Preteksti i Aleancës për vetingun!

Opinione

Preteksti i Aleancës për vetingun!

Nga: Alpin Ollogu Më: 21 shtator 2019 Në ora: 16:05
Alpin Ollogu

Pjesë e koalicionit qeverisës në R.Maqedonisë së Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim, që para disa javësh ka filluar të paralajmërojë dhe promovojë sjelljen e një projektligji për vetingun e sistemit të drejtësisë dhe figurave politike. Me zhvillimet e fundit në vend, skandalet brenda sistemit, dështimi i Prokurorisë Speciale, e të tjera të këtij konteksti, ka bërë që paralajmërimi i vetingut të bëhet më i hovshëm dhe të theksohet më zëshëm nga eksponentë të lartë të partisë në fjalë. Nga ana tjetër, partia më e madhe opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët, e atakon vetingun e paralajmëruar të BDI-së, me atë që kërkon apo kushtëzon udhëheqjen e një vetingu të drejtpërdrejt nga të figura jashtë vendit, qoftë nga SHBA-të apo BE-ja. Qëndrim ky i Aleancës i cili u theksua disa herë edhe nga përfaqsuesi i lartë i kësaj partie, Elmi Aziri, në emisionin “Click plus” në tv21. Kjo në logjikën e kërkesave të ASH-së që krerët e institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme, të jenë subjekte të huaja.

Po ta shohësh më hollësisht, ky kushtëzim është më tepër pretekst i Aleancës, është një element për të bërë opozitarizëm të padrejtë ndaj një thirrjeje dhe propozimi të drejtë për veting, pavarësisht nga kush vjen propozimi/projektligji, qoftë edhe nga kundërshtari më i përbetuar politik. Pse është kushtëzim i padrejtë?! Është i tillë pasiqë Bashkimi Demokratik për Integrim deri më tani, asnjëherë nuk ka kërkuar që vetingu të jetësohet vetëm nga subjekte të brendshme të drejtësisë, përkundrazi, është theksuar që ai të jetë nën mbikqyrjen ndërkombëtare, dhe për më shumë, nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti, në një prononcim televiziv po në emisionin debativ “Click plus”, e theksoi atë se ky do të jetë një veting i ngjashëm me modelin e Republikës së Shqipërisë. Që do të thotë trajnim dhe mbikqyrje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, siguruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për mbikqyrjen e procesit të vetingut, i cili ka fuqi ligjore të ankimojë vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Preteksti, apo kushtëzimi i Aleancës, ndaj vetingut të Bashkimit Demokratik për Integrim, çalon në dy aspekte themelore, e para që sapo theksuam, ata kushtëzojnë atë që nga Integristët nuk kundërshtohet, mbikqyrja ndërkombëtare e procesit të vetingut, që do të thotë se nuk është proces i pavarur nga strukturat e vendit të cilët mund të bëjnë çtë duan, dhe e dyta, kërkohet veting i udhëhequr drejtpërdrejtë nga të huajt, pa theksuar dhe analizuar si bëhet kjo, me çtë drejtë kushtetuese, pa një shembull në rajon apo me gjerë. Ashtu si e kërkojnë që Prokurori i përgjithshëm të jetë i huaj. Aleanca për Shqiptarët duhet ta dijë që komisionet e vetingut kanë organet e veta që vendosin me fuqinë e shumicës, ashtu si vendosin këshillat gjyqësorë. Në këtë kuptim, supozojmë që kryesuesi i vetingut të jetë i huaj, çfarë do bënte i vetëm? - asgjë. Me analogji, le të kujtojmë edhe një fakt tjetër interesant që e rrëzon kërkesën e Aleancës, ku para se të miratohej ligji aktual i vetingut në R.Shqipërisë, kishte kërkesa nga zëra të veçuar të parlamentit evropian, që vetingu të realizohet drejtpërdrejt nga faktori ndërkombëtar, por kjo kërkesë nuk pranua as nga qeveria, e as nga opozita e atëhershme. Në atë kohë, vetë opozitari, ish kryeministri Sali Berisha, deklaronte se një kërkesë e tillë e vetingut të realizuar nga të huajt, është shkelje e sovranitetit të vendit, dhe si e tillë nuk mund të pranohet në asnjë mënyrë.

Pra, ky kushtëzim, apo pretekst i Aleancës, ka më shumë mungesë sinqeriteti, sesa vullnet politik për të zgjidhur një prej problematikave më të mëdha që ka vuajtur ky vend, kalbëzimin e sistemit të drejtësisë. Preteksti është të sulmohet iniciativa e BDI-së, të krijohet tymnajë se kinse po kërkohet diçka më e mirë, por në thelb, vetëm për të fituar poena politike, ose për të mos fituar poena kundërshtari politik, pavarësisht kostos që ka në popullatë zvarritja e jetësimit të procesit. Sigurisht, me një realizim të mundshëm të vetingut në fjalë, një meritë e konsiderushme politike do ti shkojë BDI-së. Aleanca për Shqiptarët e kishte mundësinë të kërkojë dhe të propagandojë e para procesin e vetingut, të bëhej promotore e saj, e kishte edhe pozitën më të lehtë si parti opozitare, por e lëshoi shansin, u tregua e shkujdesur. Ndërsa BDI-ja duke e dëshmuar së është parti me përvojë politike, u tregua me inteligjente, e pa imediate vetingun, përqafoi/pranoi edhe kërkesat e opinionit publik (ku vetëm unë që para një viti kam shkruar mbi 4- 5 shkrime në media të ndryshme, të pozitës dhe opozitës, për domosdoshmërinë e vetingut dhe poenat politike që do ti fitojë partia flamurtare e vetingut), gjithashtu integristët e panë suksesin e vetingut në R.Shqipërisë, ku ndër të tjera, e bëjnë vetingun edhe si kalë të betejës se ardhshme politike.

Tani në këto rrethana, lojërat e fjalëve, kushtëzimet me veting të drejtpërdrejtë nga të huajt, nuk i shkojnë Aleancës për Shqiptarët. Nuk bëhet opozitarizëm duke kundërshtuar çdo gjë, ngase me rastin në fjalë, krijohet vonesa në unifikimin e realizimit të vetingut, ndoshta deri në rrezikimin e saj, pasi partitë maqedonase LSDM-ja dhe VMRO-ja, janë me të frikësuara nga vetingu, nga shkaku që kanë njerëz të shumtë brenda sistemit të akuzës-prokurorisë dhe gjyqësorit, bashkë me çështjet e tyre penale, të hapura apo mbyllura me korrupsion. Kjo shihet edhe nga reagimi i tyre kur pyeten për pranimin e vetingut në drejtësi.

Ёshte e ndershme dhe serioze, që ASH-ja të mos nxjerrë pretekste të ndryshme për veting të manipuluar nga pushteti, njëlloj siç po bën demagogji opozita në R.Shqipërisë, Partia Demokratike, me akuzat ndaj politizimit dhe kapjes së vetingut nga qeveria, në një kohë kur gjendja faktike e tregon të kundërtën, vetingu vazhdon me sukses dhe ka përkrahje të vazhdueshme ndërkombëtare. Çka në të vërtetë sulmohet me këto pretekste, është përpjekja e stopimit të meritave që duhet të marrë ajo parti apo qeveri që e realizon vetingun. Fatkeqësisht ne akoma smund ta kalojmë këtë stad të të bërit politikë, akoma skemi arritur pjekuri të nevojshme të interesave shoqërore mbi ato klanore. Nëse pranojmë diçka që është e mirë dhe me këtë nuk humbim kohë, patjetër që do stolisemi me një meritë, kundrejt kundërshtimit pengues.

Një gjë duhet të kuptohet, vetingu me trajnim dhe mbikëqyrje ndërkombëtare (siç në thelb kërkon vetë BDI-ja), njëjtë si në R.Shqipërisë, është shumë i lehtë për tu zbatuar, dhe nuk lë hapësira manipulimi, sepse mbi 90% e gjykatësve dhe prokurorëve në Shqipëri, janë shkarkuar nga filtri i parë i vetingut, deklarimi i pasurisë. Pa u futur në filtrin e dytë, atë të pastërtisë së figurës, apo filtrit të tretë, profezionalizmit. Kështu do të ndodhë edhe tek ne me vetingun e mundshëm, pasi gjyqtarët dhe prokurorët me vite kanë pasur obligim të deklarojnë pasurinë pranë organeve kompetente, dhe tani kjo do t’ju përllogaritet me një thjeshtësi dhe formulë të saktë, raporti mes të ardhurave dhe pasurisë së poseduar. Më këtë metodë, shumica e subjekteve të drejtësisë, që nga të dorëhequrit e para fillimit të vetingut, e deri tek ata që do shkarkohen gjatë procesit, do ti japin lamtumirë profesionit me të cilin i bën dem të jashtëzakonshëm popullatës. E jo vetëm që do shkarkohen nga funskionet zyrtare, por sdo tju mundësohet as të ushtrojnë profesionin e avokatit (për të mos marrë rolin e sekserit, ngase i korruptuari modifikohet), në perputhje me ligjin e vetingut. Theksojmë se i gjithë filtri i vlerësimit të pasurisë nga komisionet përkatëse, është proces transparent, që nga publiku i gjerë, ashtu edhe makanizmat ndërkombëtarë të monitorimit, shtuar Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit me fuqi ligjore…

Në këtë drejtim, abuzimi s’mund të ndodhë dhe Aleanca për Shqiptarët s’ka pse të shqetësohet. Pretekstin pengues të realizimit të vetingut drejtpërdrejt nga të huajt, nuk duhet ta bëjë më, sepse në këtë formë s’mund të ndodhë, dhe këtë formë nuk e ka kërkuar as SHBA-ja apo përfaqsues të Bashkimit Evropian në R.Shqipërisë. Në këto rrethana, për të mirën madhore duhet ulur bashkarisht me Integristët, bashkë me partinë Alternativa dhe Besën e Kasamit, me të gjithë partitë që pranojnë vetingun në drejtësi, shqiptare apo jo, te lobojnë dhe bindin partitë kundërshtuese në realizimin e vetingut në drejtësi dhe politikë konform ligjit të vetingut si në shtetin fqinj. Kjo është gjëja më e mirë për vendin, por edhe për plotësimin e kushteve drejt antarësimit në Bashkimin Evropian. Tani ështe më e lëhtë, mjafton të shqyrtohet vendimi i parlamentit dhe ligjit të vetingut në R.Shqipërisë, dhe polemikat mbarojnë.

Nëse prej partive shqiptare dikujt i levërdiste më shumë, të kërkojë të zvarrisë vetingun, do të ishte pikërisht BDI-ja e cila ka qenë shumë më gjatë në pushtet, dhe që me gjasë prej funksionarëve të saj ka të korruptuar, apo subjekte që i ka avancuar - punësuar në sistemin e drejtësisë (dihen format në shtetet si tonat), të cilët janë korruptuar. Megjithatë Integristët, për interes madhor (qoftë vetëm politik), po e bëjnë të kundërtën, i rrezikojnë gjithë këta funksionarë duke i vendosur para përgjegjësisë së vetingut, asaj përgjegjësie që shteti i dobët ligjor, me dekada i ka inspiruar dhe mundësuar kriminalizimin. Këtë akt të dobishëm sduhet ta ndalë asnjë parti politike shqiptare dhe jo vetëm.

Në politikë fiton ai që është më i guximshëm, më i zgjuar në situata të caktuara, ashtu si fitoi Aleanca poena politike dhe bëri dobi popullore në luftën kundër gruevizmit, ose atakimit dhe shkëputjes nga Thaci i PDSH-së, ashtu mund të bëjë BDI-ja me vetingun. Megjithëse, edhe Aleanca ose cilado parti politike bashkëpunuese dhe e sinqertë në këtë proces jetik për shtetin e së drejtës, përfiton merita. Të bëhemi të drejtë, mos fusim shkopinj pengese në rrotën e së duhurës, e gjërave të mira. Të mendojmë para së gjithash për interesa shoqërore madhore, veçanërisht ato kombëtare shqiptare, pasi dihet se nga sistemi i kalbur i drejtësisë në R.Maqedonisë së Veriut, ne shqiptarët kemi qenë dhe mbetemi viktimat më të shumtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat