Dorëheqja kolektive e Rijasetit e shpëton BFI-në por edhe Sulejman Rexhepin

Opinione

Dorëheqja kolektive e Rijasetit e shpëton BFI-në por edhe Sulejman Rexhepin

Nga: Andi Rakipi Më: 9 tetor 2019 Në ora: 13:33
Ilustrim

Me qëllim që të shpëtohet Sulejman Rexhepi dhe BFI-ja, jo që duhet të ofrohet kjo dorëheqje kolektive por, paraprakisht, duhet të ulet Sulejman Rexhepi me Lëvizjen Myslimane për Reforma në BFI dhe, të merren vesh për gjithçka! Të arrijnë një marrëveshje ekskluzivisht për hirë të Zotit dhe për hirë të BFI-së, e cila aq shumë u duhet myslimanëve të vendit

Këto ditë, në kuadër të Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së është formuar redaksia si dhe këshilli botues i cili do të merret me redaktimin dhe sistemimin e tërë materialit tashmë të publikuar nëpër mediat e shkruara dhe në ato elektronike të vendit dhe jashtë. Bëhet fjalë për të gjitha shkrimet, analizat, komentet, vështrimet që janë shkruar eksluzivisht kundër Sulejman Rexhepit dhe tajfës së tij. Ky aktivitet ndërmerret me qëllim të arkivimit institucional të të gjitha shkrimeve të cilat, një ditë, pas dy, tri, katër, pesë e më shumë dekadave, pa dyshim që do të shërbejnë si literaturë konsultative për të gjithë ata që do të përpiqen të zbardhin një të kaluar të BFI-së, konkretisht të kohës së Sulejman Rexhepit. Kaq shkrime kritike nuk ka për asnjë figurë qoftë antikombëtare qoftë antifetare në historinë tonë të përgjithshme. Kaq shkrime nuk ka as për Hamzë Kastriotin, as për Haxhi Qamilin, as për Esat Pashë Toptanin, as për Enver Hoxhën, as për Rrahman Morinën... Madje nuk dihet asgjë as për familjet dhe pasardhësit e tyre, për pinjollët e tyre, sepse vetë ata nuk mund të bashkëjetojnë me njollat e të parëve të tyre.

Do të jetë shumë e rëndë për familjen Rexhepi dhe për trashëgimtarët e tij, për pinjollët e tij të mëvonshëm, por po kaq rëndë do të jetë edhe për anëtarët e Rijasetit të cilët kanë dhënë kontribut fatal për një “storie” të këtillë e cila sa më parë duhet të harrohet.

Së këndejmi, pa dyshim që do të ishte hap shumë i mençur nëse Rijaseti do të jepte dorëheqje kolektive, sepse do të shpëtonte edhe BFI-ja, edhe Sulejman Rexhepi, por edhe Lëvizja për Reforma, e cila do të fokusohej në reformimin e gjithanshëm të BFI-së dhe jo vetëm në evidentimin e dështimeve, debakleve, shkatërrimeve që po i bën struktura aktuale e BFI-së.

Dorëheqja kolektive do t’i shpëtonte edhe vetë Myftinitë si organe, sepse, patjetër që janë në një presion të përmuajshëm nga Sulejman Rexhepi për të siguruar financa për rrogat e të punësuarve, te cilët, në masë prej 20-30 për qind janë punësime nepotiste, që i bie Myftinitë të paguajnë për familjarët, miqtë dhe fqinjtë e Sulejman Rexhepit. Ky obligim i myftinive ndaj Sulejman Rexhepit në fakt vetëm sa po i dëmton dhe po i zbeh kapacitetet e këtyre organeve, të cilat, në një të afërme jo të largët mund të kalojnë vetëm në zyra të thjeshta me rolin e servisit për grumbullimin e ndihmave humanitare për Sulejman Rexhepin.

Doreheqja kolektive do t’i shpëtonte myslimanët e vendit nga një brengë shpirtërore që gjithnjë e më shumë po ua rëndën situata fatale e BFI-së.

Dorëheqja kolektive do të kthente pak shpresë se do të shpëtojë sistemi financiar i BFI-së.

Dorëheqja kolektive e Rijasetit do t’i shpetonte institucionet arsimore të BFI-së të cilët, për shkak të vjedhjeve, nepotizmit, klientelizmit, amatorizmit, papërshtatshmërisë profesionale, politikave për të prodhuar më tepër spiunë se hoxhallarë, shumë shpejt mund të mbyllen.

Aktualisht BFI-ja ka ngelur pa funksion fetar e social;

Praktikat jetësore dëshmojnë se, gjithçka që nuk funksionon prishet, zhbëhet;

Prandaj, dorëheqja e Rijasetit dhe Sulejman Rexhepit është imediate, është urgjente, e menjëhershme.

Nëse nuk ofrohen dorëheqjet kolektive dhe e Sulejman Rexhepit, së shpejti do të futen brenda institucionet shtetërore dhe, pasojat do të jenë katastrofale;

Nëse ndodhë kjo dhe nuk ndodhë dorëheqja kolektive, atëherë kurrë nuk do të kemi Institucion autonom fetar por do të kemi një servis shtetëror që na e veshë petkun fetar ashtu siç do të dëshirojë vetë.

BFI-ja nuk do të humb asgjë me dorëheqjen kolektive të anëtarëve të Rijasetit, përfshirë këtu edhe Sulejman Rexhepin, sepse –

disa nuk e dinë se pse janë aty,

disa janë ilegjitim

disa kanë zënë vend pa kurrfarë merite

disa nuk e kuptojnë të qenurit myfti, drejtor, nuk e kuptojnë as peshën dhe as rëndësinë e këtyre pozitave,

disa nuk kanë legjitimitet që të jenë aty;

disa mendojnë se të qenurit myfti do të thotë që ta shpëtoshë nga hallet Sulejman Rexhepin;

disa medojnë se myftiu është kurbani i “reisit” i cili, kur të sakrifikohet do të shërbejë si shpëtim dhe shpëlarje mëkatesh për Sulejman Rexhepin.

Prandaj, që të shpëtohet Sulejman Rexhepi dhe BFI-ja, jo që duhet të ofrohet kjo dorëheqje kolektive por, paraprakisht, duhet të ulet Sulejman Rexhepi me oponentin e tij, Afrim Tahirin dhe, të merren vesh për gjithçka! Të arrijnë një marrëveshje ekskluzivisht për hirë të Zotit dhe për hirë të BFI-së, e cila aq shumë u duhet myslimanëve të vendit.

Respekti ndaj Zotit dhe BFI-së do të shprehet vetëm kur palët do të arrinin këtë marrëveshje:

Dorëheqja kolekive, përfshirë këtu edhe të Sulejman Rexhepit, përcillet me raportimin e komisioneve se janë zhdukur të gjitha materialet (si nga arkivat personale ashtu edhe nga ato elektronike, të portaleve) që e komprementojnë reisllëkun dhe kohën derisa ka udhëhequr me BFI-në;

Janë tërhequr dhe mbyllur të gjitha paditë dhe proceset gjyqësore;

Pasi të ofrohen deklarata dhe garanca se nuk do të ketë kurrfarë hakmarrje;

Pasi të ofrohen deklarata se kurrë nuk do të hapet asnjë dokument që e komprementon Sulejman Rexhepin dhe klikën e tij.

Sa më parë që do të arrihet një marrrëveshje në mes të anëtarëve në dorëheqje të Rijasetit dhe Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI, aq më të lehta do të jenë gjërat më vonë. Ndryshe, një ditë do të stabilizohen dhe do të konsolidohen organet e drejtësisë, atëherë, që të gjithë mund të përfundojnë në burg, nëse jo për pjesëmarrje në krim, atëherë për fshehje të krimit!

Ishalla, në emër të Zotit, ky Rijaset jofunksional, përfshirë këtu edhe Sulejman Rexhepin, sa më shpejtë japin dorëheqje kolekive me qëllim që sagat e BFI-së të marrin fund njëherë e mirë.

Zoti është i Madh, Ai di, sheh, dëgjon gjithçka. Vetëm Ai e di se sa të inkriminuar në aktivitete kriminale janë përbërja aktuale e këtij “rijaseti”! Nëse mundohen t’i fshihen popullit dhe Afrim Tahirit, këta Zoti i Gjithëdishëm i ka në shuplakë të dorës dhe, Ai fare lehtë mund ta shtrëngojë grushtin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat