apo i injorojmë fare. Sidoqoftë shteti amë bënte detyrën e tij, t`i afronte mes vete krerët politik të Kosovës. Por tash së voni polarizimet politike në vet shtetin amë kanë arritur pikën e vlimit. Situata është pranë shpërthimit dhe secili ka frikë, mos shteti shqiptar po zhbëhet si në vitin 1997.

 Kryeministri Rama çdo ditë e më shumë po e merr formën, pamjen dhe idetë e Erdoganit dhe Putinit. Nuk i mjaftoi pozita e kryeministrit, po u bë edhe Ministër i Punëve të Jashtme, thuaja se askush ska aftësi si ai ta kryej këtë detyrë. Pra ai dhe qeveria shqiptare janë në hall se si ta ruajnë pushtetin e vetë e nuk e kanë hallin e Kosovës dhe veprimeve të saja. Kështu që, politikanët  Kosovar mbeten vetëm, me gjithë problematikën aktuale. A do ta tërheqin taksën ndaj Serbisë apo jo momentalisht nuk dihet. Më e lavdishme do të ishte që pa bërë bujë të bashkëpunojnë mes vete dhe të marrin vendim të përbashkët. T`i harmonizojnë qëndrimet dhe të deklarohen tok, e jo të përqarë ashtu si po paraqiten pëmes konferencave të shtypit dhe mediave. Kjo gjendje denigruese dhe fatale për ne, kërkohet urgjentisht të tejkalohet, derisa sështë bërë vonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat