Vrasja e sovranit (popullit) dhe parlamentarizmi i rremë në emër të meritokracisë..!?

Opinione

Vrasja e sovranit (popullit) dhe parlamentarizmi i rremë në emër të meritokracisë..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 18 maj 2019 Në ora: 14:32
Rexhep Elezaj

Lucius A. Seneca (39 vite pas e. re), teoricienë dhe shkrimtar në kohën romake, i pari e kishte formuluar në gjuhën latine shprehjen; “Crede mihi, sacra populi lingua est”; “Më beso mua, gjuha e popullit është e shenjtë..”), idiomë e cila në mesjetë (1135–1204) do shndërrohet në thënien e njohur historike-juridike; “Vox populi vox Dei, - “Zëri i popullit, është zëri i Zotit..”!

Me këtë citat të filozofëve antik dëshiroj t’ia rikujtoj kastës politike shqiptare në Prishtinë dhe Tiranë, se ka dekada qëkur popullin dhe dy shtetet shqiptare i qeverisin dhe vazhdojnë t’i sundojnë në kundërshtim flagrant me bazat burimore juridike të demo-kratisë parlamentare, mbi themelet e të cilës gjithë popujt e përparuar të Evropës perëndimore shtetet e tyre nacionale që do i themelojnë gjatë shekullit 18-19-të, fund e krye i ngritën mbi bazat dhe normat juridike të demokracive të mirëfillta, pra sundimi i popullit me vetveten. Ngase, pa garantimin dhe ushtrimin e pushtetit human dhe social, pa zbatimin e të drejtës së sovranit-popullit si faktor kyç i shoqërisë, pa pjesëmarrjen aktive të tij në sundim, shtet formim dhe shtet ndërtim, nuk mund të ketë shtet të mirëfilltë demokratik !

Lidhur me këtë po ua sjelli vetëm një shembull tipik nga veprimi i shtetit ligjor ndaj popullit, siç është Gjermania, ku “Zëri i popullit, është zëri i Zotit..” në kuptimin e plotë të fjalës, pra ku sovrani është populli e jo shteti; Autostrada nga Munihu në drejtim të qytetit Lindau duhej të kalonte përmes një pylli-mali që ishte në pronësi private të disa banorëve, ndonëse këtupari kalonte rruga vetëm në dy kaheje në gjatësi diku 21 km, por për t’u zgjeruar në autostradë dhe për t’u ngjitur me pjesën e kundërt të saj, pushteti nuk e merrte dot pëlqimin nga pronarët e tokave, me arsyetimin se shteti nuk po ua kompensonte sa duhet pronat e tyre, pra negociatat shtet-popull zgjatën hiç më pak se 20 vite, derisa u arrit marrëveshja për zgjerimin dhe shndërrimin e saj në autostradë !

Kështu që, për t’i sqaruar shkaqet negative të cilët çuan në devijimin e plotë të ndërtimit të shtetit ligjor në Kosovë, duhet bërë analiza të gjithanshme nga ekipe të specializuara në lëmi të ndryshme shkencore dhe politike, sepse shkaktarët e kësaj katrahure kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë aq drastike, sa që shkeljet e normave demokratike, juridike dhe civile të shtetit të Kosovës nga ana e kastës politike, pa dallim, sidomos nga viti 2007 e deri me sot, është e pamundur të numërohen një mori syresh në një shkrim gazetaresk..!

Prandaj, marrë parasysh trendët e fundit të politikë bërjes aktuale kvazi-nacionale, kvazi-shtetërore, kvazi-ligjore, kvazi-demokratike, etj., sundim politik i cili po zbatohet gati në të gjitha sferat e jetës nga pushtetarët aktualë, ajo që secilit mund t’i bie në sy, është pa dyshim fakti, se politikë-bërja dhe shtet-ndërtimi i Kosovës, mjerisht vazhdon të bëhet krejtësisht jashtë binarëve të përcaktuar me kushtetutë, me ligje, norma si dhe kritere të një shtetit ligjor dhe demokratik, ku ligji është i shenjtë, i barabartë për të gjithë si dhe i pacenueshëm nga askush..!?

Ja vetëm disa nga shembujt më eklatant të këtyre shkeljeve për të cilat po flas; Maqedonisë iu falën 2400 hektarë tokë sipas marrëveshjes së vitit 2008/2009, pjesa veriore e Kosovës, “de-facto” që pas mbarimit të luftës (1999) e deri më sot ngeli jashtë jurisdiksionit të shtetit të Kosovës, u lejua ngritja e enklavave serbe brenda Kosovës që përfshijnë mbi 30% ex-territorialitet të saj i qeverisur nga minoriteti serb, shpallja e trevës së Rugovës “Park nacional” pa asnjë kriter dhe në dëm të pronave private të banorëve autokton të 14 fshatrave, mbi 7 vite negociata me Serbinë për çështje “teknike” pa asnjë rezultat pozitiv për Kosovën, madje gati sa nuk u formua edhe “Zajednica” serbe. Pastaj drejtësia dhe gjykatat vazhdojnë të jenë të kapura nga kasta politike në pushtet, e që paraqet aktin më anti-shtetëror dhe më anti-demokratik në një sistem shoqëror i vetëshpallur si shtet parlamentar, etj. etj..!?

Po ashtu, shkelja e kushtetutës dhe tradhtia më e madhe kombëtare e bërë ndaj sovranitetit shtetëror të Kosovës, ishte ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi nga ana e 80 deputetëve në Kuvendin e Kosovës, të cilit ia falën mbi 8300 hektarë toka të trevës së Rugovës, gjegjësisht të Kosovës, negociatat me Serbinë në nivel presidentësh shkaktuan krizë të rënd politike në vend që sollën deri tek mosfunksionimi normal i Kuvendit, si organi më i lartë legjislativ i vendit, vënia e taksës ndaj produkteve serbe 100% e dëmtoi rënd imazhin e Kosovës tek vendet mike, në krye me SHBA-të, stagnimi i njohjeve të pavarësisë së Kosovës, tentimi i turpshëm, abuziv, shantazhues dhe antiligjor për ngritjen e laurës-rampës në hyrje të grykës pitoreske të Rugovës, etj., që të gjitha këto akte ishin tepër të dëmshme për popullin dhe shtetin ende të brishtë të Kosovës. Dhe ç’ është më e keqja, asnjë politikanë ose udhëheqës shtetëror në të gjitha nivelet e pushtetit nuk dha kurrë përgjegjësi politike dhe morale për të gjitha këto dështime dhe dëme që ia sollën vendit tonë, ku ikja e rinisë jashtë vendit nuk ka të ndalur..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat