Kosovës nuk i duhet njohja nga Serbia, e aq më pak me një pushtet me ministra të Millosheviqit

Opinione

Kosovës nuk i duhet njohja nga Serbia, e aq më pak me një pushtet me ministra të Millosheviqit

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 7 shkurt 2020 Në ora: 14:35
Foto ilustrim

Ende pa i marrë mirë frenat e qeverisë, opozita aktuale, kryesisht AAK-ja, po e “sulmon” kryeministrin e ri, Albin Kurtin, për idenë e tij që taksa ndaj Serbisë e vendosur nga ish shefi i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, të zëvendësohet me reciprocitet.

Haradinaj deklaroi se taksa duhet të mbetet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Por çka i duhet Kosovës njohja e Serbisë?!

Asgjë! Gjërat janë më thella se sa qëndrimi e disponimi i Vuçiqit e Daçiqit.

Qytetarët e Kosovës duhet të kuptojnë se, Serbisë i nevojitet më shumë të njoh Kosovën si shtet, sesa vendit tonë që të merr njohjen nga Serbia.

Është e vërtetë që të dyja shteteve iu duhet njohja reciproke e gjithashtu edhe normalizimi i marrëdhënieve, përfshirë tregtinë e lëvizjen e lirë.

Serbia është një hap larg Bashkimit Evropian, e kushtin kryesor e ka njohjen e Kosovës si shtet, përderisa vendi ynë ka kushte tjera dhe është më larg se Serbia në rrugën e BE-së.

Kosova ende nuk ka hapur kapitull për të hyrë në BE, ndërsa Serbia është duke negociuar në kapitullin e 31 me zyrtarë të BE-së. Në anën tjetër, Kosova ende nuk ka fituar liberalizimin e vizave.

Duhet ta dimë se, qytetarët serb në Beograd, gati që një vit janë duke bërë protesta masive kundër politikave të Vuçiqit, pasi ata duan normalizim të raporteve të Kosovës e madje edhe njohje të shtetit tonë, pasi qytetarët atje duan të jenë sa më shpejt brenda kornizave të Bashkimit Evropian.

Protestat në Serbi dhe dëshpërimin e qytetarëve atje, mediat e Vuçiqit e Brnabiqit po mundohen ta fshehin e të mos e zbulojnë, ndonëse shpeshherë ka pasur edhe protesta të dhunshme, të quajtura “1 në 1 milionë”.

Kryeministri i ri, Albin Kurti, me të drejtë po e zëvendëson taksën me reciprocitet, madje në një analizë më të thellë, reciprociteti është më i dëmshëm për Serbinë, sesa taksa.

Me reciprocitet, Serbia pa dëshirën e saj do ta pranojë Kosovën si shtet, ose përndryshe nuk do të mund të lëviz asnjë qytetar serb e as ndonjë veturë me targa serbe, në territorin e Republikës së Kosovës.

Ramush Haradinaj e di mirë këtë fakt që reciprociteti është më i rëndë për Serbinë sesa taksa, por që tani në pozitën e opozitarin, i “takon” të bëjë deklarata populiste.

“Dialogun nuk e neglizhojmë, por as nuk ngutemi”, tha kryeministri Kurti, i cili me të drejtë e mbanë këtë qëndrim, pasi kur bie fjala për nxitim, ajo i takon Serbisë. Në këtë të fundit, zgjedhjet do të mbahen në prill të këtij viti, ku priten ndryshime radikale, nëse nuk ka të tilla në raportet me Kosovën.

Serbia është shteti i fundit që Kosova do t’i duhej njohja nga ajo, e aq më pak me një pushtet me ministrinë e kasapit Millosheviq në krye të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat