A do të arrihet marrëveshja VV-LDK të enjten?

Opinione

A do të arrihet marrëveshja VV-LDK të enjten?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 9 janar 2020 Në ora: 12:06
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Takimi i kësaj të mërkure, (në harkun kohor brenda 24 orësh dy takime të një pas njëshme), solli atë që pritej. Preludin e arritjes së marrëveshjes e dha vet kreu i LVV, Albin Kurti, i cili para nisjes për në takim me liderin e LDK-së, Isa Mustafa, ka folur shkurtimisht para mediave. Ndër të tjera z. Kurti theksoi se “marrëveshja është shumë” . Kjo linte të nënkuptonte se z.Kurti po shkonte drejt Kuvendit për të biseduar me zyrtarët e LDK me lëshim pe, pasi e dinte se vetëm kështu ka gjasa të ndodh arritja e marrëveshjes. Megjithatë, edhe pas tri orësh takimi nuk u arrit marrëveshja. Menjëherë pas takimi zëdhënësi i LDK’së, Besian Mustafa, ka thënë se ka lëvizje të pozicioneve të dy partive, dhe ka paralajmëruar edhe një takim për të enjten (sot). “Ka përfunduar. Kemi lëvizje në përpjekje për marrëveshje. Do të kemi edhe një takim të radhës nesër”, ka thënë Mustafa. 

Duket sikur një betejë që është e destinuar të përfundoj me sukses, por se kur do të arrihet ende nuk dihet.  Duke parë e të dyja partitë janë të interesuara për marrëveshje, dhe takimet po vazhdojnë besoj se epilogu e krejt kësaj do të jetë arritja e saj. Njëra ndër formulat që mund t’i vinte kapakun arritjes së marrëveshjes është  që VV të ketë katër ministri ndërsa LDK 6 si dhe postin e presidentit u përmbyll një kapitull i filluar që nga 6 tetori, në datën që i dha shuplakë PAN-it. Por, pa përjashtuar këtu edhe formula të tjera. Por sa ka gjasë që sot(enjte) të arrihet marrëveshja, këtu askush nuk mund ta thotë me siguri, edhe duke nisur nga historiku i bisedimeve mes këtyre dy partive. Negociatat e vështira janë karakterizuar mes VV dhe LDK qysh nga fillimi kur filluan të harmonizimin e programit qeverisës, avazi i njëjtë po vazhdon edhe me arritjen e koalicionit, respektivisht ndarjes së përgjegjësive. Arritjen e marrëveshjes qysh këtë të enjte e kërkojnë anëtarësia e të dyja partive, që përgjithësisht kanë qenë pro arritjes së marrëveshjes, duke shtyrë edhe drejtuesit e këtyre dy subjekteve për të t’u takuar derisa të arrijnë marrëveshjen e shumë pritur. Dëshpërimi i madh i qytetarëve me qeverisjet e deritashme, sidomos me PAN që rezultoi me ikje masive, e solli në pah opozitën e deri djeshme si potencial i pashfrytëzuar për të ndryshuar kursin qeverisës të vendit, dhe për të kthyer shpresën në Kosovë. Derisa qytetarët që votuan kundër PAN respektivisht pro VV-LDK, shprehën të bindur dhe të lumtur se kjo gjë do të ndërrosh, s`do shumë imagjinatë se si dëshirojnë udhëheqësit e PAN. Njerëz të cilët ngritjen e jetesës së tyre e shohin vetëm duke shfrytëzuar pushtetin në mënyrë të padrejtë, duket se po u preh “ krahët” e hajnisë.

Me arritjen e marrëveshjes LDK-VV bie edhe matematika, kalkulimet e presidentit Hashim Thaçi, që kundërligjshëm është përzier për të formuar qeverinë pa LDK dhe VV. Fill pas takimit që kishte të hënën me Albin Kurtin, jo publikisht presidenti ka pritur në takim përfaqësuesit e minoriteteve, nga të cilët s`do shumë mend të ketë biseduar për mundësinë e një koalicioni. Kjo do të thoshte rikthim të PAN në pushtet. Kjo deshifron  kërkesën e tij drejtuar VV që brenda 48 orëve të dorëzonte emrin e mandatarit, edhe pse këtë nuk e ka në kompetenca presidenti. Me këtë, Hashimi synonte të vinte në presion të kohës Albin Kurtin, me tendencë që të komplikohen negociatat mes VV-LDK dhe me aminin  e tij që mos të arrihet marrëveshja.

Për fatin e tij të keq kjo nuk duket se do të ndodh duke rrëzuar kështu të gjitha kalkulimet e tyre për të t`i kthyer edhe një herë PAN në pushtet.. Koha e tyre ka mbaruar, mirëpo nuk duhet të harrohet kurrë se çfarë i kanë sjellë vendit. Përveç se nuk duhet harrohet, për më tepër edhe duhet të ndiqen nga drejtësia e pavarur. Nuk mjafton vetëm largimi i tyre nga pushteti por edhe llogaridhënia, të arsyetohen se si i kanë bërë milionat, jetën luksoze. Kjo ndodh gjithkund në vendet demokratike nga ky synojmë të jemi edhe ne, ndryshe sdo të ketë kuptim ndryshimi. Ndryshimi i vërtetë fillon atëherë kur të shkuarës së trishtë i shkulim rrënjët.

Tani e kanë mundësinë VV-LDK të japin shembull të një qeverisje të mirë, të pa korruptuar, me duart të pastra dhe me reformat ë thella në  të gjitha sektorët.

Partnerët e ri të koalcionit qeverisës nuk duhet të marrin përgjegjësit si zbavitje, favor apo mundësi për pasurim por si obligim për të kthyer në shpërblim besimin që populli u ka dhënë. Para se të marrin edhe zyrtarisht pushtetin të lexojnë gabimet e PAN, të mësojnë se çfarë nuk duhet bërë. Populli i ka sytë tek qeveria e re, që shihet si shpresa e fundit. Uroj që mos të dështojnë e të punojnë shumë dhe me nder, ky vend i bekuar por gjithnjë i trazuar meriton të sheh ditë te mira, shansin e keni të bëni histori..mos na dëshpëroni..!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat