A është 13 Tetori, “vetëvrasja virtuale” alla Alende e Metës

Opinione

A është 13 Tetori, “vetëvrasja virtuale” alla Alende e Metës

Nga: Rafael Floqi Më: 6 shtator 2019 Në ora: 16:34
Rafael Floqi

Nyje gordiane mbetet ende Gjykata Kushtetuese. As Parlamenti s’ka fuqi ta kapërcejë, as Venecia ta vulosë, dhe as Rama nuk është Demokleu.

Sfida e Korabit

Një javë më parë Ilir Meta i bëri një sfidë figurative kundërshtarëve të tij, duke u ngjitur në majën më të lartë të maleve shqiptare, mbi Korab.” Ngjitja ishte sfidë jo e lehtë, por bukuritë dhe monumentet e rralla natyrore të këtij mali madhështor, të frymëzojnë dhe të japin energji të reja për të kaluar me sukses çdo pengesë!, shkroi Meta në Twitter “Dhe kjo dukej si një mesazh i koduar dërguar, Edi Ramës, kështu e artikuloi edhe shtypi, apo si të ishte karshillëk i bërë nga Meta po me stilin e Ramës, por drejtuar me kod po Ramës.

E kjo aventurë u bë pak ditë para se në Shqipëri, Komisioni hetimor parlamentar i ngritur për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, vendosi se mund ta thërrasë këtë të fundit në seancë dëgjimore që javën e ardhshme. Partia Socialiste nisi procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, teksa ky i fundit nuk njohu zgjedhjet e 30-qershorit, në të cilat maxhoranca garoi e vetme duke marrë pothuajse të gjitha bashkitë. Komisioni sqaroi gjithashtu gjatë mbledhjes së tij ditën e martë, se për nxjerrjen e raportit të tij përfundimtar do të presë opinionin e Komisionit të Venecias. Presidenti Ilir Meta reagoi, duke folur për një propagandë të nxitur ndaj tij, me synim largimin e vëmendjes nga zgjidhja e krizës politike.

Pra nëse komisioni nuk mund të nxjerrë konkluzion pa Komisionin e Venecias, kjo tregon se Meta nuk të akuzohet shkoqur për shkelje kushtetute, atëherë përse shërbejnë hetimet e tij? Nuk mund të dënosh dikë kur në kohën, kur është kryer “shkelja”, nuk kishte ligj. Këtë e di dhe Rama dhe PS-ja ndaj nisma për shkarkim duke më shumë si flakë e luftës politike.

Skenar për destabilizimin e Shqipërisë ?

Për t’i fryrë zjarrit Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh dhe zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali, ka bërë një deklaratë “të fortë” në lidhje me vendimet dhe dekretet e ndërmarra nga Presidenti Ilir Meta. Ajo e ftuar në rubrikën “Opinion”, në News 24, u shpreh se “Meta e ka shkelur Kushtetutën me të dyja këmbët dhe se ka qenë pjesë e një skenari për destabilizimin e Shqipërisë”.

Por ajo nuk ishte në gjendje të thoshte se ku Meta e kish shkelur kushtetutën.

Duke e parë nga pikëpamja e interesit elektoral, harakiri i opozitës, ndihmoi forcimin e pushtetit mono partiak të Qeverisë. Por a thua se ishte vendimi i 13 Tetorit, “vetëvrasja virtuale e paralajmëruar” alla Alende e Metës? Mendoj se jo.

Rama thotë se di të luajë shah, por a ishte blofi i pokerit të Metës më i thellë se kaq. Kjo mbetet për t’u parë. Si nyje gordiane mbetet ende Gjykata Kushtetuese. As Parlamenti s’ka fuqi ta kapërcejë, as Venecia ta vulosë, dhe as Rama nuk është Demokleu. Zgjatja e krijimit të saj nuk ka pasur vetëm arsye burokratike, por edhe motive politike nga ana e Qeverisë. Zgjedhja e saj sa mund ta ndihmojë, aq dhe mund ta rrezikojë Ramën. P.sh këto ligjet e PPP-ve mund t’i kishte hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese dhe pa të drejtë apelimi. Pasi vërtet mungesa e saj ka krijuar një sistem drejtësie të paplotësuar me mungesa pa “check and balances” që lejon edhe kalimin e ligjeve të PPP-së të makutërisë të qeverisë të kritikuar aq shume dhe nga FMN-ja.

Presidenti i vendit Ilir Meta, në një intervistë për median italiane “il giornale.it” ka deklaruar se zgjedhjet e 30 qershorit nuk ishin legjitime “Nëse nuk do të kisha nxjerrë dekretin për të shtyrë zgjedhjet në 13 tetor, një datë jo rastësore, sepse procesi i pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore në Bashkimin Evropian diskutohet më 18 tetor, një përplasje mes dy forcave do të kishte qenë e pashmangshme fraksionet politike. Ndërsa unë veproja sipas Kushtetutës, përgjegjësia e kryeministrit ishte që ai nuk e kuptonte që zgjedhjet e mbajtura në këtë mënyrë ishin problem për negociatat. Zgjedhjet e qershorit nuk ishin as kushtetuese, as ligjore, as legjitime, vetëm Gjykata Kushtetuese mund të sfidojë dekretin e Presidentit, për të ardhur keq që veprimtaria e tij të pezullohet nga vullneti i Ramës, për të kuptuar parregullsinë”, shprehet ai.

Zëdhënësja e qeverisë nuk elaboroi më tej mbi akuzën “pjesë e një skenari për të destabilizuar Shqipërinë”, por nëse akuza pre shkeljen e Kushtetutës për datën e zgjedhjeve ha arsyetime e justifikime politike, juridike, kushtetuese dhe kohore, akuza për skenar për të destabilizuar Shqipërinë, duhet sqaruar e elaboruar. Nuk mund të rrijë në ajër, ashtu si Meta në majë të Korabit, dhe as të hetohet nga një deputet i përlyer në mashtrime elektorale si Ulsi Manja.

Vjedhësi i zgjedhjeve, gjykatës i zgjedhjeve

Komisioni hetimor parlamentar i cili do të vlerësojë ligjshmërinë e akteve të presidentit Ilir Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit miratoi të martën planin e tij të veprimit. Pika e parë është përcaktuar seanca dëgjimore me kreun e Shtetit. “Data më e shpejtë mund të jetë fillimi i javës së ardhshme, por datën dhe orën do ta caktojmë në bashkëpunim me nënkryetarin”, deklaroi drejtuesi i Komisionit, socialisti Ulsi Manja. Por a do të paraqitet Meta në komision edhe kjo është e panjohur? Meta thotë se do të shkojë me dëshirë dhe mund të jetë kështu.

Pasi nuk ka proces “empeachment “ në kushtetutën shqiptare. Nëse Presidenti ka vepruar brenda kompetencave të tij, apo nëse ka vepruar me ndërgjegje, në emër të paqes sociale, apo në emër të çdo alibie, që ai mund të nxjerrë. Çdo hetim do të duhet të nxirrte në pah motivin. Akuzat pa motiv si ajo e Spiropalit lenë shteg për interpretim dhe propagandë, në mos për shpifje.

Komisioni ka marrë në ndërkohë përgjigjet e disa institucioneve të cilave ai është drejtuar, por duket se vendimtar do të jetë opinioni i Komisionit të Venecias. Një delegacion i tij ka paralajmëruar një vizitë javën e ardhshme në Tiranë. “Opinioni i Komisionit të Venecias, do të duhet të pritet nga Komision i Posaçëm hetimor, për të arritur në një përfundim lidhur me objektin e hetimit”, shpjegoi zoti Manja. Komisioni ka afat deri më 8 tetor, por nëse opinioni i Venecias do të publikohet përtej kësaj date, atëherë pritet të kërkohet shtyrja e afatit.

Vendimi i Venecias do mbetet në lagunë

Por c ‘rëndësi ka se çdo të thotë Komisioni i Venecias. Gjuha e tij do të jetë e tillë “Komisioni i Venecias vlerëson se “duke pasur parasysh dispozitat ekzistuese kushtetuese, legjislacionin përkatës dhe mekanizmat e tjerë demokratikë në dispozicion, Komisioni i Venecias beson se vlera e amendamenteve të propozuara është e diskutueshme”. Komisioni i Venecias jep opinion për një paqartësi ligjore. Opinioni i tij ka vlerë vetëm konsultative. Çfarë do të jetë opinioni i Venecias , do t’i shërbejë më shumë fryrjes se propagandës partiake sesa shkarkimit të Metës. Dhe Venecia do të thotë në thelb atë që tha Departamenti i Shtetit që fjalën e fundit e ka Kushtetuesja.

Nga pikëpamja morale, fakti që ky komision drejtohet nga Ulsi Manja, i dalë me zë dhe figurë për manipulimet me zgjedhjet në Dibër, e bën atë person të papërshtatshëm, për të drejtuar këtë si çështje në këtë komision. Nga ana tjetër, opozita parlamentare me gjithë dëshirën e av. Ngjelës, vështirë “të jetë në gjendje që në Parlamentin shqiptar të ngrihet në rangun e një opozite të theksit kombëtar e perëndimor” Është naive të besosh që vetëm” me forcën e kësaj opozite të re parlamentare dhe me forcën e politikës amerikane, maxhorancën aktuale nuk do të këtë mundësi që të lëvizë drejt bllokimit të Reformës, ndonëse mendohet se do të jetë e nxitur kundër reformës nga liderët e saj që i kap antikorrupsioni ”.

Ndërsa Komisioni parlamentar po zhvillonte seancën e tij, presidenti Ilir Meta reagoi përmes një statusi në Facebook. Sipas tij “propaganda anti-President nuk ndihmon sundimin e ligjit, që është kusht për çeljen e negociatave në 18 tetor nga Bashkimi Europian për vendin tonë. Spostimi i vëmendjes për momentin nga detyrimi për respektimin e dekretit në fuqi të 13 tetorit për zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore, nuk ndihmon për zgjidhjen e krizës, por ndihmon përshkallëzimin e saj”, shkruajti zoti Meta, duke e mbështetur kështu me qëndrimin e tij në shqetësimet e ngritura për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë. Ky është një farë presioni, por nuk besoj është motivi.

Dhe i vetëm gati për zgjedhje

Nga ana tjetër, duket se vetëm Meta, do të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit dhe zgjedhjet e dekretuara nga ai vështirë të ndodhin, kur edhe PD duket se është tërhequr tani nga ajo datë. Largimi i opozitës kështu nga parulla “Rama ik” mund të jetë taktikë e saj, pasi as Rama nuk iku dhe as opozita nuk u bë më e fortë, por kjo kthesë mund të jetë më shumë rezultat i një presioni ndërkombëtar, apo i një kompromisi të fshehur.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, i ftuar në rubrikën “Opinion”, në “News 24”, deklaroi se data “13” është praktikisht e hedhur poshtë, dhe se Shqipëria do të shkojë në zgjedhje brenda pranverës të vitit të ardhshëm, bashkë me Edi Ramën. Ne po përgatitemi, besoj se do shkojmë në zgjedhje. Për pak kohë do na duhet të shkojmë në zgjedhje. 13 tetori është i rënë. Deri në pranverë, do shkojmë në zgjedhje bashkë me Ramën.13 tetori ishte një datë prefekte edhe për vetë Ramën, që di të kishte mundësi të zgjidhte kandidatë, por ai prapë procesin e shkatërroi”.

“I vetmi që propozon datën është Presidenti dhe nëse Presidenti e ka gabim, këtë datë e hedh poshtë vetëm Gjykata Kushtetuese”, tha Paloka.

Ky ndryshim i kursit te PD-se në mos është edhe një marrëveshje e fshehtë me PS-ne, e lë Metën vetëm përballë Ramës. Por gjithashtu reagimi i fundit i Presidentit duket se kishte të bënte gjithashtu dhe me faktin se po dje Komisionet e përhershme parlamentare rrëzuan një sërë dekretesh të firmosura prej tij në fund të muajit korrik, përmes së cilave ai i ktheu pas Parlamentit disa projektligje, që nga kontratat koncesionare për ndërtimin e dy akseve rrugore, të ndryshimet në ligjin për Koncesionet, ato në Kodin Penal apo dhe ligjin për Privatizimet si dhe një tjetër për Akademinë e Shkencave.

Të çmendurit, për t’i shpëtuar shiut, futen në pellg

I menjëhershëm ishte reagimi i Tedi Blushit, Këshilltar për Mediat dhe Zëdhënës i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një mesazhi publik në Facebook, reagoi pas mbledhjes së Komisionit Hetimor Parlamentar, "Të çmendurit, për t’i shpëtuar shiut, futen në pellg. Njësoj si e çmendura E., e cila u zhyt edhe sot në llumin e shpifjes, për t’i shpëtuar shiut të së vërtetës, duke lëshuar tymuesen e radhës, me shpresën se do largohet sadopak vëmendja nga keqpërdorimi i Kuvendit për mbulimin e PPP-ve të paligjshme që u miratuan, duke përmendur me shembuj abuzimet në tenderë.

Presion i pasosur ndaj PPP-ve

Në fakt, Meta e dinte se nuk i rrëzonte dot këto dekrete, kur qeveria Rama ka maxhorancën absolute, ato më tepër i shërbyen atij për dy qëllime: për të demaskuar politikat korruptive të shumta të qeverisë për t’i dhënë një mbrojtje procesi të paligjshëm të PPP-ve. Ku për të shmangur çdo përgjegjësi nesër, qeveria ka miratuar një rregull të ri, për t’ia kaluar përgjegjësinë Kuvendit, me qëllim administrimin e gjithë procesit të zhvilluar në paligjshmëri të plotë dhe së dyti, për ta paraqitur Presidentin Meta, supra partes, në kushtet e mungesës së oponencës parlamentare dhe Gjykatës Kushtetuese, si mbrojtës i vetëm ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.

Sado sinqerisht, apo për luftë politike, apo thjesht për të shlyer haraçin e një videoje të vjetër në opinion Presidenti me kthimet e këtyre ligjeve ka vepruar drejt dhe, pavarësisht motiveve politike, apo personale ai duhet mbështetur. Për të mos qenë i vetëm përsëri në majë të Korabit, pasi siç duket, se ka zgjedhur më mirë të mbetet fillikat, sesa të ndajë pushtetin me një autokrat si Rama. Siç shihen premisa akuzave të Rilindjes “Meta ik”, Presidenti ka të ngjarë t’i përgjigjet si Rama : “Do të iki kur të dua vetë” dhe nëse e ka me gjithë mend apo blof, shpejt do shihet, pasi Meta ka treguar se i di mirë punët e veta. ....

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat