Qeveria (nuk) bie para Bajrami?

Opinione

Qeveria (nuk) bie para Bajrami?

Nga: Fadil Lepaja Më: 22 maj 2019 Në ora: 11:45
Fadil Lepaja

I lumi, ramazani, gati shkoi. Bajrami po vjen! Ka rrezik me na zanë të papërgatitur politikisht. Ku me e shtrua sofrën e madhe? Nëse iftaret po i bëjmë nëpër rrugët kryesore të qyteteve, për bajram, nuk mjaftojnë. Në cilin shesh, apo në cilën autostradë? Për këtë duhet debat nacional...!

Përndryshe, qeveria mundet me ra para bajrami, paralajmërojnë disa. Disa thonë, që kjo mund të ndodhë, por, para bajramit të vogël. Si kurban! Veç, me ra, po thonë, do të bjerë sigurt! Do të bëjë harakiri, ose do të rrëshqas në lëvozhgën e bananes, krejt njësoj.

Sidoqoftë, kjo ka të bëjë me ngecjen e përgjithshme në shoqëri dhe shtet. Krejt proceset strategjike janë ndalë. Nuk po ecë! Nëpër rreth-rrotullimet e shumta e kemi humbur idenë se kah i bie rruga për Evropë. Edhe më keq, e kemi të turbullt idenë se ku i bie të jetë shtëpia jonë! Në Evropë, apo në Azi?!

Tash, për me qenë më të qartë, te ne qeveria, nuk ka vetëm kuptim nominal. Edhe presidenti mendon se është qeveri, se ka  kompetenca ekzekutive. Krejt politikën e jashtme e drejton, vet presidenti. Negocionte për të ardhmen e vendit, derisa për pak e pamë veten në Azi. Lëvizja e kufijve, në lindje duket se kishte vetëm kuptimin e heqjes së kufijve, me Serbinë. Pastaj u dha alarmi nacional për kufijtë.

Ambienti përreth, tashmë është përshtatur me rrugën evropiane të oligarkisë. Iftaret po hahen në rrugë. Xhemati falet në rrugë, se xhamitë e vogla të mbetura nga ish perandoria, nuk po na zënë. Shumë shpejt, ka me u pa që as rrugët nuk na zënë, dhe duhet me dalë e me  i shtrua sofrat në autostradën e kombit. Apo këtë, me Shkupin! Kem autostrada, boll, falë zotit. Kur nuk ke asgjë tjetër, mjafton me i pas autostradat.

E në festën e radhës, me dashtë zoti, kurbanat kemi me i pre, me buxhet qeveritar, apo presidencial. Pse me u shpenzua populli. Qeveria e radhës, ka me ra shahadet, inshallah, urojnë ideatorët e integrimeve evropiane. Evropa edhe ashtu, nuk po na do, është arsyetimi i mbuluari euro skeptikve, për ambientin e ri rreth nesh, pak a shumë freskues, sikur në oazat evropiane të Saharës. Kur Australia këndon në këngën e eurovizionit, përse Sahara të mos përfshihet në Evropë?

Mesazhe se ku përkasim, po na vijnë edhe nga Uashingtoni, ku ambasadorja e presidentit, si “laike” e prezanton republikën tonë “islamike”. Nuk po ecë, me një fjalë, skafi ynë drejtë Evropës, ku po përpiqen me na dërgua kontrabande, të mbuluar e të akulturuar.

E kur nuk ecë, qeverisja, duhet me e shty, qysh të mundemi, kjo është praktika jonë, për me dalë mekanikisht prej llumi. Kjo është strategjia jonë dalëse. Dorën në zemër, Rambo me krejt muskujt e vet, po përpiqet me e shty, qeverinë! Besa, edhe me e shty po e shtynë gjithqysh. Qysh po mundet. Herë përpara, e herë prapa. Nuk la gjë pa provua, edhe ai.

Dihet se, kur ndalet qeveria, ajo (vetë)rrëzohet. Si biçikleta. Kjo ka të bëjë me përfitimet. Nuk sjell më, mjaftë përfitime për koalicionin, prandaj duhet rrëzuar thonë ata.

Qeveria te ne, është bërë zakon të rrëzohet vet,  para se të përfundoj mandati i saj, për me pas zgjedhje të jashtëzakonshme, në të cilat vetëm oligarkia shkon e përgatitur. Ajo që nuk po dihet ende është se kush do t’ e rrëzojë këtë qeveri të koalicionit.

Papritmas, u ri-aktivizua Isa! Falë zotit,  bëri më mirë me shëndet, duket se  i kaloi krejt sëmundja (politike) që e kishte mbajtur një kohë të gjatë në shtëpi, jashtë aktiviteteve politike. Sidoqoftë, ai po zhvillon biseda, me dy krahët e “Vetëvendosjes” së dikurshme. Te ne vetë rrëzimi sipas zakonit duket si vepër e opozitës, edhe pse zakonisht nuk është ashtu.

Edhe në të kaluarën negociatat me “Vetëvendosjen” ishin rruga më e sigurt, për me mbërri deri te koalicioni i dëshiruar. Rregulli është ky: rreziku i futjes së “rebelëve” në qeveri, i shqetëson pa masë ambasadat, të cilat pastaj “ruajnë paqen” dhe “dialogun”  me çdo kusht.  Natyrisht, problemi asnjëherë nuk ka qenë rrëzimi i qeverisë, por për të bërë këtë dhe për të mbetur në pushtet sërish, të njëjtit, duhet që gjithçka të bëhet nga opozita.

Puna e opozitës është vetëm të i ndihmoj koalicionit të krijoj qeverinë e radhës... dhe të mbetet opozitë. Opozita e vërtetë, mbetet gjithnjë vetëm opozitë, mendojnë idealistët!

Ndërkohë, e pa mësuar me opozitën, LDK-ja në të gjitha anketat, si duket po prinë bindshëm. Për të kuptuar se me kë do të formojë qeverinë Isai,  duhet pritur me durim dhe vëmendje deklaratën e parë të tij, se me kë nuk do të e formoj “kurrë” qeverinë. Nëse sërish thotë, “kurrë me SHIK-un”, gjithçka bëhet e qartë.

Pavarësisht, situatës tonë, festë do të ketë. Duhet vetëm të hidhet lëvozhga e bananes dhe qeveria të rrëshqas në të! Dilema më e madhe nacionale nuk ka të bëjë me qeverinë, por me festën. Ku të shtrohet sofra e madhe? Në sheshin “Nëna Terezë”, apo të mbyllet për qarkullim, për tri ditë rresht autostrada e kombit? 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat