Autokratë nën lustrën e qetësisë

Opinione

Autokratë nën lustrën e qetësisë

Nga: Azem Parllaku Më: 18 gusht 2019 Në ora: 18:26
Azem Parllaku

Autokracia si një sistem politik në të cilin një individ i vetëm e ka në dorë pushtetin, e autokratizmi si ideologji sundimi, nuk sjellin vetëm degradimin e demokracisë, por edhe të të gjitha institucioneve që, ajo demokraci krijon, qofshin shtetërore apo ato të shoqërisë civile. Si formë pushteti, në të cilin një individ ka pushtet të pakufizuar, është sinonim i diktaturës, si ajo e perandorëve romakë, e Hitlerit, e Stalinit, e Enver Hoxhës, e Kim Jong-unit të Koresë së Veriut, etj. Autokracia kjo dëshmi e mungesës së demokracisë dhe legjitimitetit, po përjetohet dukshëm në Ballkan, si një tendencë nga disa liderë, të cilët mjeshtërisht e manipulojnë taborin e tyre, ndërkohë që, shfrytëzojnë lidhjet dhe mbulesën politike e diplomatike të ofruar nga burokratë të BE-së dhe SHBA-së, për të sulmuar kundërshtarët e brendshëm.

Shpresa se vendet e Ballkanit si: Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova, sakaq edhe Turqia do të integrohen në Bashkimin Europian, është zbehur fatkeqësisht. Episodi i tejzgjatur i reformave, është dëshmia sesi elitat politike nuk janë të afta, apo nuk dëshirojnë të zgjidhin mospajtimet brenda tyre në mënyrë demokratike dhe të sigurojnë progresin dhe qetësinë e rajonit. Ndërsa kohët e fundit janë shtuar zërat kritikë sa i përket rolit të diplomatëve kryesisht atyre amerikanë dhe atyre europianë, të cilët nuk reagojnë fuqishëm ndaj korrupsionit, që ka pllakosur qeveritë e këtyre vendeve, e gjithashtu kanë nënvlerësuar ose injoruar ngritjen kacavjerrëse të udhëheqësve autokratë.

Prania e intolerancës, nacionalizmit patologjik dhe ksenofobisë, kultura e pazhvilluar demokratike-politike, mungesa e kompromiseve, janë disa nga problemet serioze politike nën lustrën e qetësisë. Qasja e demokratizimit institucional ka rezultuar e vështirë dhe në një masë të madhe e papërmbushur pikërisht, si pasojë e mungesës së vullnetit politik që është bërë faktor frenues, për realizimin e reformave dhe të proceseve demokratike aq të domosdoshme, që e shndërrojnë Ballkanin Perëndimor në një hapësirë demokratike me ekonomi e kulturë dinamike dhe në një vend të sigurtë dhe me prosperitet.

Mekanizmi më i kontestuar dhe më i përfolur i demokracisë institucionale siç janë zgjedhjet, e zhysin rajonin në kriza, edhe pse liderët e rajonit paralajmërohen nga ndërkombëtarët rreth kërcënimeve të ekstremizmit të dhunshëm, korrupsionit, kriminalitetit dhe autokratëve të rëndomtë dhe oligarkëve, të cilët vijnë në pushtet duke promovuar interesat e tyre. Zgjedhjet e lira janë një nga atributet kryesore të një regjimi demokratik, dhe shprehja e vullnetit të lirë dhe e votës së lirë të popullit përbën një nga themelet e demokracisë. Jeta politike në Ballkan  rrotullohet rreth liderëve dhe partive politike. Jashtë këtij binomi zor se merr pushtet apo dëgjohet nga pushtetarët ndonjë individ, grup interesi apo shoqëri civile, aq më tepër kur interesat e këtyre të fundit nuk përputhen me interesat e klasës politike.

Ky realitet dukshëm ka ndikuar që, qytetarët t’i humbin shpresat, ndërkohë që liderët politik u janë kthyer shablloneve dhe modeleve të vjetra të sjelljs në politikë. Dhe nëse deri para disa vitesh në Ballkan kishte institucione demokratike por jo edhe demokraci, sot nuk i kemi më as njërën e as tjetrën. Pra në këtë kohë nuk është vështirë të gjenden parti të bazuara në koncepte autokratike liderët e të cilave bëjnë çmos, jo vetëm për kufizimin por edhe për zhdukjen e demokracisë. Ata janë të trajnuar mirë që t’u  thonë diplomatëve perëndimorë atë që ata duan të dëgjojnë, ndërkohë shkelin hapur parimet demokratike dhe sundimin e ligjit në vendet e tyre. 

Vuçiç si President i Serbisë, ndërsa është votuar dy herë si kryeministër, akuzohet se, ka cunguar rëndë lirinë e shtypit dhe ka margjinalizuar opozitën politike. 

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, akuzohet se, e ka degraduar demokracinë parlamentare dhe po e imiton gjithnjë e më shumë pushtetin mesjetar të sulltanëve. Prej një pajtuesi e reformatori ai është shndërruar në ngatërrestar të rrezikshëm. Erdogani po e transformon Turqinë në një vend të stilit të Putinit, me një udhëheqje konservatore islame. 

Aleksandër Vuçiç i Serbisë dhe Milorad Dodik i Bosnjës po shohin gjithnjë e më shumë nga Moska për urdhra marshimi, ndihmë financiare dhe justifikim ideologjik për transformimet e tyre autoritare. Lideri boshnjak në Bosnje, Bakir Izetbegoviç sheh nga Ankaraja dhe shtetet e Gjirit, kryesisht për të njëjtat arsye. 

Establishmenti politik në Tiranë dhe Prishtinë pretendon se, gëzojnë mbështetjen e patronëve të fuqishëm perëndimorë, ndërsa joshet shumë nga penetrimi gjithnjë e më i madh turk, pse jo dhe kinez. Por politikëbërësit e SHBA-së dhe BE-së duhet të pyesin veten nëse oligarkët, autokratët e Tiranës dhe Prishtinës që thonë se janë pro-perëndimor, a janë më të mirë se, Erdogani, Vuçiçi, etj dhe të dobishëm për interesat afatgjata të Perëndimit në rajon. 

Në Ballkanin Perëndimor një pjesë e mirë e medias dhe OJQ-ve, anatemohen se, po i shërbejnë pushtetit autokratik si rrypa transmisioni. Brukseli nga ana e tij është i shqetësuar vetëm për pamjen e jashtme dhe dukjen banale të stabilitetit. Përfaqësuesit e BE-së në kryeqytetet ballkanike, flasin në terma të asaj që duhet të jetë, por shpërfillin çfarë po ndodh në terren dhe sesi situata politike në rajon tashmë ka ndryshuar. Nëse ideja e demokracisë është të kemi një të ardhme në Ballkan, kjo do të varet nga aftësia e qytetarëve të thjeshtë, si ata që dalin rregullisht rrugëve për t’u përballur dhe kur është e nevojshme për të hequr liderët që nuk japin llogari. Etja e pushtetit të autokratëve është e pakufishme dhe autokratët e sotëm të Ballkanit kanë të njëjtën prirje dhe autosugjestion, se ata janë po aq providencialë sa ç’ishin edhe janë modelet e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat