Në 20 - vjetorin e rënies së poetit, artistit, piktorit, strategut, komandantit, heroit të kombit Agim Ramadani-Katana

Opinione

Në 20 - vjetorin e rënies së poetit, artistit, piktorit, strategut, komandantit, heroit të kombit Agim Ramadani-Katana

Nga: Haki Latifi Më: 11 prill 2019 Në ora: 14:29
Haki Latifi

Thyrja e kufirrit shqiptaro-shqiptar, ishte mesazhi i madh i shpresës së popullit shqiptar, e sidomos atij të shpërngulur nga trojet arbërore të Kosovës, i cili tashmë shpresonte në kthimin e tij në vatrat e veta dhe bashkimit të trojeve etnike shqiptare.
Siç dihet thyerjen e kufirit e bëri njësia me emrin “Grupi i Tretë Operativ” ( GO-3), në gjirin e së cilës bënin pjesë Brigada 131 që komandohej nga Rrustem Berisha, Brigada 134 që komandohej nga Salih Çekaj dhe Batalioni Diverzanto-Vëzhgues ’’ Delta’’ që komandohej nga Anton Çuni. Agim Ramadani ishte zëvendës komandant i Brigadës 131 (që nga formimi i saj nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ahmet Krasniqi në qershor 1998) dhe Kryeshef i Shtabit të njësisë ushtarake GO-3. Ndërsa Salih Çekaj ishte zëvendëskomandant për moral dhe çështje politike të Brigadës 134, komandant i së cilës ishte ushtaraku madhor Tahir Zemaj gjatë kohës sa i kreu detyrat ushtarake në Kosovë.
Luftëtarët e frontit të Koshares ishin të parët që dhuruan jo vetëm gjakun por edhe shpresën e madhe për popullin e Kosovës, në ato ditë të shpërnguljes masive: Kështu, ndërsa eksodi biblik i shqiptarëve ndalej, kortezhi pambarim i njerëzve i drejtohej qytetit të Bajram Curit me trupat pa jetë të trimave në krahë.
Duke nderuar veprën dhe jetën e Agim Ramadanit, ne nderojmë shkrimtarin, piktorin, Eprorin ushtarak, Komandantin, nderojmë të gjithë luftëtarët e „Brigadës 138“ që më vonë mori emrin e Heroit Agim Ramadani. Nderojmë të rënët por edhe të gjallët, i nderojmë të gjithë ata që me luftën e tyre e bënë të pavdekshme një betejë të lavdishme të UÇK-së, betejën e Koshares, e cila ishte pjesë e rëndësishme e formacionit sulmues për çlirimin përfundimtar të Kosovës. Moto e Heroit Agim Ramadani, ishte se “pushkët kur bashkohen, krismën e kanë më të fuqishme”. I cili konsiderohet një ndër strateget e thyerjes me luftë të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në Betejën e Koshares.
Heroin Agim Ramadani e bëri për vete lufta çlirimtare, liria aq e shtrenjtë për Kosovën. Atë, përjetshëm e përvetësoi Dheu i Dardanisë .
Sot nderojmë Heroin Agim Ramadanin dhe dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, cilët 20 vjet më parë në Koshare, kur UÇK luftonte me vendosmëri përballë makinerisë gjenocidale të Serbisë. Në ato ditë të lavdishme, beteja e Koshares, kishte përpara një detyrë të veçantë historike: shembjen e kufirit të dhunshëm, që për gati një shekull e ndau në dysh kombin tonë. 
Në Koshare, betejë pas beteje, nga të gjitha trevat shqiptare, ranë 114 luftëtarë të lirisë, trima të tjerë morën plagë, e shumë humbën gjymtyrët e trupit. Por, ëndrrën e Kosovës e bënë realitet. Nën komandën e Agim Ramadanit- Katanës dhe të oficerëve të tjerë të karrierës këta trima shpartalluan ushtrinë serbe të armatosur deri në dhëmbë e shumëfishë me të madhe në numër e të përforcuar madje edhe me mercenar rusë. 
Lufta e Kosharës, të prirë nga Agim Ramadani dhe eprorët e tjerë u dhanë mësime gjeneralëve dhe ushtarëve serbë, të cilët veten e pandehnin si të pathyeshëm.
Andaj këta burra të guximshëm me në krye Agim Ramadani, Salih Çekaj, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaqi, Rrustem Berisha, Anton Quni etj., që sollën lindjen e agimeve të bardha meritojnë nderimin dhe Lavdinë, ngase Kosharen e dikurshme të prangave dhe mureve me gjemba e kthyen në urë kalimi që shpie në pjesën tjetër të Atdheut tonë, të prerë në dysh padrejtësisht njëqind vjet më parë.
Lavdi dëshmorëve të Koshares dhe gjithë dëshmorëve të lirisë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat