“MiniShengeni ballkanik”, maksi-dështim dhe super-zhgënjim për shqiptarët - Bota Sot
“MiniShengeni ballkanik”, maksi-dështim dhe super-zhgënjim për shqiptarët

Opinione

“MiniShengeni ballkanik”, maksi-dështim dhe super-zhgënjim për shqiptarët

Nga: Xhevat Mustafa Më: 14 nëntor 2019 Në ora: 07:28
Xhevat Mustafa

“...ndryshe nga sa parashikon dhe premton “kryeministri ynë Edi Rama, ”me shumë gjasa,“miniShengeni ballkanik” do të hyjë në histori si maksi-dështim dhe super-zhgënjim për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe si “fitore rajonale e Vuçiçit” dhe e Serbisë së tij, si të gjitha fitoret e tyre të mëparshme ndaj shqiptarëve.”

Në vijim të marrëveshjes së nënshkruar në Novi Sad të Serbisë, për miniShengenin Ballkanik, më 10 tetor, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me pjesëmarrje simbolike nga Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina, u ritakuan më 10 nëntor në qytetin e Ohrit. Ashtu si takimi i parë, edhe ky i dyti, pati fryrje mediatike nga qeveritë pjesëmarrëse si dhe rezerva, kundërshtime dhe skepticizëm nga qeveria, pozita dhe opozita, shoqëria civile dhe mediat e Kosovës si dhe nga opozita, media dhe analistë të pavarur në Shqipëri dhe në diasporë.

Është e kuptueshme që në Beograd, qarqe zyrtare, mediatike dhe civile kanë arësye të ndiejnë gëzim dhe kënaqësi. Atyreve po u ringjallen kujtimet, malli, nostalgjia ndaj “Jugosllavisë së parë”apo fantazma e një “Jugosllavie të re”. Nuk është pak për Beogradin zyrtar dhe opinionin masiv qytetar serb që kryeministri i Shqipërisë është kaq fort i “dashuruar” dhe i përkushtuar ndaj miniShengenit Ballkanik, domethënë, sipas dëshirës masive serbe, ndaj “Jugosllavisë së re”.Merret me mend se ndiesi krejt të kundërta përjetonim ne, shumica e shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe në diasporë.

Sinqerisht, ndërsa e dëgjoja Edi Ramën të fliste në takimin e Ohrit si e “ëma e Zeqos në majë të thanës”, kam ndier në vetvete tronditje, revoltë, turpërim...Në prani të Vuçiçit ai foli  për shtetarët, qeveritarët dhe politikanët  kryesorë të Kosovës sikur t’i kishte studentë apo vartës. Edhe më qesharak u bë kur foli si “specialist në ekonomi” për “mrekullitë” që do të na vijnë ne shqiptarëve të Shqipërisë nga Serbia dhe Maqedonia, pas realizimit të përrallës së moçme e të re jugosllavo-serbe. Ndërsa i  këshillonte liderët e Kosovës që “të mos vetëpërjashtoheshin”, më kujtoi atë njeri buzë greminës, që dëshiron të tërheqë edhe sa më shumë të tjerë në fundin e saj. Me siguri, Vuçiçi duhet të jetë bërë me krahë nga kënaqësia dhe lumturia dhe duhet të ketë falenderuar Zotin në qiell, që e ka ndihmuar aq shumë Serbinë dhe ndëshkuar aq rëndë Shqipërinë, duke i vënë si kryeministër prej më se 6 vitesh një njeri si ...Edi Rama! Më pas i bëra edhe pyetjet vetes: Po “të majtët” shqiptarë, “rilindasit”, a kanë ndier ndonjë pikë turpërimi, zhgënjimi, përgjegjësie ndërsa e dëgjonin liderin e tyre, që e duan më shumë se vetveten dhe dhe e votojnë, të gjallë e të vdekur, me të dy duart dhe këmbët?

Mos vallë u duhen 78 vjet të tjerë, si për Enverin, për t’u bindur se Edi Rama është, për shumë gjëra, tëpkë si ai ose, sikur e ka nxjerrë nga hundët. Domethënë,“tejet pjellor”për premtime mashtruese; Shqipëri-rrënuese; për “fjalime historike dhe histerike”, që ndëshkojnë tmerrësisht rëndë shumicën e qytetarëve, me përjashtim të atyreve që i besojnë përrallat e tij për të vërteta? Edi Rama vetë ka të drejtë të justifikohet me faktin se “fundja unë basketbollist e piktor jam”. Apo se “nuk është faji im që socialistët e 2005-së më më zgjodhën kryetar të PS-së dhe ata të 2013-tës, kryeministër dhe që shqiptarët po më durojnë kaq gjatë, edhe kur po ua nxij jetën dhe Shqipërinë". 

Rama ka shkuar në Novi Sad dhe Ohër duke “harruar” edhe fatin e keq të shumë marrëveshjeve me Kosovën dhe me shtrirje rajonale të nëshkruara nga ai vetë dhe paraardhësi i tij, Sali Berisha, mes dy qeverive apo në kuadër të MSA(Marrëveshja e Stabilizim Asocimit)  dhe CEFTA(Marrëveshja për Tregti të Lirë me vendet e Evropës Qendrore), të cilat kanë mbetur nëpër dosje apo, në mënyrë figurative, me duar shqiptare, janë “varrosur për së gjalli”. Ne shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë na bën përshtypje për keq dhe na shton dozat e mosbesimit edhe fakti se është po ky Edi Rama, që këto dy muaj po rraskapitet për miniShengenin Ballkanik, që ka vendos taksën 5 euro në tunelin e Kalimashit në “Rrugën e  Kombit” për shtetasit e Shqipërisë dhe të Kosovës. Për të kuptuar sa më mirë “misionin”, lojën në “fushë” apo në “dhomat e çveshjes” të Edi Ramës na ndihmon shumë ai vetë. Gjatë takimit të Ohrit ai mbajti një fjalim relativisht të gjatë dhe  me doza zemërimi dhe depresioni, për faktin që po e keqkuptonin dhe anatemonin në Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Shkup... Mes të tjerave ai tha me gojën e vet në Ohër: “Isha tradhtar para se të shkoja në Beograd, dhe u bëra hero, kur u ktheva. Por unë s’jam as tradhtar e as hero. Kam marrë një mision”. Dihet se qenia atdhetar i madh dhe tradhëtar shprehen dhe kuptohen nga veprat dhe jo nga fjalët, që thotë një njeri për veten dhe që thonë e shkruajnë ata, që ai paguan bujarisht apo i detyron si kukulla dhe papagaj të tij.

Edhe Enver Hoxha për rreth 44 vjet u vetëreklamua dhe u propagandua shtrenjt, me kulmin e servilizmit dhe të hipokrizisë, si shqiptar i madh, gati edhe më i madh se Skenderbeu dhe Ismail Qemali. Por, nga shumica e veprave që bëri e la mbi dhe nën tokë; për faljen e Kosovës shqiptare “vëllezërve jugosllavë” apo “Jugosllavisë motër”; për nga katandisja e Shqipërisë në ferr tokësor për qytetarët e saj, të fundit në Evropë për shumicën e treguesve të zhvillimit ekonomiko-shoqëror e të nivelit të jetesës, të turizmit; të lirisë së fjalës dhe të lëvizjes edhe në vend; të të drejtave themelore e më jetike të njeriut...,ai mund të quhet pa gabuar dhe pa e tepruar fare, diktator dhe antishqiptar barbar, i tërbuar, histerik. Se përse në Beograd dhe në të gjithë Serbinë kanë më shumë arësye të ndiehen të fituar dhe më shumë optimistë nëqoftëse përralla e miniShengenit nuk përfundon si marrëveshjet e mëparshme, e shprehin edhe disa shifra të freskëta. Edhe pse prej rreth 1 viti “taksa Haradinaj” ua ka ulur disi përfitimet, përsëri raporti importe-eksporte është rreth 10 fish në favorin e Serbisë.Konkretisht, Kosova brenda një viti, të paktën zyrtarisht, pra pa llogaritur ato kontrabandë, importon nga Serbia mallra në vlerë 400 milionë euro, por eksporton vetëm rreth 40 milionë euro drejt Serbisë. Ndërsa raporti i shkëmbimeve tregtare Shqipëri- Serbi për vitin 2018 ishte rreth 190 milionë euro ose rreth 5 fish më i lartë në favor të importeve nga Serbia në Shqipëri në krahasim me eksportet nga Shqipëria për në Serbi, në rreth 40 milionë euro. Kryeministri Edi Rama duhet të jetë i mirinformuar nga mediat dhe ndihmësit e tij për këto të dhëna.

Nga komunikimi i drejtpërdrejtë, edhe për kundërshtimin e argumentueshëm, të njëmendshëm dhe të njëzëshëm nga drejtuesit më të lartë shtëtërorë, qeveritarë dhe politikë( Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa, Albin Kurti...) si dhe nga opinioni masiv qytetar e mediatik në Kosovë për këtë projekt qartësisht në favor të ëndërrave dhe synimeve të moçme serbe. Edhe pse konçize, është tejet shprehëse kjo fjali në deklaratën publike të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa:” “Ne që e kemi përjetuar Jugosllavinë nuk dëshirojmë ta përjetojmë edhe njëherë. Edhe atyre që nuk e kanë përjetuar, nuk ua dëshirojmë!”. Atëhere, logjikshëm dhe natyrshëm shtrohet pyetja: përse është kaq i përkushtuar Edi Rama ndaj “miniShengenit ballkanik”? Në fjalimin dhe deklaratat për shtyp në takimin e Ohrit ai u mundua të jepte një përgjigje sipas mendjes, vizionit, llogarive, shpresave apo pritshmërive të tij. Por, nga ato që tha dhe la të kuptoheshin në nëntekst, sidomos për nga mënyra se si “ligjëroi”, mund të ketë bindur dhe entuziazmuar vetëm vetveten, Endri Fugën, Erion Braçen, Gramoz Ruçin, Elisa Spiropalin, Linda Ballukun, Taulant Ballën...,Vilma Nushin, Shefqet Kastratin, Blerim Devollin...

Natyrisht, bollshëm edhe Aleksandër Vuçiçin, Zoran Zaevin, Xhorxh dhe Aleksandër Soros...Ardhja në Ohër pikërisht  ditën e takimit Zaev-Vuçiç-Rama e mikut të tij Aleksandër Soros, shoqëruar nga drejtoresha strategjike e përgjithshme e Fondacionit, Laura Silber, jep arësye të mendohet se përralla e “miniShengenit ballkanik” po “sponsorizohet” pa u kursyer edhe nga Sorësët atë e bir. Këta, nga ana e tyre, janë të njohur prej kohësh, me vepra të shumta publike dhe të fshehta,  për miqësi të madhe me botën sllavo-serbe dhe armiqësi të pafshehur me Shqipërinë dhe shqiptarët, që nuk mbulohet dot nëpërmjet disa milionave dollarë për vepra humane, kulturore dhe emancipuese, dhuruar njerëzve të tyre në krye të disa të ojq-ve në Tiranë, Prishtinë, Shkup, që, me siguri, nuk kanë harruar t’ia kthejnë “mirënjohjen”bashkë me përqindjet e interesit...Prania e Aleksandër Sorosit në Ohër, si “turist”,  më shumë u ka prishur se sa bërë punë Ramës, Zaevit dhe Vuçiçit, duke u shkaktuar errozion në besueshmëri, sinqeritet dhe propagandën reklamuese për “miniShengenin ballkanik”, si “projekt i pastër dhe i ndershëm ballkanik”. “Byrekut” të gatuar në takimin e Ohrit nga Vuçiç-Zaev-Rama ia hoqi petët e sipërme edhe nxitimi i gazetës serbe “Blic”, në numrin e saj të dt.12 nëntor.

Harta e publikuar prej saj tregon se në “Shengenin Ballkanik“do të përfshihen Serbia (me Kosovën brenda kufijve të veta), Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia Veriore dhe Bosnja e Hercegovina. Ky Union do të kishte 16,5 milionë banorë dhe një sipërfaqe prej 207 mijë e 831 kilometra katror. Sipas llogarive të autorit, përfitimet e Serbisë nga lehtësimi i proçedurave dhe faturave doganore do të jetë rreth 130 milionë euro në vit.  Kapur tek këto shifra dhe qëndrimi i pandryshuar i Serbisë ndaj Kosovës , Edi Ramës i shtohet e drejta t’i thotë “shqip” mikut të tij Vuçiç” : “Nuk ka “miniShengen me mjesëmarrje të Shqipërisë dhe të Kosovës për derisa ti këmbëngul,( me rast fare të freskët në takimin me presidentin francez Macron, në Paris, më 12 nëntor), se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën dhe se do të vazhdojë të pengojë anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, njohjet e reja dhe do të shtojë uljen e shifrës së njohjeve të mëparshme!”. Pra, ndryshe nga sa parashikon dhe premton “kryeministri ynë Edi Rama, ”me shumë gjasa,“miniShengeni ballkanik” do të hyjë në histori si maksi-dështim dhe super-zhgënjim për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe si “fitore rajonale e Vuçiçit” dhe e Serbisë së tij, si të gjitha fitoret e tyre të mëparshme ndaj shqiptarëve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat