Derivatet në politikë

Opinione

Derivatet në politikë

Nga: Fahri Dahri Më: 7 tetor 2019 Në ora: 13:27
Fahri Dahri

Operacion kryesor në njësimin diferencial është gjetja e derivatit të një funksioni. Në rastin e shtjellimit tonë, do ndalemi tek operacionet kryesore në njësimin e të vërtave me mashtrimin (kjo e marrë si njësim diferencial) për të gjetur derivatin e qendrimeve të shprehura nga “elita” jonë politike (kjo e marrë si një funksion).

Kalkulusi diferencial dihet vjen si rezultat i shtrimit të dy problemeve: i tangentes ndaj grafikut të një funksioni në një pikë të caktuar, dhe i shpejtësisë së çastit të një objekti lëvizës. Ndërsa Kalkulusi integral si rezultat i problemit të sipërfaqes së një figure plane. Të para në këtë prizëm ato nuk kanë lidhje me njëra tjetrën.

Në trajtesën tonë, lalkuluesi diferencial, supozohet e “majta”, e cila vjen si rezultat i dy problemeve: i kalimit tangent ndaj platformës të funksionit politik për një periudhë të caktuar dhe të shpejtësisë të përfundimit të një objekti, siç mund të permenden rastet me: Reformën në Drejtësi, Reformën zgjedhore, etj. Ndërsa kalkuluesi integral, supozohet e “djathta”, e cila vjen si problem jo i tangentes ndaj grafikut, por i sipërfaqes, pamjes nga jashtë të një figure, apo një objekti, në rastin tonë të Reformave, etj. Si rrjedhim të shtruarit e dy palëve në këto operacione, nuk mendohet se mund të kenë lidhje mes tyre për të penguar Reformat, ashtu siç gjykohet nga masa e gjërë e njerëzve, qoftë deri edhe tek ata që “fillozofojnë” nëpër tavolinat e kafeve!.

Për të arrtitur në gjetjen e derivatit të qendrimeve ndaj të vërtetave dhe mashtrimeve, do të bazohemi duke i u referuar disa fjalive që deklaron politika.

Derivati i një pozicioni të një objekti që lëviz, në lidhje me kohën, është padyshim shpejtësia e atij objekti, e cila na jep mundësinë për të matur (kuptuar) se sa shpejt ndryshon pozicioni i objektit me kalimin e kohës. Këtë rregull matematikor le ta lexojmë tek pozicionet e politikës, që dihet se është gjithnjë në lëvizje, në përshtatje gjithmonë lidhur me kohën, nga ku padyshim na tregohet shpejtësia me të cilët partitë politike tek ne (gjë që bëhet e mundur për të kuptuarë shpeshtësinë e ndryshimeve të deklarimeve, apo ndryshimet e pozicioneve), na habisin, na çorientojnë me tjetërsimet e qendrimeve të tyre, duke i shoqëruar ato me konfliktualitete (opozitë-maxhorancë) gjatë kalimeve kohore.

Njihemi me disa qendrime gjatë ecjes kohore, të cilat tjetërsohen të shoqëruara me humbje të mëdha që i rëndojnë shqipatarëve dhe Shqipërisë:

“Sot nuk mund të hesht më sepse edhe vetë ata që kurrë s’na kanë lënë vetëm më parë, që nga Presidenti Daul e deri tek i fundit në PPE, më përsërisin prej disa ditësh: “Na vjen keq po mesa duket nuk ju ndihmojmë dot më, sepse ju nuk doni të ndihmoni veten!”. Ata duan që PD të hyjë në zgjedhje! Ata duan që ne të jemi në parlament! Ata duan që të kthehemi menjëherë në Kuvend dhe të votojmë të gjitha ato që duhen për zgjedhjet e për reformën në drejtësi!”. Deklaroi më 01/05/2017, z. Majlinda Bregu ish-ministrja e Integrimit.

Më tej në rrjetet sociale ajo shkruante: “Vendimi për të mos u futur në zgjedhje u mor pa lejuar asnjë debat real. Edhe vendimi për ta refuzuar paketën e kompromisit që propozuan miqtë tanë të PPE-se, u mor pa u konsultuar me askënd. Ku është PD pa një debat minimal dhe pa as më të voglën shenjë reflektimi në këtë situatë kaq të rrezikshme për të ardhmen e saj?!”.

Koha ikën dhe sot, nga këmbëngulja e vazhdueshme e opozitës dhe me zamallahi të thekshme duke deklaruar nga të gjitha anët për të mos u ulur në bisedime me Kryeministrin Rama, shikohet qendrim ndyshe, konkretisht le të njihemi me disa qendrime të krerëve të partive opozitare:

“- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është treguar për herë të parë i hapur për tu ulur në tryezë dialogu me kryeministrin Edi Rama. Një thirrje e përsëritur e kreut të qeverisë, por që këtë radhë, Basha e artikuloi si dakordësi të plotë me aleatët e tij, të cilët nesër do të kenë një takim me presidentin Ilir Meta për t'i kërkuar atij thirrjen e tryezës së dialogut si negociator, dhe uljen e të gjitha partive politike.

Nuk është një kusht, edhe zoti Rama mund të ulet në tryezë institucionale si kryetar i PS. Kjo është krizë e thellë, që përgjegjësia është e kryeministrit, pavarësisht se ai është shkaktari. Lulzim Basha është shprehur që nuk është kundër dialogut, në çdo tryezë që ne jemi të barabartë si forca politike nuk ka asnjë pengesë, dhe besoj se ky do të jetë qëndrimi i opozitës së bashkuar", tha Ndoka.

"- Ku do hymë në zgjedhje, nga penxherja do hymë në zgjedhje? Iku ajo punë, kjo është pyetje koti. Ne në zgjedhje nuk futemi, u mbyll afati, iku kjo punë, kemi firmosur një marrëveshje me PD që nuk hyjmë në zgjedhje, dhe nuk e duam Ramën kryeministër. U dogjën mandatet, u dogjën zgjedhjet, nuk duam Ramën kryeministër. Kjo nuk është çështje për parlament, është marrëveshje kushtetuese. Do të ishim shumë të lumtur kryeministri Rama me ata që ka në kuvend", tha kreu i LZHK-së.

Ne ndjekësit nga jashtë të ngjarjeve dhe pozicioneve të politikës, siç u njohëm më sipër me disa nga tjetërsimet e qendrimeve, sigurisht dhe pa asnjë mëdyshje ndjekim dhe shpresojmë që jo vetëm të arrihet në pjesmarrjen e dialogut të palëve, por besojmë dhe dëshirojmë që të sigurohet dakortësia mes tyre. Me synim edhe më të spikatur (notevole), të dakortësohen palët që të mos ndodhin më çekuilibrime qendrimesh, të cilat në këto afro tre dekada, vetëm kanë sjellë pengesa serioze, si në zhvillimin tërësor të vendit dhe shoqërisë, ashtu dhe në frenimin e pakuptimtë ndaj plotësimit “ të detyrave të shtëpisë” drejt anëtarësimit në BE.

Ministri gjerman, sipas gazetës “Sot”, datë 03.10.2019, shprehet: “Së pari, Bundestagu Gjerman nuk mund të formulojë kushte. Kushtëzimi vjen nga Komisioni i BE-së pas konsultimit me të gjitha shtetet anëtare. Dhe nuk mund të ketë rregulla speciale. Por, nga këndvështrimi i Bundestag-ut janë me rëndësi si kompletimi me numrin e duhur të gjyqtarëve i gjykatave më të larta, ashtu edhe ligji i ri zgjedhor. Reforma zgjedhore ka kohë që është në diskutim. Këtu ka përgjegjësi jo vetëm qeveria, por, natyrisht, edhe opozita. Dhe opozita tani duhet të hapet dhe të ketë një qëndrim konstruktiv. Ajo nuk duhet të vërë bllokada”.

Por sipas shtypit qendrimet e palëve politike vazhdojnë të sillen të ndarë dhe me “kapërcime” të forta në “mejdanet e tyre partiake”. I referohemi gazetës “Dita”, datë 02.10.2019: “Basha tha: “Shqipëria është në krizë. Ne kemi një plan për ta nxjerr vendin nga kriza dhe një propozim për reformën zgjedhore. Ia kemi dorëzuar këtë plan Edi Ramës dhe përfaqësuesve të tij. Ta marrë dhe ta zbatojë. Nëse nuk e zbaton dot, të hapi krahun se jemi të gatshëm ta zbatojmë ne”.

Teksti në fjalë, duam nuk duam, nënkupton vendosjen e “vetos”. Pra, vetëm ai plan i njërit krah politik duhet zbatuar. Ky qendrim shpreh dy parime të kundërta, njëra anë mbështetet tek vetoja, duke mos marrë parasysh diskutimin në debate dhe tjetra shpreh mos pranimin e parimit të pluralizmit politik në debate për zgjidhjet e problemeve. Indirekt rrjedhin dhe dy derivate, njëri të shpie tek funksioni i pengesës së negociatrave dhe tjetri në funksion të marrjes së pushtetit jashtë sistemit zgjedhor.

Një tjetër shqetësim na jep analiza e të shprehurit se: “Rama mbajti sot fjalimin që unë e parashikova!”. Analiza të shpie se propozimi i bërë nga opozita, ishte bërë enkas që maxhoranca të mos e merrte në konsideratë. Në vend që opozita, draftin e saj ta përdorte pikërisht në debatin e pjesmarrjeve të të gjitha palëve, dhe jo të përdorë diktatin, që vetëm drafti i opozitës jashtë parlamentare duhet të vendoset, ndryshe maxhoramca të hap krahun se opozita jashtë parlamentare është e gatshme ta zbatojë”.

Mbas deklarimit të z. Basha, vjen reagim i kryeministrit Rama, i cili ka qenë pothuajse i menjëhershëm, duke deklaruar: “Në fund të deklaratës së tij për mediat ai tha: “Unë mendoj që nuk është e rëndësishme të harxhojmë kohën e njëri tjetrit dhe të njerëzve me këtë procesin ai tha po ti si thua, pastaj do shkoni te ai do i thoni ai tha ashtu. Më mirë merremi me njerëzit me problemet reale. Tërmetet artificiale unë kam në dorë t’i krijoj, por jo ti parandaloj. Tërmetet natyrale largqoftë askush nga ne si ndalon dot, ajo që kemi në dorë është të bëjme çfarë kemi në dorë. Keshtu që është njësoj si një karrocë me kalë ti thotë një treni hap krahun. Mirupafshim”. Kuptohet qartë se qendrimet e të dyja palëve janë si “dy vijat paralele” në matematikë, teorikisht edhe praktikisht nuk mund të takohen!.

Le të marrim në shqyrtim një tjetër fenomen shqiptar, i cili lejon kamuflimin e shigjetimit ndaj së keqes:

Është fjala për një artikull lidhur me korigjimin e qendrimeve gjithëshoqërore ndaj korrupsionit. Nuk luftohet korrupsioni, ai është derivat i të korruptuarve, prandaj të përqendrohemi tek të korruptuarit. Të seleksionohen të gjithë ata njerëz që zgjidhen, caktohen apo emërohen në të gjitha llojet e detyrave. Duke filluar nga kandidaturat e deputetëve, të ministrave, drejtorave, pedagogëve, mjekëve, inxjinjerëve, juristëve, agronomëve, ekonomistave, analistave, gazetarëve, studjuesave, pra në të gjitha qelizat e administratave shtetërore, jo shtetërore dhe bisneseve.

Vazhdojmë me ndërrimin e qëllimshëm të zhvendosjes “shkak-pasojë”, të cilat pëlqehen shumë nga politkanët:

 Sipas news 24 data 26/09/2019, ora 10, 56, lexohej fjala ankesë: “Shënjat e politikës së ulët shfaqen sot në politikë”. Duke analizuar këtë fjali, arrijmë të kuptojmë se: “Politika tek ne është e pafajshme, kjo sepse tek kjo “politikë” nuk janë përgjegjës personat fizikë (personalitetet politike), por janë shënjat e politikës së ulët ato që ndikojnë në shfaqjen e “krizave politike”. Por se kush i pjell “shenjat e politikë së ulët”, nuk del në dritë. Rezulton i qartë mendimi se e keqja është shkaku dhe derivatet, si të prejardhura nga e keqja nuk janë personat fizikë. Diçka, në këto ngjarje të vazhdueshme të politikanëve tanë, nuk shkon, përkundrazi ka handikap. Këto handikape, mbrapshtësi të politikanëve tanë, ose janë të qëllimshme (për të ndikuar indirekt-negativisht tek elektoratet përkatse), sigurisht për përfitimet e tyre, duke hedhur mjergulla apo tymnaja për t’i prishur mendjen shoqërisë tonë; ose janë shumë të dhënë mbas domosdoshmërisë që pushteti të jetë vazhdimisht pronësi e të njëjtit krah politik, synim që bie ndesh me rotacionin e pushteteve. Alternativa këto që nuk përputhem as me demokracinë, as me dëshirat dhe synimet në tërësi të shoqërisë shqiptare, por me efektivitet negativ të lartë ekonomik, politik, të cilat u japin personave fizikë në pushtet si dhe atyre që “bërtasin” me molotova nëpër sheshet e qyteve tona kryesore, apo dhe që na përfaqësojnë në kancelaritë e shumta, sipas “midesë” së tyre.

Në shkrimin e z. Fatos Tarifa më 29.09.2019, me titull: “Mjaft me këmbana të rreme alarmi. Nga se rrezikohet vërtet z.Tufa. Publikimi prej Agron Tufës i një kërcënimi “phony” me vdekje ndaj tij dhe ndaj avokatit të tij ka pikërisht këtë synim - damage control-(kontrolli i dëmtimit-FD) të mund të zhvendosë vëmendjen e publikut dhe të autoriteteve nga krimi i tij intelektual te një rrezik i paqenë për të, që vjen nga një kërcënim i paqenë ndaj tij...” . Dhe, z. Fatos ka të drejtë mbasi në këto tre dekada është vërtetuar fakti, se klasa jonë politike, e ka gjetur “strehën” për mbrojtjen e vet (saj), pavarësisht dëmeve serioze të shkakrtuara, duke përdorur strategjinë e strucit që fut kokën në rërë, por ndryshe nga “koka sturcit”, është përdorur dhe përdoret strategjia e të “mbrojturit politikisht”.

 Në gazetën “Sot”, të datës 30.09.2019, lexojmë opinionin e ish ministrit të drejtësisë i PD-së, i cili deklaron: "Ajo që unë kam lexuar është se nuk ka shkelje të kryera nga presidenti. Në asnjë paragraf të raportit nuk përmendet fakti që presidenti përmes dekretit për shtyrjen e zgjedhjeve të jetë shkelur një nen, paragraf apo germë e Kushtetutes....”. Në këtë reagim të ish ministrit, në mos gaboj, vihet re një revansh politik në mbrojtje të një personaliteti, i cili, padiskutim është i aftë për mbrotjen e tij, por krahas kësaj dhe mbi të gjitha fajësimi, ose jo, i takon dhe do ta vendosi institucioni përkatës i sistemit të drejtësisë. Por ja që politika nuk e heq dot vesin e strucit!

Ndalemni tek një akuzë tjetër e verbër, e cila jo vetëm përsëritet “vakt” e pa vakt, por akuzës i jepen ngjyra kaq të forta, sa arrihet në ndërrim të roleve, ku shkaku rezulton pasojë dhe pasoja triumfon si shkak. Një metamorfozë e tillë e qëllimshme, gjason me hapjen e kanaleve për ndryshimin e shtratit të rrjedhjes së lumit. Kjo metamorfozë gjen vend tek deklarimet tejet të forta, me mos funksionimin e gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Që këto gjykata nuk funksionojnë dihet prej të gjithëve, por harrohet të flitet për shkakun që pruri këtë pasojë. Edhe pse-në, të gjithë e dimë, edhe ata që e mbajnë si çështje kyçe për të kryer propagandën.

Situata jo e pranueshme e mos vënies në funksion të tyre, nuk është mungesë dëshire prej palëve, por shkaku kryesor është tek mos marrja e masave për të luftuar të korruptuarit që nga majat e shtetit e deri tek venia në qarkullim e biletave fallso të udhëtimit urban. Askush nuk mundet ta mohojë se mungesa e gjykatave të larta, është rrjedhojë e operacioneve të Vettingut, i cili vazhdon të pastrojë sistemin e drejtësisë nga të korruptuarit e sistemit të deritanishëm të drejtësisë që është ideuar, hartuar, ligjëruar dhe reaizuar (zbatuar) nga qeverisjet e mbas vitit 1991. Edhe kjo dihet, por nuk pëlqehet për tu ndalur, sepse shigjet do godasi shkaktarët, dmth individët që e “polln” këtë fenomen.

Ky operacion “byppas”, po realizohet nga Vettingu. Në të vërtetë ky operacion ka ngadalsuar ose penguar disa institucione te larta drejtësie, por arësyeja e kësaj situate janë ata, të korruptuarit, të cilëve u është hapur krahu nga dikush, të cilë detyrimisht dhe sipas radhës duhet të dalin para drejtësisë. Arritëm të kuptojmë se lufta duhet të zhvillohet duke gjetur fillimisht shkakun, pastaj me masat që ndërmerren në ndreqjen e pasojave!

Duke e ditur se operacion kryesor në njësimin diferencial është gjetja e derivatit të një funksioni, politikanët tanë veprojnë në të kundërtën, ata mbështeten fort tek derivatet e funksioneve për të arrritutr, nëpërmjet operacioneve të ndryshme politike, në njësimin e të

padobishmes me të dobishmen, sipas objektivit të palës përkatëse! Më e habitshme apo e çuditshme është vetëbindja e tyre absolute. Sigurisht, ndryshe nuk mund të arrihet tek mashtrimi i njerëzve të shoqërisë sonë.

Në këtë këndshikimi tek ne në këto 29 vjet, ka marrë epërsi pandëshkueshmëria e politikanëve dhe pushtetarëve të ndryshëm (VIPAT!), megjithë provat defacto e dejuro të siguruara nga organet e akuzës dhe jo vetëm të atyre. Ky fenomen negativ po ndodh edhe sot e 29 vjet të shkuara, mbasi ligjet “luftohen” për habi edhe nga vetë drejtuesit kryesorë të politikës, të pushtetit dhe akoma më e theksuar nga ish drejtuesit e institucionit më të lartë të drejtësisë!.

Trajtimi i këtij problemi në mënyrë të paanshme, lidhet me ndjenjat e përgjegjëisë dhe detyrimeve morale, për të bërë të mundur pasqyrimin real të ngjarjeve në ditët tona, me shpresë ndikimi tek ligjëvënësit dhe ligjzbatuesit dhe si një kontribut në historinë e kohës tonë dhe asaj të ardhëshme.

Në gjykimin dhe vetëdijen time intelektuale, mendoj se ka ardhur koha që gjithshka të analizohet, gjykohet dhe vendoset realisht në renditjen e ngajrjeve të parën shkakun dhe pastaj pasojën. Booll mashtrimit me parësi pasojën si shkak dhe shkakun si pasojë!. E thënë shqeto shqip: Boll më me mashtrime nga politika!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat